Heqja e TVSH-së së grurit asnjë efekt në çmime, ajo e miellit ulje me 20 %
Heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar për grurin që vjen nga importi nuk mund të ndihmojë në uljen e çmimit të bukës në vend. Sipas vlerësimeve, heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar për grurin do të sillte një ulje të çmimit të bukës, saktësisht me vetëm 3 lekë të vjetra për një bukë, çka do të thotë se praktikisht s’ka asnjë ndikim. Tatimi mbi vlerën e shtuar do të kishte efekt nëse do të hiqej vetëm për miellin. Drejtori i përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, thotë se çmimi do të ulej saktësisht me vlerën e TVSH-së, sepse prodhuesit e mëdhenj kanë rënë dakord për këtë gjë. Ata, në fakt, kanë rënë dakord për uljen e çmimit të bukës me po të njëjtën vlerë të TVSH-së dhe prodhuesit e tjerë të vegjël do të ishin të detyruar ta çonin çmimin në këtë nivel, për shkak të konkurrencës. Në tërësi, e gjithë vlera e tatimit mbi vlerën e shtuar që shkon në buxhetin e shtetit nga mielli është vetëm 20 milionë dollarë dhe nëse ajo do të hiqej, së paku deri kur të nisnin të korrat e këtij viti, vlera në buxhet do të ishte vetëm 6 milionë dollarë. Një problem që del në këtë mes është se, nga heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar nuk do të përfitonin një çmim më të ulët të bukës vetëm shtresat e varfra të popullsisë, por edhe të pasurit, pasi të gjithë do të blinin me të njëjtat çmime. Ndërkohë që edhe skema me kompensim, duke iu dhënë punonjësve buxhetorë një shtesë në paga, të barabartë me rritjen e çmimit të bukës, lë jashtë kompensimit të gjitha ato familje në nevojë që nuk janë punonjës buxhetorë ose nuk janë pensionistë. Kjo është një skemë e vështirë për t’u realizuar edhe për shkak të mundësisë së vogël të verifikimit të atyre që realisht janë shtresa në nevojë. Aktualisht, rezervat botërore në grurë janë më të dobëtat që prej shekujsh dhe kjo ka bërë që çmimet të jenë më të larta në tregun e huaj. Mundësia e një spekulimi nga ana e prodhuesve shqiptarë është mjaft e vështirë të zbulohet, sepse në fakt, gjasat që ajo të ekzistojë janë të vogla. Për më tepër, do të duhet kohë që Autoriteti i Konkurrencës të dokumentojë një fakt të tillë. Më së shumti, ka një frikë të prodhuesve, të cilët duke pritur akoma rritje të çmimeve të grurit dhe të miellit kanë nisur t’iu shtojnë çmimeve, ndoshta një dozë spekulimi. Megjithatë, masa me efekt të menjëhershëm, thonë vlerësimet, do të ishte heqja e TVSH-së së miellit për një kohë të caktuar dhe dëmi në buxhet do të ishte vetëm 6 milionë dollarë, praktikisht një shumë e papërfillshme për buxhetin.