E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi me Trojkën,Berisha: S'e dua Gloverin

Ndërkombëtarët vihen në lëvizje për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga palët


TIRANË- Ndërkombëtarët vihen sërish në lëvizje për të zgjidhur ngërçin e krijuar mes qeverisë shqiptare dhe Misionit të ODIHR-it. Kundërshtimi i drejtueses së këtij misioni nga ana e qeverisë shqiptare, ka bërë që përfaqësuesit e Trojkës europiane, ambasadorja çeke në Tiranë, vendi i së cilës ka presidencën e radhës së Bashkimit Europian, ambasadorja e Suedisë, si vendi që do të ketë këtë presidencë në gjysmën e dytë të vitit, dhe një përfaqësues i delegacionit të Komisionit Europian, të zhvillonin një takim me Kryeministrin Sali Berisha.


Takimi ka zgjatur më pak se një orë dhe sipas burimeve që raporton "Zëri i Amerikës", Kryeministri ka përsëritur qëndrimin kundërshtues ndaj emërimit të ambasadores Glover, me argumentet se raporti për zgjedhjet problematike të 1996, kur ambasadorja Glover ishte drejtuese e ODIHR-it, nuk ka qenë plotësisht realist.


Edhe pse Berisha nuk ka qenë kategorik në kërkesën e tij, takimi i djeshëm duket se nuk ka përfunduar me ndonjë rezultat konkret. Madje, as zëdhënësi i ODIHR-it nuk mundi të japë dje një përgjigje mbi rezultatet e këtij takimi, përveçse të konfirmonte se ishte zhvilluar një i tillë në zyrën e Kryeministrit Berisha.


Për "Zërin e Amerikës", ambasadorja Glover tha pak ditë më parë se viti 1996 ishte pjesë e së kaluarës dhe se ajo do të bënte punë e saj siç duhet, duke lënë që të jenë faktet ato që do të flasin.


Drejtuesja e misionit të vëzhguesve ka thuajse një javë në Tiranë dhe ende ajo nuk është pritur nga autoritetet. Ajo nuk ka mundur të zhvillojë një takim me Kryeministrin Sali Berisha, ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha dhe së fundmi, as me Kryetarin e KQZ-së, Arben Ristani.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›