E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e pagave dhe e pensioneve, fryt i reformave ekonomike

05-07-2011 / Gazeta 55

Kreu i qeverisë premton vazhdimësi në vendimin politik për rritjen e pagave dhe të pensioneve, duke konfirmuar nivelin solid të ekuilibrave makroekonomikë të vendit, megjithë shpifjet fataliste me shembuj grekë që ndërmarrin “kallogjerët” e Edvinit

Edhe dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, temë kryesore ishte rritja e pagave dhe pensioneve, një zotim ky i mbajtur nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj në këto 6-vitet e fundit. Ligji për buxhetin pritet të kalojë në Parlament brenda këtij sesioni, ku edhe do të miratohen ndryshimet që garantojnë rritjen e pagave dhe pensioneve si dhe mbajtjen e një politike ekonomike konstante. Kryeministri Sali Berisha, si iniciatori kryesor i rritjes së përvitshme të pagave dhe pensioneve tha dje para deputetëve demokratë se “kjo është një maratonë e Qeverisë shqiptare që do vijojë edhe për vitet e ardhshme”. Sipas kryeministrit Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që ka rritur me 120% pensionet dhe pensionet që nga viti 2006 si dhe ka dyfishuar ndihmën ekonomike. “Kryefjalë e kësaj mbledhje nuk mund të jetë tjetër përveç se ligji për buxhetin që vjen në Parlament, për të miratuar nga ju ndryshimet e domosdoshme që garantojnë rritjen e rrogave dhe pensioneve, politikë konstante, zotim i mbajtur nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj gjatë gjashtë viteve të fundit. Në Shqipëri ka një maratonë të vërtetë dhe kjo maratonë ka qenë rritja e rrogave dhe pensioneve, rritje e cila i ka tejkaluar të gjitha parashikimet, rritje e cila u shpall si parim kryesor i platformës sonë në një kohë kur ekonomia botërore dhe evropiane ishte në ditët më të mira të saj, në ditët më të mira të dekadave, por që u mbajt me vendosmëri të madhe nga ne edhe në vitet e krizës më të thellë që Evropa dhe bota ka njohur që nga vitet ’30 të shekullit të kaluar e deri më sot. Kjo politikë ka pasur efektet e veta të mëdha në performancën e administratës shtetërore. Sisteme të tëra të kësaj administrate dhe të shtetit ishin në degradim të vërtetë. Sot janë në konsolidim të vërtetë. Sot në Shqipëri nuk ka asnjë arsimtar që dëshiron të largohet nga arsimi, sepse marrin 115 apo 120 përqind më shumë seç merrnin në vitin 2005. Sot pensionistët shqiptarë kanë konstatuar se kjo parti, maxhoranca dhe aleatët e saj, kanë një ndjeshmëri të madhe ndaj halleve, derteve, vuajtjeve dhe dhembjeve të tyre të përditshme. Jashtë çdo lloj politizimi, sot kjo është mazhoranca e vetme në Evropë që në një hark kohor gjashtë vjeçar ka rritur me 115 – 120 përqind pensionet e ulëta; dy vjet më parë ka vendosur pensionin e plotë në qytet mbi 100 dollarë dhe ka mbidyfishuar ndihmën ekonomike. Kjo është politika më aktive që një vend mund të ketë ndjekur në pagat dhe pensionet e tij”- u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë tha se përballë krizës më të egër evropiane, ekonomia shqiptare ia doli të mbetej e paprekur dhe të vazhdonte turravrapin esaj. “Natyrisht, vitet e krizës evropiane dhe kriza e thellë evropiane nuk është se nuk ka pasur pasqyrimin e saj. Ekonomia shqiptare, e cila filloi të rritej me shpejtësi i ndjeu pasojat e kësaj krize, por nuk ra asnjëherë në recesion, nuk e njohu atë”- tha ai.
Në katër vite të ardhurat buxhetore nga taksat dhe tatimet pothuajse u dyfishuan. Nga 97 miliardë lekë ato arritën në 188 miliardë lekë në vitin 2009 dhe tani kanë tejkaluar shumë më tepër atë nivel. Në gjashtë vite eksportet e vendit trefishohen në saj të reformave të thella e të ndershme ekonomike, të cilat kanë bërë që ekonomia shqiptare të funksionojë. Berisha konstatoi se ky vit mbyllet me trefishim të eksporteve krahasuar me gjashtë vjet më parë. Sipas kryeministrit trefishimi i eksporteve, kjo rritje tre herë e mallrave që eksportohen, përbën dëshminë më të fuqishme të suksesit të modelit tonë ekonomik.
“Kjo rritje të ardhurash, shoqëruar nga një rënie drastike e taksave, është një tjetër dëshmi madhore e funksionimit të modelit tonë ekonomik. Ka një gjallërim dhe vazhdon gjallërimi i bizneseve në të katër anët e vendit. Investimet e huaja janë në rritje dhe po rriten ndjeshëm. Sipas të gjitha statistikave, papunësia po bie. Sistemi bankar funksionon me një rritje dyshifrore të kursimeve dhe rritje shumë të rëndësishme të kreditit. Pra të gjitha këto janë dëshmi të një modeli që i rezistoi krizës më të egër. Atyre që duan të thonë se ekonomia shqiptare nuk është kaq e lidhur me ekonominë evropiane, unë, miqësisht, u sugjeroj që tu referohen statistikave shqiptare dhe evropiane që është një ekonomi, e cila importon dhe sot ka një disbalancë të thellë tregtare. Pra jo globale, por është hiperglobale. Kjo është ekonomia më e hapur në ligje, në parime, në barriera dhe në çdo gjë. Por është ekonomi kompetitive. Është ekonomi, të cilën sistemi fiskal i vendosur e ka bërë Shqipërinë një nga vendet më tërheqëse. Është ekonomi kompetitive, sepse zhdukja e të gjitha barrierave burokratike dhe zvogëlimi i tyre ka krijuar një klimë miqësore për biznesin, ka krijuar një klimë miqësore për investimet e huaja. Ekonomia shqiptare, sigurisht, ka atë peshë që mund të ketë Shqipëria në ekonominë evropiane, por është më e hapur ndaj saj se çdo ekonomi tjetër. Afro 70 – 80 përqind e të gjitha shkëmbimeve tregtare ekonomia e Shqipërisë i ka me vendet më të zhvilluara të Bashkimit Evropian. Kjo është e vërteta. Ndaj dhe falë këtij modeli ekonomik Shqipëria i përmbahet plotësisht objektivave të saj në rritjen e rrogave, pensioneve, në projektet më ambicioze në historinë e vendi, në infrastrukturë. Kur ne deklaronim se kemi mbledhur në arkën e shtetit nga taksat dhe tatimet 5.2 miliardë dollarë më shumë se paraardhësit tanë për të njëjtën periudhë dhe se këto i shndërruam në mijëra e mijëra kilometra rrugë, i shndërruam në mijëra shkolla, qendra shëndetësore, spitale, kanalizime, ujësjellës, të tjerët përtonin të shtynin imagjinatën e tyre drejt këtyre projekteve, të cilat janë çdo ditë realitet, flisnin për krizë. Ata bën përpjekje të shpallnin me çdo kusht ekonominë shqiptare ‘të sëmurë imagjinare’. Faktikisht realiteti ishte tjetër, nga më pozitivët. Realiteti është se kjo performancë ka bërë të mundur një Shqipëri tjetër sot, ka bërë të mundur vazhdimin e projekteve ambicioze. Janë asfaltuar mbi 8 mijë kilometra rrugë, por janë mijëra të tjera në asfaltim e sipër. Ne po ndryshojmë me shpejtësinë më të madhe Shqipërinë, e cila në tërësinë e saj, në rrafsh me infrastrukturën, ka pasur një trashëgimi pothuajse mesjetare. Shqipëria ishte një vend që trashëgonte vetëm 2400 kilometra rrugë të asfaltuara”- tha kryeministri.

Kallogjerët e krizës e çuan deficitetin buxhetor në 72%, ne do e mbajmë në 59%

Shefi i ekzekutivit Sali Berisha garantoi sërish dje se rritja e fundit e pagave dhe pensioneve nuk do të çojë në rritjen e deficitit buxhetor dhe borxhit publik. Sipas kryeministrit kallogjerët e krizës kanë tentuar që të keqinformojnë qytetarët si dhe për të nxirë reformat ekonomike duke e shpallur Shqipërinë se e pret kriza greke. “Përkundër këtij realiteti kanë qenë edhe vajet e kallogjerëve të krizës. Një përpjekje tërësisht e pabazuar, e bazuar në keqdashje dhe padije për të nxirë, për të paraqitur realitetin ekonomik të Shqipërisë ashtu sikundër nuk ishte. Kjo deri në ditët e fundit kur dolën dhe shpallën se Shqipërinë e pret kriza greke. Një keqdashje dhe zemërligësi e shkallës më të lartë, për të mos thënë pastaj pa-dije e plotë për ekonominë, financat dhe zhvillimet e sotme. Është për të ardhur keq që këtë e bën opozita, e cila ka pasur me dhjetëra zyrtarë në financa, ekonomi dhe sektorë të tjerë. Por, e theksoj edhe njëherë, opozita e miliarderëve është opozitë me defekt. Është me defekt pasi komunikimi me realitetin është gjëja më e vështirë për të. Nuk mund ta prekin, nuk mund ta ndjejnë, nuk mund ta shohin, nuk mund ta përjetojnë”- tha kryeministri duke theksuar se opozita shpalli kriminale rritjen e pagave dhe pensioneve si dhe e akuzoi atë se nuk e njeh realitetin. “Në qoftë se ndjek realitetin nuk mund të dalësh kundër e të shpallësh vepër kriminale rritjen e rrogave dhe pensioneve, në një kohë kur sado janë rritur të gjithë e meritojnë t’i kenë më të larta se kaq dhe kjo për punën, për mundin, për djersën, për kontributin, për përkushtimin që kanë dëshmuar. Nuk mund të kërcënosh dhe të bësh fjalë për krizën e borxheve të Greqisë apo vendeve të tjera në një kohë kur borxhi i këtij vendi ishte 72 përqind kur qeverisje dhe sot është 59.7 përqind. Është në parametra të caktuar si të pranueshëm. Por kur shkëputesh nga realiteti dhe ndjek vetëm e logjikën e miliardave që të rrethojnë, atëherë e humbet arsyen, flet edhe përçartë, nuk të vjen keq, nuk ndjen dhembje për ata që përballen me çmimet e tregun, nuk mendon për të ardhurat mujore se sa të rëndësishme janë ato për 800 mijë familje shqiptare, janë rroga dhe pensione”- tha kryeministri. Berisha tha para deputeteve, se do të rishikohen financat e gjithë institucioneve shtetërore për të siguruar fondin e rritjes së pagave.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›