Zgjedhjet, zyrtarizohet koalicioni i majtë, "Bashkimi për Ndryshim"
Partia Socialiste firmos marrëveshjen me tre partitë, PSD, PDS dhe G99. Theksohet nevoja për ndryshim
TIRANË- Partia Socialiste zyrtarizoi dje koalicionin parazgjedhor, "Bashkimi për Ndryshim", me 3 forcat politike të majta, PSD, PDS dhe G99. Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi dje, gjatë shpalljes së këtij koalicioni se, ata ishin mbledhur për të ndryshuar Shqipërinë.
"Ne jemi sot këtu, kur një tjetër mandat i politikës së vjetër të së shkuarës po mbaron me verbërinë e saj përpara plagëve të vendit, shurdhërinë e saj përpara të vërtetave të njerëzve, cinizmin e saj përpara aspiratës tonë të përbashkët për një Shqipëri si gjithë Europa.
Dhe kur një fushatë e re për një mandat të ri ka filluar, gjuhët e vjetra nuk po thonë dot asgjë të re, edhe pse koha për baltën dhe mllefin e vjetër ka mbaruar. Bashkimi ynë i ri përtej kufijve të vjetër të partive, nuk ka lindur për t'iu përgjigjur baltës me baltë dhe mllefit me mllef, por për t'i hapur krahët dashurisë dhe mirëkuptimit të të gjithë atyre që, njësoj si ne, duan një Shqipëri si gjithë Europa",- tha Rama.
Ai shtoi se, "ne jemi sot këtu, sepse nuk ka arsye të mos jemi aty ku na takon, në Bashkimin Europian, si qytetarë dhe qytetare të barabartë, të së njëjtës familje të madhe, në të njëjtën hapësirë ku Zoti zgjodhi që ne të lindim, dhe në të njëjtën hapësirë ku të parët tanë ëndërruan Shqipërinë Zonjë, që është e njëjta hapësirë ku duhet të ndërtojmë Shqipërinë e fëmijëve tanë, sepse atdheu është amaneti i të parëve, por edhe borxhi që u kemi fëmijëve".
Rama theksoi se opozita kërkon t'i japë fuqi ndryshimit që po vjen, duke u bashkuar për t'u dhënë zë shpresave, dhe politikës përmasën e ëndrrave të njerëzve të këtij vendi.
"Që Shqipëria të ndryshojë, politika duhet të ndryshojë. Që Shqipëria të jetë vendi i punës dhe i shpresës, politika duhet të nxitë punën dhe të ushqejë shpresën. Që Shqipëria të bëhet si e gjithë Europa, politika në Shqipëri duhet të bëhet si gjithë Europa",- tha ai.
Rama shtoi se është koha që çdokush që do ndryshimin e vendit dhe të jetës së tij në këtë vend, duhet të merret me politikë, jo për t'u bërë politikan, por për ta vënë politikën dhe politikanët në shërbim të tij.
"Ndryshimi që unë dua nuk është ndryshimi i një Kryeministri me një tjetër, i disa ministrave me disa të tjerë, për të vazhduar të njëjtin avaz të këtyre 18 vjetëve, gjatë të cilave pushteti në Shqipëri është ndërruar disa herë, në emër të së majtës dhe së djathtës, por Shqipëria ka mbetur peng i po të njëjtëve interesa, duke u lëkundur sa majtas djathtas, pa gjetur dot ekuilibër mbi një shtet që duhet t'u shërbejë të gjithë qytetarëve",- tha ai.
Partitë e vogla
Domosdoshmërinë e nevojës për ndryshim e kanë theksuar dje edhe krerët e partive të vogla në koalicion me PS-në. Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, deklaroi dje se ndryshimi duhet të jetë një realitet i prekshëm dhe jo një slogan.
"Është koha e njerëzve të guximshëm për të vepruar, e njerëzve që aksionin politik nuk e ndajnë nga veprat konkrete. Ndaj, sot, ne jemi këtu për të premtuar një qeverisje të aftë, nesër një qeverisje që do të ballafaqohet me problemet dhe shqetësimet e tyre, dhe jo një qeverisje, që do të jetë një rotacion i thjeshtë i pushtetit nga e djathta tek e majta",- tha Milo.
Ndërsa kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, theksoi gjatë fjalës së mbajtur se, rikthimi i së djathtës në pushtet, ishte rikthim prapa. "Bashkimi i djathtë është një bashkim i dështuar, ku KOP-istët janë zëvendësuar më Xhuvel-istët. Për ne, bashkime të tilla synojnë ndarjen e pushtetit dhe jo qeverisjen e vendit.
Bashkime të tilla të mbështetura mbi imoralitetin, nuk mund të zgjedhin një moral të ri",- tha Gjnushi. Kreu i G99-ës, Erion Veliaj, theksoi se koalicioni i ri për Shqipërinë, "Bashkimi për ndryshim", do t'u ofrojë gjithë shqiptarëve mundësi të barabarta, pas zgjedhjeve të 28 qershorit, në mënyrë që kushdo që është i aftë, të mund të ecë përpara, pavarësisht mbiemrit të tij, e pavarësisht lidhjeve që ka me pushtetin.