E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vendimet e Kushtetueses, të detyrueshme për të gjithë”

17/03/2010 Presidenti Topi flet për situatën politikën në vend

Zgjidhjen e konfliktit politik mes dy forcave kryesore në vend, PD-PS, Presidenti i Republikës e shikon tek Gjykata Kushtetuese. Sipas tij, ai është institucioni tek i cili palët duhet të adresohen për t’i dhënë rrugë debatit mbi hapjen ose jo të kutive të votimit. Gjatë një interviste për News 24, kreu i shtetit shqiptar ka dhënë vlerësimin e tij për shumë çështje sensitive për shoqërinë shqiptare në fushën politike dhe atë të drejtësisë. “Për definicion, institucioni që është garant i Kushtetutës është Gjykata Kushtetuese. Ju e dini që edhe në të kaluarën, edhe vendime apo dekrete të Presidentit të Republikës mund të kenë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese dhe jo me të njëjtin përfundim që ka pasur dekreti i Presidentit. Presidenti ka qenë i detyruar si çdo institucion tjetër të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, - theksoi Topi. Lidhur me çështjen e interpretimit të vendimit të Kushtetueses, Presidenti tha se kjo i takon ekspertëve të partive politike që të gjykojnë me objektivizëm për mënyrën e interpretimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe ka të bëjë me komisionet hetimore. Duke shprehur bindjen se zgjidhja e krizës politike duhet të zgjidhet pikërisht në Parlament, aty ku dhe është zhvendosur pas negociatave në tryezën e tij, kreu i shtetit u kujtoi protagonistëve kryesorë të politikës edhe interesat kombëtare, institucionale dhe ato qytetare. Në mënyrë të veçantë ai përmendi rrezikimin e procesit të liberalizimit të vizave pikërisht nga konfliktet politike. “Është një përgjegjësi e madhe e klasës politike, e cila duhet domosdoshmërish të mos ketë dëshira, nuk mund të ketë sens voluntarizmi që unë dëshiroj e bëj, dëshiroj nuk e bëj, por përderisa merr mbi supe përgjegjësi para elektoratit, përpara shoqërisë, patjetër që ka edhe detyrime që gjërat duhet të zgjidhen, duhet të avancojnë. Secili duhet të ketë edhe kurajën që mbi bazën e interesave që përfaqësojnë, të gjejnë atë që është pika e përbashkët”, - vijoi Topi. Numri një i shtetit shqiptar i pyetur mbi domosdoshmërinë ose jo të heqjes së imunitetit të deputetëve, përsëriti atë që ai ka ritheksuar në çdo komunikim publik për këtë çështje. “Besoj që qysh nga Presidenti i Republikës e të gjithë me radhë, nuk është e nevojshme që në këtë shoqëri, e cila ka kaluar trauma herë pas here, nuk është e nevojshme që njerëzit të fshihen pas imunitetit. Nuk kam parasysh askënd. Është një çështje që e diskutoj në një frymë shumë parimore dhe fakti që e nis me cilësinë time, me cilësinë e Presidentit, i cili nuk duhet të ketë imunitet, e rishpreh që imuniteti është i tepërt”, - vijoi numri një i shtetit shqiptar. Në përfundim të intervistës, Topi deklaroi se për 10 kandidatët për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, po konsultohet me të gjitha palët për të prezantuar figura me integritet profesional dhe moral, para se ato marrë edhe pëlqimin politik përves votimit në Parlament.

Zvarritja e gjykimit

Lidhur me zgjatjen dy vjet të çështjes “Gërdeci” në dyert e gjykatave dhe ende nuk ka asnjë fajtor, Presidenti Topi tha që ndarja e pushteteve duhet patjetër të respektohet. “Riinkurajoj institucionet e drejtësisë që të bëjnë punën e tyre, të bëjnë punën për të cilën janë betuar dhe besoj që nuk ka asnjë lloj fryme për të paragjykuar një proces, i cili do ta ketë finalen e tij”, - tha Presidenti.

Apeli

Ashtu si edhe shumë aktorë institucionalë ndërkombëtarë edhe Presidenti Topi mendon se ritmi i procesit të liberalizimit të vizave varet nga fryma e zhvillimeve politike, nga stabiliteti politik në Shqipëri. “Dëshiroj që të gjithë të jenë të ndërgjegjshëm që ta inkurajojnë frymën e dialogut, edhe pse natyrshëm gjithmonë do të ketë mosmarrëveshje të karakterit politik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›