Mamurras, e prek me bërryl, plagoset i riu
• MAMURRAS - Një përplasje më bërryl në mes të tregut të fruta-perimeve shkakton plagosjen e një 27-vjeçari në Mamurras.Bendin Blina, sipas policisë është qëlluar me armë zjarri nga Rasim Milla mesditën e djeshme. Ngjarja ka zënë fill në kohën kur autori, bashkë me të bijën ndodheshin në treg dhe i riu ka prekur në bërryl atë. Ndonëse i ka kërkuar falje për veprimin, Milla ka vazhduar debatin, deri në sherr në mes të dëshmitarëve të shumtë. Pas grindjes, ai është nisur drejt shtëpisë, ku ka marrë pistoletën dhe i ka kërkuar të vëllait, Kujtim Millës ta shoqëronte. Në hyrje të qytetit i kanë zënë pritë 27-vjeçarit, të cilin e kanë qëlluar me grushte. Në kohën kur ai ka dashur të largohet, Rasim Milla e ka qëlluar me pistoletë. Persona të rastësishëm kanë ndërhyrë, duke penguar autorin të qëllonte më tej. I plagosuri është dërguar në gjendje të rëndë në spital, ndërsa policia ka mundur të arrestojë Rasim Millën, ndërsa shpalli në kërkim të vëllanë. r.n