Status quo-ja politikane në agoni
• Petrit VasiliBarak Obama iu drejtua në mënyrë shumë direkte amerikanëve dhe u kërkoi atyre mbështetjen për të ndryshuar status quo-në e gjërave në Amerikë. Dhe ky lajtmotiv politik i ka dhënë jo pak sodisfaksione atij dhe e ka çuar garën preliminare ndërmjet demokratëve për zgjedhjet presidenciale në Amerikë në kufijtë e paparashikueshmërisë absolute. Pra, status quo-ja e rrezikshme stanjante dhe mbytëse është për çdo shoqëri e shtet një nga sëmundjet vrastare nga të cilat ajo shoqëri apo shtet duhet të çlirohet sa më parë për të ruajtur ekzistencën e vet, por edhe për t'u dhënë zhvillimeve një sens, një arsye si dhe për t'u dhënë shumë shpresë dhe motive njerëzve, që ata të bëjnë ose të tentojnë të bëjnë më të mirën e tyre, duke vënë në lëvizje të gjithë energjitë dhe kreativitetin e tyre.Gjithçka në Shqipëri sot është qartësisht një përjetim i gjerë shumëformësh i agonisë që po përjeton status quo-ja politike dhe vendosja në kahe të kundërta e atyre që si obskurantiste të pandreqshëm urrejtjes së vërtetë të vendit të tyre, duan ta ruajnë atë dhe në krahun tjetër të një shumice dërmuese, ku shoqëria shqiptare, njerëzit e thjeshtë në përgjithësi, shoqëria civile, një pjesë e politikës dhe mendimi më i përparuar kërkojnë ta ndryshojnë sa më parë e ta shembin atë.Ngërçi i realizimit të reformave, së paku në dy fushat kryesore të targetuara si të tilla në drejtësi dhe në realizimin e reformës zgjedhore deri më sot, janë dy sheshe të vërteta beteje të luftës së dy kampeve, pra të mbrojtësve të maskuar dhe hipokrite të status quo-së dhe atyre që duan që realisht të realizojnë një ndryshim të thellë, rrënjësor dhe të qenësishëm.Të parët politikanë ose jo e kanë zhvendosur luftën për ndryshim dhe reforma në frontin e thjeshtëzimit të kësaj lufte dhe reduktimit të saj në një rishpërndarje kompetencash brenda një sistemi, që në thelbin e tij, sipas tyre, të mbetet po ai.Armiq të vërtetë të ndryshimit dhe duke pasur të huaja parimet e shëndosha që dalin mbi veten dhe interesin e ngushtë personal dhe partiak, këta shëmbëlltyra të ujërave të ndenjura prodhojnë gjithfarë sofizmash dhe duke luajtur pambarimisht "Kasandrën" po bëjnë të pamundurën për të asfiksuar e mbytur çdo ide për ndryshim. Shqipëria e deritanishme e mbetur në vend dhe e viktimizuar nga prapambetja dhe varfëria nuk i tremb ata, sepse oazi i vogël i pasurisë së tyre, shumica e të cilës e vendosur në mënyrë të paligjshme, u mjafton dhe sigurisht është arsyeja kryesore, sepse ata nuk e duan ndryshimin.Politika, e cila me rregulla meskine riciklon gjolin e ujit të ndenjur të saj si dhe gjallesat e saj brenda, i kënaq dhe u siguron në gjallim të mëtejshëm duke mos u bërë aspak vonë se nga ky gjol vjen një erë e rëndë antievropiane dhe mbyt e qelb mushkëritë e mijëra e mijëra të rinjve, që janë edhe e ardhmja dhe shpirti i vërtetë i Shqipërisë së shekullit të 21 që po rilind.Mbretër të zymtë të kombinacioneve alla "Rasputin", shumë personazhe të jetës politike e publike, sot po përpiqen që nëpërmjet një deti të tërë sms-sh të krijojnë një infrastrukturë personazhesh, nëpërmjet të cilës të realizojnë pseudomaxhoranca mendimi dhe ku në emër të të ashtuquajturës eksperiencë të gjatë politike e publike t'u shpjegojnë të tjerëve se gjërat janë mirë kështu siç janë dhe mjafton që t'i ndryshojmë sado pak ato dhe kjo mjafton. Duke filtruar të gjithë mendimin e tyre në filtrin e interesit të vogël partiak e personal, këta miopë mediokër të rrezikshëm janë të gatshëm të mbajnë për fyti të gjithë shansin e madh të Shqipërisë, për të bërë hapin e madh të integrimit në NATO, duke menduar me një ligësi tragjike se do të jemi aq ustallarë sa t`ua hedhim fajin të tjerëve, sepse ne po bëjmë sikur tregojmë vullnet hipokrit politik të bollshëm.Përkundrejt një vullneti të tillë mashtrues dhe dëmsjellës ka një vullnet të madh, i cili është masiv, i fuqishëm dhe qartësisht i artikuluar. Eshtë dëshira e jashtëzakonshme për ndryshim me çdo mjet, me çdo kusht dhe me çdo lloj çmimi. Eshtë e qartë se ky vullnet i mirë integrues dhe evropian ka një mbështetje shumë të gjerë në opinionin publik dhe të asaj pjese të politikës, e cila që në krye të herës e ka bërë zgjedhjen e saj e ku ndoshta si askush tjetër, LSI e ka bërë këtë duke dhënë për herë të parë dhe të vetme shembullin, që në 3 korrik të 2005 nuk bashkëjetonte dot me status quo-në dhe ishte e gatshme të paguante shumë edhe nga vetja në emër të ndryshimit të madh.Sot nuk ka më dilema; duhet një drejtësi që e gëzon besimin e qytetarëve, jo e korruptuar dhe me njerëz të kualifikuar, që shërbejnë në të e ku politika duhet t'i mbajë duart larg, thjesht ajo të funksionojë si një pushtet i pavarur, ashtu siç funksionon gjithkund ku mbretëron qytetërimi dhe jo diktatura.Pushtetet e prodhuar nga vota duhet të jenë të vërteta dhe prandaj duhet më në fund që shqiptarëve t'u numërohet vota siç e hedhin atë, pra të mos u vidhet më vullneti si dhe çdo shqiptar të dijë se sa peshon realisht çdo forcë politike, e të mos ketë më produkte partish politike që prodhohen në serat e "dushkut" e që deformojnë vetë arsyen dhe mënyrën e ekzistencës së shtetit vetë.Sigurisht që status quo-ja e një sistemi drejtësie të pabesueshëm dhe të korruptuar lufton egër me drejtësinë e re, të pavarur dhe profesionale që duam të ndërtojmë. Po kështu ndeshet edhe vullneti i vjetër i politikës së keqe për të vjedhur e tjetërsuar votën me atë të pacenueshmërisë së votës.I gjithë presioni pozitiv i shumicës së shqiptarëve dhe përfaqësuesve të politikës së mirë, do të shtyjë gjithnjë e më në periferi ata që do të duan të mbajnë ekuilibrat e vjetër dhe që si të tillë janë të pashpresë dhe nuk mund ta shpëtojnë me agoninë e status quo-së që po jep shpirt.