Heqja e mandatit të deputetit Ilir Beqja - Kushtetuesja zbardh vendimin
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin me të cilin i hoqi mandatin deputetit të Partisë Socialiste Ilir Beqja. Sipas vendimit të gjykatës Kushtetuese, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, nuk duhet dhe nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore apo fitimprurëse me përjashtim të të qenit anëtar i Këshillit të Ministrave.
Sipas Kushtetueses, çdo veprimtari tjetër shtetërore apo private bie ndesh dhe është në konflikt me mandatin e deputetit. Heqja e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste të qarkut të Shkodrës u kërkua nga një grup deputetesh të PD- së të cilët duke iu referuar nenit 70 pikës 3 të Kushtetutës argumentuan se një deputet nuk mund të përfitojë fonde publike. Sipas mazhorancës Beqja kishte shkelur ligjin dhe Kushtetutën, duke përfituar 24 milionë nga Bashkia Durrës, ndërsa kishte mandat që prej 1 gushtit 2009.
Sipas argumenteve të paraqitura nga mazhoranca rezultoi se deputeti Ilir Beqja, pasi kishte marrë mandatin e deputetit nga KQZ, kishte përfituar nga Bashkia Durrës tenderin me 97.7% të vlerës së fondit limit dhe se vetë Beqja në shoqërinë përfituese të tenderit në fjalë kishte qenë aksioner me 51% të aksioneve.