Përtej keqkuptimeve të një ligji
Ida Hajdari
Ligji Kundër Diskriminimit ka vite që “vërtitet” në qarqet qeveritare të Shqipërisë dhe është e vërtetë që ky ligj, ose më saktë, miratimi i tij në parlamentin shqiptar, është një nga kushtet e BE-së për anëtarësimin e Shqipërisë. Ajo që duhet theksuar është që miratimi i këtij ligji nuk është kusht vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë shtetet e tjera që kanë aplikuar për anëtarësim. Duhet theksuar gjithashtu se Ligji Kundër Diskriminimit është një ligj gjithëpërfshirës, që do të thotë se ai është një ligj që dënon diskriminimin mbi çdo lloj baze. E thënë ndryshe, Ligji Kundër Diskriminimit nuk është një ligj i cili është sajuar posaçërisht për të adresuar nevojat apo për të promovuar të drejtat e komunitetit homoseksual në Shqipëri dhe aq më pak të drejtën e tyre për t’u martuar. Propozimi i kryeministrit për ligjërimin e martesës midis homoseksualëve duket se është një (keq)interpretim i qeverisë (ose ndoshta thjesht i kryetarit të qeverisë) shqiptare i Ligjit Kundër Diskriminimit. Kjo është diçka problematike në vetvete, pasi edhe sikur të ligjërohej martesa midis homoseksualëve, identifikimi, parandalimi dhe dënimi i të gjitha formave të tjera të mundshme të diskriminimit do të vazhdonte të mbetej jashtë legjislacionit shqiptar. Për më tepër, momenti i zgjedhur prej kryeministrit të Shqipërisë për t’ia propozuar ligjërimin e martesave homoseksuale parlamentit shqiptar është mjaft i dyshimtë. Nëse qëllimi i kryeministrit ishte të tërhiqte vëmendjen e publikut shqiptar nga zgjedhjet e 28 qershorit, ai ia ka arritur qëllimit, dhe në mënyrë të dyfishtë. Nga njëra anë, propozimi i ligjërimit të martesave homoseksuale ka prekur një nerv mjaft të ndjeshëm të publikut shqiptar, duke shkaktuar për pasojë një debat të ethshëm mbi të ashtuquajturat vlera morale të popullit tonë. (“Debat” nuk është termi i saktë, pasi ky “debat” është mjaft i njëanshëm. Termi më i saktë do të ishte “vrer homofobik”). Këtë do ta quaja një zhvendosje të drejtpërdrejtë të vëmendjes së publikut shqiptar nga zgjedhjet e 28 qershorit. Nga ana tjetër, propozimi për ligjërimin e martesave midis homoseksualëve e vë kryeministrin e Shqipërisë në një pozicion gati-gati komik, gjë e paevitueshme kjo duke pasur parasysh se ky propozim erdhi papritur e papandehur (dhe me sa duket jo vetëm për publikun) dhe se Shqipëria është një vend ku ka pasur një mungesë të theksuar të çfarëdolloj fushate informimi apo ndërgjegjësimi ndaj homoseksualitetit. Nuk është e habitshme pra, që deri diku propozimi i kryeministrit është pritur me një mosbesim, i cili ka elementë të qesharakes dhe absurdes njëkohësisht. Në fakt, z.Berisha ka treguar vazhdimisht se ka një talent të mirëfilltë për të provokuar këtë lloj reagimi. Një ndjenjë e rrezikshme kjo, pasi komprometon seriozitetin dhe rëndësinë që i jepet çdo zhvillimi politik, qoftë ky integriteti i zgjedhjeve të 28 qershorit apo propozimi për ligjërimin e martesave mes homoseksualëve. E vërteta është se ne mbetemi përpara mundësisë së miratimit të një ligji mjaft të rëndësishëm, jo vetëm për komunitetin homoseksual në Shqipëri, por për të gjithë shoqërinë shqiptare, dhe që duhet marrë mjaft seriozisht, pavarësisht nga motivet e propozimit të tij apo mënyrën në të cilën ai u propozua.
Frika dhe paranoja që propozimi mbi martesat midis homoseksualëve ka shkaktuar te publiku kryesisht homofobik shqiptar, dëshmon se sa e vështirë është jeta për homoseksualët në Shqipëri, një problem ky që duhet të adresohet me çdo kusht. A është propozimi i ligjit për martesën midis homoseksualëve mënyra më e mirë për të adresuar nevojat dhe problemet e këtij komuniteti në Shqipëri? Mos ky ligj është i parakohshëm? Ndoshta po, por e vërteta është se nuk ekziston vetëm një mënyrë apo vetëm një rrugë drejt një shoqërie më tolerante. Në fund të fundit, nuk ekziston vetëm një mënyrë apo një rrugë drejt zhvillimit të një shteti dhe ne shqiptarët jemi të ndërgjegjshëm për këtë të fundit shumë më tepër se shumë të tjerë dhe pikërisht për këtë arsye duhet ta marrim seriozisht mundësinë që na është dhënë për t’iu njohur të drejta të barabarta një pakice kaq të diskriminuar.
Nuk dyshoj për asnjë moment se ligjërimi i martesave mes homoseksualëve, sikurse dhe miratimi i Ligjit Kundër Diskriminimit, nuk kanë për ta ndryshuar brenda ditës statusin e homoseksualëve në shoqërinë shqiptare. As diskriminimi me bazë bindjesh politike, me bazë gjinore apo etnie nuk ka për t’u zhdukur përnjëherë, pas miratimit të një ligji. Por në planin afatgjatë, Ligji Kundër Diskriminimit dhe ligjërimi i martesave mes homoseksualëve do të kenë një efekt të paevitueshëm dhe pozitiv mbi cilësinë e jetës së kësaj pakice në Shqipëri dhe mbi shoqërinë shqiptare në plan të gjerë. Kjo është në thelb arsyeja për të cilën ky ligj duhet mbështetur dhe miratuar.