Trbicka: Takimi me Shkëlzen Berishën
DËSHMIA 2
TIRANË- Pas publikimit të djeshëm të një pjese të dëshmisë së të ndjerit Kosta Trebicka, biznesmenit që denoncoi publikisht aferat korruptive të ndërmarrjes MEICO për shitjen e fishekëve, sot "Shekulli" publikon pjesën e dytë dhe të fundit të dëshmisë së Trebickës vetëm pak muaj para vdekjes aksidentale të tij.
Gjatë vazhdimit të deklarimeve, Trebicka tregon para prokurorëve takimin me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili kishte kërkuar takim pas takimit që biznesmeni kishte pasur me djalin e kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzenin.
Më tej në dëshminë e tij, Trebicka tregoi para prokurorëve ardhjen e gazetarit amerikan, shoqëruesit e ish-Ministrit të cilët ia konfiskuan kasetat e intervistës dhe takimin me investigatorët amerikane dhe frikën e tij për të kallëzuar në prokurori këto afera të Ylli Pinarit me kompaninë.
Në Tiranë sot me datë 4 prill 2008, ora 10:00, unë Alfred Progonati, me detyrë Prokuror pranë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, në prani të prokurorit Sokol Stojani, të angazhuar në përbërje të grupit të hetimit të ngritur nga Prokurorja e Përgjithshme për hetimin e procedimit penal nr. 918, të vitit 2008, të regjistruar nga Prokuroria e Rrethit Tiranë, si dhe në mbështetje të nenit 312, të K.Pr.Penale mbaj këtë procesverbal për ri pyetjen e shtetasit Kosta Gaqo Trebicka, i identifikuar personalisht.
Pasi i shpjeguan nenet 155 deri 160 te K.Pr.Penale, të cilat kanë të bëjnë me rregullat e dëshmisë, shtetasit Kosta TREBICKA iu kërkua të tregojë gjithçka që di për rrethanat e ngjarjes, personin të cilit i atribuohet vepra penale dhe fakte të tjera në interes të hetimit.
Personi u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka nëse bën deklarime të rreme para prokurorit dhe oficerit të policisë gjyqësore, duke dhënë shpjegime që i di se janë tërësisht ose pjesërisht të rreme apo fsheh fakte ose prova, në baze të neneve 305/a dhe 305/b të K.Penal.
KOSTA TREBICKA
Në vijim të deklarimit tim dua të them se edhe pas vizitës së presidentit Bush në Shqipëri, kam kontaktuar edhe dy ose tre herë të tjera me telefon me Efraim Diverolin për sa i përket faktit që edhe pse si argument nga Ylli Pinari ishte përdorur vizita e presidentit amerikan, moslejimi im për të hyrë në ambientet e punës në Rinas për të vazhduar punën për paketimin e fishekëve ka vazhduar edhe pas ikjes së tij.
Fakt ky që lehtësisht bëhet e kuptueshme se Ylli Pinari e kishte bërë gjendjen faktike të largimit tim nga puna për të cilën unë kisha kontratë me AEY, duke u imponuar padrejtësisht dhe në mënyrë të paligjshme.
Efraim Diveroli me keqardhje ai më thoshte se nuk mundej më të përballonte këtë presion të Ylli Pinarit, pasi ishte i kushtëzuar nga fakti se kishte një detyrim për furnizim me fishekë për Afganistan nga Departamenti i Mbrojtjes Amerikane dhe nëse do të kishte vonesa në furnizim prishej e gjithë kontrata me Departamentin e Mbrojtjes për shkak të afateve të furnizimeve.
Kur u bë gjendje fakti largimi im si n\kontraktor i "AEY-së inc" për paketimin e municioneve, kam biseduar me Diverolin edhe për të gjithë inventarin e gjendjes së materialeve, të cilat unë i vlerësoja në masën 60.000 USD që ishte brenda magazinave të MEICO-së në Rinas dhe që Ylli Pinari nuk më lejonte t'i merrja apo të më rimbursonte.
Për gjendjen e inventarit i kam dërguar Efraim Diverolit edhe një e-mail, ku i saktësoja specifikën e materialeve.
Efraimi më tha se kishte biseduar me Ylli Pinarin dhe se ky i fundit kishte marrë përsipër të m'i blinte ose si ndërmarje pra si MEICO, ose si ndërmarrje që do të angazhohej me paketimin e municioneve.
Pavarësisht angazhimeve, Ylli Pinari i ka tërhequr materialet e lëna prej meje në Rinas në vlerën 60.000 USD, të cilat nuk e di se ku janë dërguar, por paratë ende nuk më janë dhënë edhe sot.
Duke qenë se largimi im si n\kontraktor nga MEICO ishte jo i justifikuar ligjërisht, për të mos mbajtur asnjë lloj përgjegjësie ligjore për të ardhmen meqenëse ishin materiale ushtarake, jam detyruar që të gjithë materialin së bashku me një njoftim për largimin si n\kontraktor, t'ia dërgoja Departamentit të Mbrojtjes-Drejtorisë së Armatimit.
Për këtë situatë, meqenëse isha n\kontraktor i një shoqërie amerikane e kontraktuar nga Departamenti i Mbrojtjes, kam vënë në dijeni me sms atasheun ekonomik të Ambasadës Amerikane në Shqipëri Robert Nelsone, pra thjesht jam larguar dhe nuk kisha më lidhje me atë kontratë.
Po kështu, të gjithë dokumentacionin që disponoja së bashku me një informacion që konsistonte përsëri në faktin se nuk isha më n/kontraktor i "AEY inc" dhe për çdo gjë që do të ndodhte më pas nuk do të kisha asnjë lidhje dhe nuk mbaja asnjë përgjegjësi për elementet e paketimit.
Mbas kësaj, kam pasur shumë telefonata anonime bezdisëse por pa më folur për të më kërcënuar. Në muajin shtator 2007, jam telefonuar nga Amerika, ku një person emrin e të cilit nuk e kujtoj por u prezantua si punonjës i Departamentit të Armatimit, më lajmëroi se shumë shpejt një grup punonjësish investigativë do vinin të më kontaktonin për të më sqaruar situatën.
Mbasi jam lajmëruar se do vinin një grup investigativ amerikan të Departamentit të Mbrojtjes, duke pasur edhe një regjistrim ku përmendej edhe djali i kryeministrit shqiptar, si dhe duke e ndjerë si detyrim moral si qytetar i këtij shteti, kërkova të komunikoj dhe kontaktoj personalisht me djalin e kryeministrit.
Takimi me të kushtëzohej edhe nga fakti se nuk mund të takoja dot personalisht kryeministrin Sali Berisha qoftë për shkak të faktit se nuk njihesha, ashtu edhe të asaj se nuk mund të prezantoja si arsye takimi një regjistrim ku përmendej emri i djalit të tij, pasi mund të konsiderohej si shantazh.
Në këto kushte, nëpërmjet një mikut të përbashkët, Albert Alimuça, që ka një firmë ndërtimi në Tiranë, u organizua një takim me djalin e kryeministrit Shkëlzen Berisha. Ndërmjetësuesit përveç faktit se kërkoja takim me Shkëlzen Berishën nuk i kam bërë të njohur detajet apo arsyet e kësaj kërkese.
Gjithsesi, takimin e lashë të hapur në mënyrë që ku ndodheshin ata të shkoja dhe t'i takoja. Duke qenë se Albert Alimuça më tha se ishte me Shkëlzen Berishën para Korpusit të Universitetit të Tiranës, i thashë që më priste se për 5 minuta do shkoja aty. Jam takuar me Albertin i cili ishte ulur në makinën e tij tip fuoristradë dhe në vendin e shoferit, ndërsa Shkëlzeni ishte ulur në vendin e parë të pasagjerit.
U përshëndeta me ta dhe u futa në vendin e pasagjerit në pjesën prapa sediljes së shoferit dhe diagonal me sediljen e Shkëlzenit. Askush nuk doli nga makina. Aty dhe u konsumuan elementet e bisedës e cila konsistonte në atë që preferoj të them tekstualisht: "Shkëlzen kam qenë n/kontraktor i një firme amerikane që merret me blerjen e municioneve nga Shqipëria për në Afganistan.
Është bërë një takim sekret në mënyrë të paligjshme në një ambient civil jashtë Ministrisë së Mbrojtjes, ku prezent ka qenë Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, dy amerikanë dhe një person civil i moshës 27-30 vjeçar.
Thuhet se ky person mund të kesh qenë ti. Gjithashtu, kam një kasetë ku përmendet emri i juaj dhe i babait tënd në këtë kontratë". Kështu që i kam thënë, "më shiko në sy dhe më thuaj janë apo nuk janë të vërteta", pasi shumë shpejt vinin grup investigimi nga amerika për të hetuar këto fakte". Shkëlzeni më tha tekstualisht :
"Nuk jam në dijeni të asnjë lloj gjëje që po më parashtroni. Se ç'mund të bëjë ministri i Mbrojtjes, nuk e di dhe nuk dua t'ia di.
Për sa i përket emrit tim, jam i gatshëm të ballafaqohem me dy amerikanët që kanë qenë në atë takim dhe për t'u ballafaquar nëse jam apo jo unë personi me të cilin ata janë takuar". Duke parë sigurinë që ai shfaqte, unë i besova, i dhashë dorën dhe jemi ndarë.
Në mes të tetorit ka ardhur një gazetar i "NEË YORK TIMES" i quajtur Nicholas WOOD, i cili mori kontakt me mua në ambientet ku unë punoja në Tiranë dhe kërkoi të më intervistonte, lidhur me marrëdhëniet e mija mes "MEICO-s" dhe "AEY inc", gjithmonë nëse vazhdoja të isha n/kontraktor për paketimin e municioneve apo jo.
Të them të drejtën, u habita pak sepse nuk po e dija se nga e kishte marrë këtë informacion, numrin tim të telefonit etj. Gjithsesi gjatë takimit me të më intervistoi ku i tregova për atë që qysh nga mesi i muajit maj 2007, pra 6 muaj që isha shkëputur nga ajo kontratë.
Gjithashtu i kam treguar dhe proceset e punës dhe teknologjinë apo materialet e përdorura. I tregova dhe nja dy arka metalike dhe druri nga ato ku ishin paketuar fillimisht fishekët që unë i kisha rastësisht në magazinën time dhe më pas ato që paketoheshin nga ana ime.
Pra ekspozenë e punës dhe dokumentacionin tim mbi të cilin unë isha kontraktuar për të kryer këtë punë dhe asaj të largimit tim. Intervista ishte e thjeshte dhe pa detaje të konflikteve të mija me MEICO-n, pra jo emocionale.
Kur e pyeta gjatë këtij takimi për arsyet e intervistës, nga ai mësova se koloneli amerikan në Afganistan kishte pasur ankesa lidhur me cilësinë e paketimit të municioneve, në përmasat e një skandali pasi ndikonin edhe në cilësinë e municionit.
Ai më pyeti edhe se kush shoqëri merrej me paketimin e municionit në Shqipëri pas largimit tim. I kam thënë që mendoj se është ajo e Mihal Delijorgjit, por gjithsesi nuk jam i sigurt. Më pyeti se ku bëheshin aktualisht paketimet për t'i parë konkretisht proceset e punës dhe cilësinë e paketimit, por i thashë se realisht nuk e dija.
Gjatë momentit kur ai po mbaronte intervistën me mua, gazetarit apo kameramanit nuk e kujtoj, por ju bë një telefonatë dhe mbas kësaj telefonate ata ishin shumë të shqetësuar dhe u larguan nga zyrat e mia tek "Misto Mame".
Deri në këto momente nuk dija gjë. Pasdite, më kërkon në telefon një miku im, Arben Malaj, dhe më thotë që, "a ka mundësi të vish të pimë një kafe me Fatmir Mediun". Unë i thashë që po. U takuam të tre tek lokali poshtë shtëpisë së Fatmir Mediut, në një lokal bar-kafe përballë.
Në këtë takim, ministri Fatmir Mediu më thoshte pak a shumë: "Ti e di Kosta që pas takimit tonë, bëra ç'ishte e mundur për të sqaruar situatën, por më vjen çudi se përse një gazetar i "Neë York Times" të më vijë mua në zyrë dhe të më përmendë problemin e skandalit të ndalimit të tij në Itali dhe për problemet e paketimit për të cilat i dha sqarimet Pinari, ku e kishte sqaruar se nuk ishte më kompania ime por "Albademil" e Mihal Delijorgjit ajo që bënte tashmë paketimet.
Ndodhi një incident me të por t`i e di që unë kam qenë transparent me ty lidhur me sa ke kërkuar". Unë i thashë që edhe unë atë ditë paradite kisha pasur një intervistë me një gazetar të "Neë York Times", takim i kërkuar prej tij pasi nuk e njihja, por nuk e kuptoj ç'lidhje kam unë me incidentin e atij me ju si ministër, sepse unë isha pyetur thjesht për procedurën e paketimit të municioneve dhe faktit që kisha 6 muaj që nuk e bëja më unë atë punë.
Kështu u ndamë me njëri-tjetrin. Më vonë për incidentin mes Ministrit Fatmir Mediu dhe gazetarit Nicholas WOOD të "Neë York Times", kam mësuar nga kontakti shoqëror telefonik me gazetarin, i cili më tha se i kishin grabitur kasetën me intervistën e bërë prej tij në zyrën e ministrit Fatmir Mediu dhe se po bëheshin orvatje institucionale për të normalizuar këtë incident, por nuk më tha detaje se kuptohet që biseda ishte e shkurtër dhe nëpërmjet telefonit.
Mbas ardhjes së këtij gazetari të "Neë York Times", nga fundi i tetorit 2007 kanë ardhur në Shqipëri edhe një grup investiguesish amerikane të "Departamentit të Armatimit". Ata më pyetën për të gjitha rrethanat që nga angazhimi im si n/kontraktor, e deri në kohën e shkëputjes time nga ky biznes, që lidhet thjesht me paketimin e municionit në kuti kartoni.
Ata më kërkuan regjistrimin e bisedës së bërë mes meje dhe administratorit të shoqërisë amerikane "AEY inc", Efraim Diveroli që në fakt konfirmonin imponimin e strukturave shtetërore shqiptare në mënyrë abuzive, për të më nxjerrë mua nga paketimi i municionit, biznes të cilin në fakt unë e kisha me kompaninë amerikane dhe jo me atë shqiptare.
Një grup tjetër investiguesish amerikane, erdhën edhe një herë tjetër nga janari 2008, dhe morën kontakt me mua ku thjesht më kërkuan dokumentacionin origjinal, në bazë të një procesverbali të përbashkët për dorëzimin e specifikuar të këtij dokumentacioni.
Më datë 16 mars 2008, kisha prenontuar qysh para një jave, për të shkuar në Londër e më pas tek "Disney Land" në Paris dhe u ktheva me datë 31 mars 2008. Largimi im kishte të bënte me faktin se djali im që është në shkollën "Internacional Tirana School" kishte 2 javë pushime shkollore dhe për t'i bërë qejfin atij dhe ne si prindër.
PYETJET
Pyetje: Nisur nga fakti që sipas jush nga ana e MEICO-së ju hoqën në mënyrë jo ligjore nga paketimi i municionit luftarak që blihej nga "AEY inc", a u interesuat ju se kush ishte shoqëria tjetër që angazhohej me këtë punë dhe për arsyet që kompaninë tuaj dhe vetë ju, ju përjashtuan shumë shpejt si n/kontraktor dhe në mënyre arrogante apo abuzive?
K.Trebicka: Unë nuk kam mësuar nga ndonjë person për arsyet e largimit tim si n/kontraktor i "AEY inc", imponuar nga MEICO përfaqësuar prej Ylli Pinarit, sepse nuk më janë thënë kurrë. Unë bëj thjesht një deduksion logjik nisur nga momenti që më larguan dhe mënyra arrogante se si u materializua ajo.
Me këtë dua të them se unë jam larguar si n/kontraktor, vetëm pasi mësova se shitja mes MEICO-së dhe "AEY inc" bëhej me komisionar, duke ju ngritur dyfishin e çmimit në mënyrë krejt fiktive dhe për këtë kërkova që Kontrata të ishte drejtpërdrejt mes "AEY inc" dhe Meico-së pa ndërmjetësin "EVDIN".
Arroganca e drejtorit të MEICO-së Ylli Pinari, u bë më e drejtpërdrejtë pasi unë për këtë gjë vura në dijeni ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe kështu që kuptova se diçka jo ligjore kishte në këtë mes, ku unë nuk duhej të isha në dijeni, pasi mund dekonspiroja për sa kohë i gjithë municioni do paketohej nga shoqëria ime.
Pyetje: Nisur edhe nga disa publikime në media, ku është transkriptuar përmbajtja e bisedës së regjistruar mes jush dhe Efraim Diverolit, përmendet dhe emri i Henrich Thomet. Kjo le të kuptohet se bëhej fjalë për një person emri i të cilit ishte i njohur nga të dy ju si palë në bisedë. A mund të na thoni se nga e njihni ju emrin e këtij personi. A keni pasur ndonjëherë kontakte me të. Ç'dini për aktivitetin e këtij personi apo dhe të kompanisë së tij "Evdin Ltd"?
K.Trebicka: Unë nuk di asnjë gjë për këtë person, pasi nuk e kam takuar apo komunikuar me të kurrë. Emri i tij është përmendur thjesht në momentin kur Efraim Diveroli erdhi në Shqipëri në muajin Maj 2007 dhe në bisedë e sipër më tha se komisioneri quhej Heinrich Thomet.