E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria heq për 3 vjet taksat për çdo të ri të punësuar

11-02-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha informon në “Facebook”: “Vendimi brenda javës”

Kryeministri Sali Berisha, ka paralajmëruar në një mesazh në “Facebook”, heqjen e taksave për 3 vjet, për çdo të ri të punësuar. Shefi i ekzekutivit shkuar se për një nxitje të rëndësishme të punësimit të të rinjve, qeveria do vendosë javën në vijim heqjen e çdo takes.
Sipas tij, do të hiqen taksat për sigurimet shoqërore, shëndetësore, tatimin mbi të ardhurat personale, si dhe shpenzimet për kualifikimin për çdo të ri që do të punësohet në sektorin privat. “Për një nxitje të rëndësishme të punësimit të të rinjve, qeveria do vendosë javët që vijnë heqjen për tre vjet të çdo takse (sigurimet shoqërore, shëndetësore, tatimin mbi të ardhurat personale) si dhe shpenzimet për kualifikimin, për çdo të ri që do të punësohet në sektorin privat”, shkruan kryeministri Berisha në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.
Kryeministri Berisha mbyll mesazhin e tij duke thënë se, mazhoranca i mban premtimet e bëra.
Ndërkaq, kryeministri njoftoi vendimin e ardhshëm të qeverisë, gjatë një takimi me të rinj të Partisë Demokratike, në Durrës. Kryeministri tha se reduktimi i taksave dhe heqja e një kategorie të caktuar, është në qendër të politikave qeveritar.
Sipas analizave të qeverisë, lehtësirat fiskale gjallërojnë biznesin dhe e shndërrojnë Shqipërinë në vend destinacion për investime.
“Çdo projekt, publik apo privat qoftë ai, për zhvillimin e këtij vendi, ka për gurrë, ka për burim ëndrrat tuaja rinore, realizmin e tyre, shndërrimin e tyre në realitet, ndaj dhe jam sot këtu, për t’ju premtuar dhe për t’ju dhënë juve fjalën e nderit se, qeveria, me qëllim që energjitë tuaja entuziazmin juaj vizioni juaj, të shndërrohet në energjinë, entuziazmin, vizionin e zhvillimit të vendit, të bëjë gjithçka për punësimin tuaj. Qeveria vendos së shpejti, që të përballojë shpenzimet, kontributet sociale, sigurimet shoqërore, për secilin prej jush, për çdo të ri, për tre vjet me radhë, në çdo sipërmarrje. Ndaj dhe unë ftoj sipërmarrësit e Durrësit, të Tiranës, të mbarë Shqipërisë, ftoj sipërmarrësit nga Europa dhe mbarë Bota, të vijnë në Shqipëri, këtu të punësojnë të rinjtë shqiptarë dhe të njihen me aftësinë, energjinë, ndershmërinë, kualifikimin, të shndërrojnë në realitet, ëndrrat më të bukura të tyre”, tha Berisha.
10 milionë dollarë për rritjen e pagave në vitin 2013/“Qeveria do vazhdojë politikën e saj të rritjes së pagave. Vetëm për vitin 2013 qeveria ka parashikuar që të harxhojë 10 milionë dollarë në funksion të kësaj politike. Rritja do të vijojë edhe në tri vitet e ardhshme, të paktën sipas programit ekonomik 2014-2016. Pagat e ulëta pritet që të kenë një rritje me gati 5 për qind, ndërkohë që pagat e larta një indeksim me gati 2 për qind. Qeveria në programin e saj trevjeçar jep edhe detajet. Në vitin 2013, shpenzimet e buxhetit do të synojnë një rritje të diferencuar të pagave në disa sektorë prioritarë në një nivel nga 2-5 për qind”, thuhet në këtë program të miratuar pak kohë më parë nga qeveria.
Trajtimi me prioritet dhe në mënyrë të diferencuar i disa sektorëve pritet që të vijojë edhe në vitin 2013 e në vitet e tjera, dhe këta sektorë janë arsimi dhe shëndetësia. Respektivisht, për këta dy sektorë rritja do të variojë mes 3-4 për qind. Pagat e ulëta gjithashtu do të kenë prioritet me një rritje më të lartë sesa të tjerat. Kjo rritje parashikohet të jetë 5 për qind. “Në vitin 2016 shpenzimet parashikohen 446 miliardë lekë dhe do të ketë rritje të diferencuar të pagave dhe pensioneve. Shpenzimet e administratës për periudhën 2014-2016 parashikohen që të jenë në linjë me politikën e rritjes së diferencuar të pagave në sektorët prioritarë. Prandaj, në këtë periudhë trevjeçare ato parashikohen që të mbajnë një nivel rritjeje prej 5 për qind të GDP-së”, thuhet në planin e qeverisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›