OSBE, BE dhe SHBA njohin zgjedhjet, mbyllet kapitulli i shumëdiskutuar

Ministri i Jashtëm Ilir Meta përshëndet deklaratën e përfaqësuesve ndërkombëtarë
Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, interpretoi dje deklaratën e përfaqësuesve të BE dhe SHBA-së në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, duke përshëndetur vlerësimet që u konstatuan mbi situatën politike në Shqipëri. Shefi i diplomacisë shqiptare tha se përfaqësuesit ndërkombëtarë vlerësojnë procesin e zgjedhjeve dhe inkurajojnë qeverinë për progres të vazhdueshëm në të gjitha fushat
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, përshëndeti dje deklaratat e fundit të ndërkombëtarëve mbi situatën në Shqipëri. Gjatë një konference për shtyp, shefi i diplomacisë shqiptare, shprehu dëshirën dhe vlerësimin për vëmendjen dhe seriozitetin me të cilin Këshilli i Përhershëm i OSBE-së dhe Prania e OSBE-së në Shqipëri ndjekin dhe diskutojnë zhvillimet në vendin tonë.
“Në deklaratën e Ambasadorit Bosch e një dite më parë në mbledhjen e Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, vlerësohen dhe evidentohen arritjet e Shqipërisë në të gjitha fushat e mandatit të Pranisë, arritjet në procesin e integrimit euro-atlantik të Shqipërisë, në përgjithësi, si dhe në veçanti zhvillimi i zgjedhjeve të 28 qershorit, të cilat shënuan progres të prekshëm dhe realizuan shumicën e angazhimeve të OSBE-së”, u shpreh Meta. Gjithashtu ministri Meta përshëndeti njëkohësisht deklaratën e bërë në emër të Bashkimit Evropian nga përfaqësuesi i Presidencës Suedeze në Këshillin e Përhershëm, ku shprehu kënaqësinë për zhvillimet inkurajuese në Shqipëri gjatë vitit 2009, në avancimin pa pengesa të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si dhe zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit”, u shpreh meta.
Është për tu theksuar dhe vlerësuar deklarimi i përfaqësuesve ndërkombëtarë se Kuvendi i Shqipërisë mbetet institucioni kyç për avancimin e reformave dhe zhvillimin e jetës politike në vend. Dëshiroj të përshëndes vlerësimet pozitive të deklaratës së Përfaqësuesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku vlerësohen arritjet e rëndësishme të Shqipërisë në procesin e saj të integrimit Euro-Atlantik - përfshirë anëtarësimin në NATO, aplikimin për tu anëtarësuar në BE dhe përmirësimet e prekshme në zgjedhjet e 28 qershorit”, deklaroi Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta.
Në vijim ai citoi dhe deklaratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku theksohet se, pavarësisht klimës ekonomike globale, Shqipëria tërheq investime të huaja në rritje, ka avancuar në procesin e privatizimit dhe vërehen përmirësime të mëtejshme në klimën e biznesit, ashtu sikurse është theksuar nga Banka Botërore dhe institucione të tjera ndërkombëtare.
“Sipas gjykimit të SHBA-ve, këto janë arritje që meritojnë vlerësim”, tha Meta.
Një vlerësim të veçantë, tha Meta, bërë në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, është ajo për politikën rajonale të Shqipërisë, si politikë e rëndësishme në funksion të paqes dhe stabilitetit në Ballkan.
Në përfundim, ministri i Jashtëm, bëri me dije se qeveria është plotësisht e angazhuar për të adresuar të gjitha rekomandimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të arrihen në tërësi standardet më të larta.
“Përfitoj nga ky rast për të shprehur angazhimin dhe përkushtimin e palëkundur të Qeverisë së Shqipërisë për të adresuar të gjithë problematikën që ngrihet në qëndrimin e partnerëve tanë, si dhe angazhimin tonë të plotë për të adresuar të gjitha rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-it, për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, me qëllim që zgjedhjet e tjera të jenë plotësisht të standardeve më të larta evropiane”, garantoi ministri i Jashtëm, Ilir Meta.