E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e vizave, Topalli kërkon mbështetjen e Gjermanisë

17/03/2010 Kryetarja e Kuvendit takon kreun e Bundestagut

Në lobimin e saj përmes diplomacisë parlamentare, kësaj here Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është përqendruar tërësisht në përpjekjet për të marrë mbështetjen nga vendet e BE-së për liberalizmin e vizave. Ky ka qenë edhe thelbi i takimit mes saj dhe Kryetarit të Bundestagut, Norbert Lammert. Kryeparlamentarja u takua me homologun Lammert gjatë ndalesës në Berlin, në vijim të udhëtimit të saj për vizitën zyrtare në Suedi. Në bisedën me të, Topalli u përqendrua kryesisht në angazhimin e plotë e serioz të institucioneve shqiptare për heqjen e vizave, si një objektiv që i ka ardhur koha për t’u vënë në jetë, duke shprehur besimin se Gjermania sërish do ta mbështesë Shqipërinë në heqjen e vizave për qytetarët e saj. Në krye të takimit të saj me Lammert, numri dy i shtetit shqiptar bëri një ekspoze të zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, veçanërisht reformat që ka ndërmarrë Qeveria shqiptare në drejtim të plotësimit të detyrimeve në proceset integruese. Ajo e njohu gjithashtu kolegun e saj gjerman me përmbylljen e të gjitha kërkesave lidhur me menaxhimin e kontrolluar të kufijve, me vënien në funksion të teknologjive të reja më të avancuara në këtë drejtim, të gjitha këto të lidhura me procesin e heqjes së vizave. Puna në Parlament dhe numri i madh i ligjeve të reformave të kaluara këto muajt e fundit në të, ishte një pjesë e panoramës që ajo paraqiti para homologut gjerman. Lidhur me çështjet ekonomike, ajo shprehu krenarinë për vlerësimet e FMN-së dhe Bankës Botërore për Shqipërinë, si i vetmi vend në rajon që, edhe pse i rrethuar nga kriza financiare globale, vazhdon me rritje ekonomike të qëndrueshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›