E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkesa e Edvinit në Kushtetuese, jolegjitime, pasi socialistët ende nuk kanë marrë mandatet e deputetit

Gjykata Kushtetuese ka gati vendimin ndaj ankimimit të përfaqësuesve të opozitës, lidhur me çështjen e kufirit Shqipëri-Greqi. Ky konfirmim jepet për një rrjet televiziv të Tiranës (alsat tv) nga burime konfidenciale pranë kësaj gjykate, ku me shumë gjasa Gjykata Kushtetuese mund të mos pranojë kërkesën e depozituar në 20 tetor nga gjashtë parti politike.
Burime konfidenciale shpjegojnë se bazuar në nenin 134 të Kushtetutes, pika “f”, partitë politike dhe shoqatat mund të legjitimohen si subjekte për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, por vetëm te çështje që lidhen me interesa te tyre.
Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj të datës 10 tetor 2007 dhe 25 korrik 2008 ka interpretuar të drejtën e subjekteve, referuar nenit 134 të Kushtetutës për të vënë në lëvizje gjykatën.
Në këtë vendim thuhet shprehimisht se, “interesi duhet të jetë i drejtpërdrejtë, vetjak dhe i argumentuar”.
Gjashtë partitë politike vështirë se i legjitimohen gjykatës për rrëzimin e marrëveshjes. E vetmja mënyrë e sigurtë që kjo marrëveshje të gjykohet në Gjykatën Kushtetuese është 1/5 e deputetëve, 28 deputetë, por kjo gjë do të ndodhë nëse opozita do të ishte në Parlament dhe deputetët do të bënin betimin.
Pa hyrë në Parlament dhe pa bërë betimin, ata janë thjesht të zgjedhur nga populli, pasi në të kundërtët Kushtetuta nuk do të kishte parashikuar betimin.
Mos hyrja në Parlament ka nxjerr jashtë loje PS-në edhe në Gjykatën Kushtetuese, duke qenë se pesë partitë e tjera nuk kanë asnjë deputet.
I vetmi deputet i opozitës me mandat Vangjel Dule, është shprehur kundër ankimimit të marrëveshjes. Gjykata pritet që deri në 19 nëntor të shprehet nëse do e pranojë kërkesën dhe ta kaloje atë për gjykim, apo ta rrëzojë, pasi subjektet nuk legjitimohen si kërkues.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›