Studimet master, listat e fituesve javën që vjen
Javën që vjen në universitete do të shpallen listat e fituesve në programet master. Këtë pohojnë burime të sigurta nga Ministria e Arsimit. Bëhet fjalë për ciklin e dytë të studimeve, sipas Bolonjës, që do të zgjasë dy vjet dhe masterat e nivelit të parë që janë njëvjeçare. "Lista e fituesve do të afishohet pranë sekretarive mësimore të këtyre universiteteve dhe lista e plotë e të pranuarve do të afishohet në një vend të dukshëm në fakultet", sqaron MASH. Sipas këtij dikasteri, Fakulteti i Shkencave Sociale, ai i Historisë dhe Filologjisë, si dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja pritet t'i kenë gati listat e fituesve në fillim të javës që vjen. Vendimi i disa javëve më parë nga qeveria i detyron të gjitha departamentet universitare, që të paktën 30 për qind të studentëve të ciklit të dytë, të përzgjidhen nga degët e tjera universitare. Pra në bazë të këtij vendimi, jo më shumë se 7, në 10 studentë, do të përzgjidhen nga dega respektive e diplomimit. Aktualisht qeveria ka miratuar 77 diploma të nivelit të dytë dhe 46 mastera të nivelit të parë. Këto programe studimi kanë rreth 4110 kuota. Sipas udhëzimit të MASH, i nxjerrë disa muaj më parë, janë universitetet ato që përcaktojnë kushtet specifike të pranimit të studentëve, programet e studimit të ciklit të dytë. Për të fituar një diplomë të nivelit të dytë (DND), studenti duhet të grumbullojë 120 kredite. Për të fituar një diplomë të masterit të nivelit të parë (MNP), studenti duhet të ketë grumbulluar 60 kredite. "Ekuivalentimi i titujve të studimit të fituar jashtë vendit, me qëllim pranimin në programet e ndryshme të studimit të ciklit të dytë, bëhet nga institucionet e arsimit të lartë, duke respektuar aktet ligjore e nënligjore në fuqi, si dhe marrëveshjet ndërkombëtare", përcakton udhëzimi i ministrisë.