“Heqja e taksave për të rinjtë, rrit punësimin dhe sjell avantazhe shumëfishe për ekonominë”

Këshilltari i kryeministrit për Ekonominë, Petraq Milo sqaron vendimin e qeverisë
Nisma e shpallur nga kryeministri Berisha, për heqjen e taksave për tre vjet për punësimin e çdo të riu apo te reje shqiptare, ka edhe koston e saj, e cila do të përballohet nga buxheti i shtetit. Këshilltari i kryeministrit Petraq Milo, ka sqaruar detajet lidhur me këtë vendim, si dhe vlerën në përqindje që u zbritet bizneseve, të cilët punësojnë të rinjtë për herë të parë.
Nga ky vendim, i cili pritet t’i paraqitet shumë shpejt kuvendit, biznesi çlirohet nga detyrimet fiskale ku përfshihen sigurimet shoqërore, shëndetësore si dhe tatimi mbi të ardhurat personale, për tre vitet e para të punësimit të të rinjve.
“Biznesit do t’i ulet kostoja përafërsisht në 26 për qind për pjesën e kontributeve, njëkohësisht do të ulet 10 për qind ngarkesa apo një kompensim page për punonjësit e ri, por njëkohësisht do të ketë edhe një kosto të mbuluar nga shteti për kualifikimin e punonjësve të rinj”, është shprehur zoti Milo.
Sipas tij, me këtë qëllim qeveria ka si objektiv nxitjen e punësimit tek të rinjtë, që do të stimulohet nga një ulje e konsiderueshme e kostos së krahut të punës.
“Ka një nivel matjeje ekonomike. Kjo do të përbëjë një avantazh më tepër për ekonominë shqiptare për shkak se në vazhdimësi të uljes së kostos së punës, me vendimet që ka marrë qeveria edhe më parë qoftë për uljen e barrës fiskale, qoftë edhe për heqjen e tatimit të të ardhurave personale deri në kufirin e 30 mijë lekëve të reja, kjo do të jetë një reformë shtesë, për të ulur më tej koston e punës në Shqipëri, gjë që do të bënte një avantazh dhe interes akoma më të madh për investitorët qoftë të brendshëm, apo të huaj, për të investuar në Shqipëri”, është shprehur këshilltari i kryeministrit.
Më tej, ai ka shtuar se pas miratimit të këtij vendimi, Shqipëria do të jetë në një situatë që do të ofrojë jo vetëm kualifikim siç ofron edhe sot, por do të ofrojë edhe kualifikim plus edhe një kosto të ulët për sipërmarrjen. Njëkohësisht, kjo do të jetë edhe një iniciativë akoma më e madhe për të punësuar akoma edhe më shumë të rinj nga biznesi privat, për shkak të uljes së kostos, gjë që do të ketë faktorin e saj të rritjes së punësimit.
Milo ka sqaruar gjithashtu se çdo reformë e ka një kosto, por që do të përkthehet në shanse të mëdha përfitimi, pasi do të jetë nxitëse për sipërmarrjet private, nxitjen e punësimit të të rinjve, si dhe rritjen e prodhimit.