E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqitja e tokës alarmon lagjen "Muzakaj"

Kanë kaluar vetëm 48 orë nga konstatimi i fenomenit të rrëshqitjes së dheut dhe dëmtimit të dy banesave private në periferi të lagjes "Muzakaj" dhe frika ka pushtuar tërë lagjen. Burime pranë Bashkisë së Beratit thanë dje për gazetën "Shqip", se deri në mesditë janë evidentuar të shembura vetëm dy banesa, të cilat janë vlerësuar plotësisht të pabanueshme. Ndërkaq ekspertët vendas vlerësojnë se fenomeni i rrëshqitjes së tokës po avancon në mënyrë të pakuptueshme dhe se nuk mund të parashikohen pasojat e saj. Edhe gjatë ditës së djeshme, në vendin e ngjarjes kanë shkuar specialistë të emergjencave civile në bashki, në Institucionin e Prefektit të Qarkut dhe në Këshillin e Qarkut, të cilët kanë inspektuar edhe me imtësi zonën dhe kanë vlerësuar përmasat e saj. Burime të bashkisë shpjegojnë se gjatë ditës së djeshme janë parë të tjera krisje të tokës dhe të banesave të tjera të ngritura me atë zonë, që ka strukturë të paqëndrueshme sizmologjike. Sipas tyre, nëse kjo rrëshqitje nuk do të frenohet, në rrezik shembjeje janë edhe rreth 7-8 banesa të tjera private një dhe dykatëshe. Të njëjtat burime sqaruan se kryebashkiaku i Beratit, Fadil Nasufi, ka nisur një faks urgjent drejt institucioneve qendrore, ku i ka njoftuar për fenomenin dhe pasojat e para të tij. Veç kësaj, ai ka shpjeguar se mund të kemi të bëjmë me një katastrofë të vërtetë, ku mund të dëmtohen edhe banesa të tjera dhe të rrezikohet seriozisht jeta e disa dhjetëra banorëve të lagjes. Nëpërmjet faksit urgjent, Nasufi u ka kërkuar drejtuesve të lartë të shtetit, dërgimin e ekipeve të specializuara për verifikimin e situatës në vend dhe marrjen e masave për frenimin e fenomenit të rrëshqitjes, vlerësimin dhe përkufizimin e zonës së rrezikshme, largimin e familjeve nga banesat e tyre në këtë zonë të frikshme, si dhe dëmshpërblimin e pronarëve të tyre të ligjshëm. Nga ana tjetër, bashkia e qytetit u ka ardhur në ndihmë dy familjeve të para fatkeqe, banesat e të cilëve janë jashtë përdorimit, duke u afruar nga një milion lekë për pagesën e qirasë vjetore, të banesave të tjera ku ato mund të strehohen përkohësisht, por dhe ka marrë masa për largimin dhe moslejimin e familjeve të tjera të rrezikuara të rrinë në shtëpitë e tyre, deri në një kohë të dytë. Por duket se frika dhe paniku nga rrëshqitja e tokës në pjesën e sipërme të faqes jugore të Kodrës së Kalasë ka përfshirë instinktivisht disa dhjetëra familje që banojnë poshtë saj. Banorë të lagjes thanë dje për gazetën, se zona ku është shfaqur rrëshqitja e tokës, është e paqëndrueshme dhe në përmasa të mëdha dhe se për shkak të pjerrësisë së kodrës, avancimi i mëtejshëm i kësaj rrëshqitjeje mund të dëmtojë të gjitha banesat e vjetra që ndodhen poshtë saj.

M.Haxhialiu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›