E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali i diplomave, arrestohet i treti

• Arrestohet personi i tretë për skandalin e diplomave false të Universitetit të Elbasanit.ELBASAN / ALDO KOZARJANjë sekretar komune në Shezë të Peqinit u vu në pranga mbrëmjen e së enjtes, me akuzën e falsifikimit të diplomës së shkollës së lartë. Fatos Tabaku ka qenë një ndër personat, të cilët janë verifikuar si të dyshuar për sigurimin e një prej 60 diplomave false të marra që nga viti 2000 deri në vitin 2007. Ndonëse nuk është ulur asnjëherë në auditoret e universitetit, ai rezulton i pajisur me një diplomë, sipas së cilës ka përfunduar arsimin e lartë, për Cikël të Ulët, gjatë 10-vjeçarit të fundit. Burime të policisë bëjnë të ditur për gazetën se tashmë të gjitha rastet janë në verifikim e sipër nga ana e këtij institucioni, i cili po bashkëpunon me organet e tjera për të zbardhur të gjithë listën me përfituesit e diplomave. Vetëm pak javë pasi Drejtoria e Policisë së Elbasanit bëri publike se janë duke u verifikuar më shumë se 60 diploma të nxjerra në mënyrë ilegale nga universiteti, tashmë pohohet se numri i diplomave që janë duke u verifikuar nga ana e sektorit të Krimit Ekonomiko-Financiar arrin deri në 125 copë. Në të gjithë këto dokumente po verifikohet nëse korrespondojnë apo jo me numrat e amzës të regjistrave në fakultetet e ndryshme të universitet "Aleksandër Xhuvani". Ndërkohë, burime të këtij sektori tregojnë dhe rrugën se si ka funksionuar marrja e një diplome false. Mjafton të paguaje 5 mijë deri në 8 mijë euro në dorë dhe t'i çoje emrin me sms sekserit dhe i interesuari bëhej menjëherë me arsim të lartë. Në lidhje me vendin se nga kanë dalë diplomat, mësohet se aktualisht sektori i Krimit Ekonomik ka dy pista: Sipas të parës, diplomat janë vulosur nga vetë stafi i universitetit, të cilët kanë shfrytëzuar pozicionin e tyre për të bërë pajisjen e të interesuarve. Pista e dytë është ajo e kopjimit të diplomave nga persona të ndryshëm. Hetimet për këtë çështje po vazhdojnë, ndërsa i vetmi fakt që dihet është se 57 persona të tjerë po qëndrojnë në pozicione të ndryshme të administratës shtetërore, pasi janë pajisur me diploma të fakulteteve të ndryshme. Gjithashtu mësohet se prefekturat ku përdoren sot këtë diploma të falsifikuara janë ato të Elbasanit, Shkodrës, Durrësit, Kukësit, etj.Precedenti 1Një javë më parë, një arsimtar nga fshati Nikaj, i komunës Shalë në rrethin e Shkodrës u vu nën hetim nga policia e qarkut me akuzën e falsifikimit të diplomës. Sipas të dhënave, ai kishte shfrytëzuar këtë dokument të rëndësishëm arsimor për të zënë vendin e punës. Burime nga Prokuroria e Rrethit të Shkodrës thanë  se Gjelosh Çardaku, 59 vjeç do të hetohet në gjendje të lirë. Ai akuzohet të ketë përdorur një diplomë të falsifikuar të universitetit "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan.Precedenti 2Më 22 janar u vu në pranga drejtori i shkollës 9-vjeçare në fshatin Picrrak të Krujës, me akuzën e falsifikimit të diplomës së shkollës së lartë. Emrullah Çitozi, 56 vjeç, sipas burimeve të policisë ka paraqitur dokumentin fals, në bazë të së cilit kishte përfunduar studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji në Universitetin e Elbasanit. Por, nga hetimi ka rezultuar se numri i amzës nuk korrespondonte në realitet me atë të diplomës së tij. Çitozi ishte emëruar në këtë detyrë prej rreth 2 vitesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›