“Heqja e imunitetit, domosdoshmëri për të luftuar korrupsionin”

Ambasadori amerikan përkrah nismën e kryeministrit Berisha, kritikon qendrimet e opozitës Ambasadori i SHBA-ve, John Withers rithekson nismën e kryeministrit Berisha, për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Duke e konsideruar si jetike luftën ndaj korrupsionit, Withers konsideron si domosdoshmëri miratimin në parlament të ligjit për kufizimin e imunitetit Shtetet e Bashkuara të Amerikës aprovojnë nismën e shumicës parlamentare, për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë në vend. Ambasadori amerikan akredituar në Tiranë, Xhon Whithers i ftuar në një konferencë për integrimin ka përcjellë një mesazh të qartë politikës, porsa i përket imunitetit parlamentar, tek i cili sipas tij nuk duhet të gjejnë mbrojtje zyrtarë që janë nën hetim. “Imuniteti nuk duhet të sigurojë strehë për ata që përballen me masa ligjore dhe janë në ndjekje penale. Gjithashtu ai nuk duhet të jetë një mundësi për të mbrojtur atë që është fajtor dhe personat në pozita drejtuese”, u shpreh Withers, duke atakuar opozitën, për faktin se, mos kthimi i saj në parlament, përpos draftit ligjor për imunitetet mban peng edhe shumë projekt-ligje të tjera. Diplomati i SHBA-ve theksoi se parlamenti është vendi i reformave dhe për këtë duhet angazhimi i të gjithëve. Duke mbështetur idenë e kryeministrit Berisha për shembjen e murit të imunitetit, Withers tha se, “ky është një detyrim që nuk duhet të minojë besimin e qytetarëve për integritetin e sistemit politik e gjyqësor”. “Kryeministri bëri përpjekje të mëdha që të shembet muri i imunitetit. Ne shpresojmë që, qëllimet e tij të bëhen realitet në një të ardhme të afërt”, tha Withers. Diplomati amerikan tha gjithashtu se miratimi i këtij ligji të rëndësishëm kërkon në tërësi vullnetin e të gjitha palëve politike. Nisur nga ky fakt, Withers theksoi se prania e opozitës në sallën e kuvendit dhe angazhimi i saj në kufizimin e imunitetit, do të jenë rezultative për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj, duke sfiduar një betejë të vështirë, si ajo në luftën kundër korrupsionit. Kuvendi i Shqipërisë, në mënyrë të qartë ka shprehur vullnetin për kufizimin e imunitetit. Shumica parlamentare dhe kryeministri Sali Berisha, janë shprehur se, ky vullnet duhet të konkretizohet në miratimin e amendamenteve kushtetuese, të cilat t’i përgjigjen standardeve evropiane në trajtimin e çështjes së imuniteteve.
Ilir Meta siguron ambasadorin Withers për çështjen e imunitetit - “Mazhoranca është e gatshme, duam konsensusin e opozitës”
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, garantoi dje se mazhoranca parlamentare është e gatshme të realizojë nismën e kufizimit të imunitetit, për zyrtarët e lartë. Këtë deklaratë Meta e bëri vetëm pak minuta pasi ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, tha se heqja e imunitetit është një detyrim. Shefi i diplomacisë shqiptare siguroi se nga ana institucionale shumica është e gatshme, mirëpo për këtë duhet edhe mirëkuptimi i palës opozitare që momentalisht ka bojkotuar punimet e parlamentit. “E përshëndes deklaratën e ambasadorit Withers, për kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë. Dua t’ju siguroj se ne jeni të hapur në çdo moment ta realizojmë edhe nga pikëpamja institucionale, por për këtë duhet edhe mirëkuptimi i opozitës, sepse është një veprim shumë i rëndësishëm. Ne çdo moment që opozita do te jete gati dhe do te jape mbështetje për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, jam absolutisht i sigurtë që mazhoranca do ta avancojë këtë proces, pasi ka shprehur vullnetin e saj për t’i hapur rrugë drejtësisë për çdo çështje që ka të bëjë me hetimin e cilitdo, përfshi edhe ata që gëzojnë sot imunitet”, u shpreh ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Por, duke ditur që opozita shqiptare është drejt rruge gjithmonë e më të gabuar, në dukje është e vështirë, por jo e pamundur, miratimi i ligjit, për kufizimin e imunitetit. Presioni i ndërkombëtarëve sa vjen e rritet, por nga ana tjetër, Edi Rama, në bashkëpunim me 5 persona të tjerë jo parlamentarë, si Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Spartak Ngjela, Erjon Veliaj etj., kanë vendosur të bllokojnë hyrjen në parlament të deputetëve të Partisë Socialiste. Në këto kushte, miratimi i ligjeve të rëndësishme, si në rastin konkret kufizimi i imunitetit të zyrtarëve të lartë, e bën të pamundur pa konsensusin e palës opozitare, për shkak të kuorumit të nevojshëm të votave, për të cilën duhen 84 të tilla.
...