E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagimi i PD: “Edi Rama ka ngritur mbretërinë e spekulimit, për të dëmtuar garën që nuk e fitoi”

05-07-2011 / Gazeta 55

Partia Demokratike me anë të zëdhënëses së saj Albana Mustafaraj ka reaguar dje menjëherë pas deklaratave të bëra publike nga selia rozë, duke u shprehur qartë se mazhoranca është e vendosur të presë deri në fund certifikimin e rezultatit zgjedhor, duke respektuar institucionet demokratike. Zëdhënësja e selisë blu, Mustafaraj deklaroi se nga ana tjetër Edi Rama ka ngritur një arsenal të tërë spekulimesh, për të përbaltur atë proces që ai s’e fitoi dot më 8 maj. Më tej, Mustafaraj theksoi gjithashtu se zgjedhjet ishin transparente dhe këtë fakt e tregon transmetimi i tyre në media. “Të gjithë e dinë se dhunë dhe presion në këtë proces ka ushtruar vetëm zoti Rama. I pakënaqur nga rezultati i zgjedhjeve dhe nga vendimet e institucioneve të pavarura, zoti Rama ka ushtruar vazhdimisht shantazh, ndaj KQZ-së dhe ndaj Kolegjit Zgjedhor”, theksoi zëdhënësja e selisë blu Mustafaraj.Ajo nënvizoi  më tej se “Zgjedhjet lokale të 8 majit, ishin zgjedhjet më të drejta, më paqësore dhe më korrekte të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri”, një përfundim, në të cilin sipas saj, mbërritën edhe vëzhguesit ndërkombëtarë. Në këtë pikë, zëdhënësja e PD-së rikujtoi se edhe partnerët ndërkombëtarë e thanë fjalën e tyre, duke kërkuar nga partitë politike të presin me qetësi dhe maturi përfundimin e procesit zgjedhor, dhe të respektojnë vendimet e institucioneve të pavarura. Mustafaraj theksoi po ashtu se Dhuna verbale e z.Rama tashmë është bërë e bezdisshme për të gjithë. Qytetarët e Tiranës e thanë fjalën e tyre dhe përmes një procesi transparent dhe demokratik, zëri i tyre u dëgjua. Kur qytetarët flasin, politikanët e kanë për detyrë të dëgjojnë, shtoi me tej ajo. Zëdhënësja e PD-së, Mustafaraj ripërsëriti se Partia Demokratike është e vendosur që në respekt të ligjit e kushtetutës së vendit, të presë me qetësi e maturi përfundimin e procesit duke pranuar pa asnjë objeksion vendimet e tyre.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›