E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria dënon veprat kriminale, pavarësisht motivimit

13/11/2009  Presidenti Topi mbajti fjalim në forumin e Krans-Montanës në Paris

“Këta 3 vjet është ndaluar trafiku i paligjshëm përmes vendit tonë drejt Italisë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka deklaruar dje se Shqipëria dënon kategorikisht të gjitha veprimet e terrorizmit si kriminale dhe të pajustifikueshme, pavarësisht nga motivimi i tyre, format dhe manifestimi. Ai mbajti një fjalim gjatë pjesëmarrjes në forumin e Krans-Montanës, që po mbahet në Paris me temë “Bota pas G-20-s, qeverisja globale dhe lufta kundër krimit transnacional”, të drejtuar nga kryetari dhe themeluesi i tij Zhan Pol Karteron. “Çështja që trajton ky forum është e rëndësishme dhe kërkon një vëmendje sa politikanësh, aq dhe ekspertësh, bashkëpunimi i të cilëve mund të japë rrugëzgjidhje të efektshme dhe në kohën e duhur. Si vend anëtar i NATO-s dhe aspirues për anëtarësim në BE, ajo u është bashkuar të gjitha përpjekjeve e luftës të vendeve demokratike, duke u bërë pjesë edhe e strategjive dhe veprimeve parandaluese ndaj atyre që sponsorizojnë, organizojnë ose kryejnë akte terroriste”, - theksoi Topi në fjalën e tij. Duke iu referuar sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, ai nënvizoi faktin se ato e kanë bërë të qartë se terrorizmi është një sfidë e përbashkët dhe se lufta kundër tij kërkon veprim të përqendruar e global. Gjithashtu në fjalën e tij Presidenti Topi u ndal dhe në çështjen tjetër të rëndësishme: atë të luftës kundër krimit ndërkombëtar. Në vijim Presidenti përmendi një sërë masash të rëndësishme që vendi ynë ka ndërmarrë në këtë drejtim, si thellimi i bashkëpunimit me strukturat e agjencive informative e të sigurisë, me ato të policisë dhe të prokurorisë së vendeve të rajonit si në nivel operacional, ashtu dhe në shkëmbim të të dhënave në kohën e duhur.

Rezultatet

“Shqipëria ka rezultate të dukshme jo vetëm në luftën kundër korrupsionit, por edhe në parandalimin e fenomeneve që kanë të bëjnë me trafiqet e paligjshme. Ajo që ka ndodhur gjatë viteve të kaluara, ka rreth tre vjet që nuk ndodh më. Kemi një ndalim të trafikut të paligjshëm që kalonte nëpërmjet Shqipëri drejt Italisë. Sigurisht që kjo ka ardhur nëpërmjet një rregullimi ligjor, por edhe nëpërmjet vullnetit të të gjitha forcave politike për të ndaluar këtë fenomen.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›