E Diel, 1 Nëntor 2026

Paditë e politikës shuhen sapo regjistrohen

17/03/2010 ǒndodh me dhjetëra padi civile apo penale të politikanëve

TIRANË- Duket sikur politikanët shqiptarë nuk e kanë fare problem të zhysin në batak kundërshtarët sa herë ua kërkojnë interesat e tyre personale. Ndër vite janë dëgjuar akuza monstruoze që nisin me korrupsionin, vijojnë me falsifikime apo shpifje dhe mbarojnë me implikime në trafiqe, vrasje apo organizata mafioze. Nga viti 1992 e deri në ditët e sotme, thuajse fare s’kanë bërë pushim politikanët, por kanë vazhduar me akuza të ndërsjella dhe disa prej tyre i kanë formuluar në padi civile në gjykatë apo kallëzime penale në Prokurori. Në 5 vitet e fundit u regjistruan 37 kallëzime. Vetëm vitin e kaluar u shënuan 13 të tilla, kurse në fund të tij, u lëshua një lumë akuzash publike ndaj kupolës punisto-mafioze, ku u përmendën emra socialistësh, pronarë të mijëra metrave katror tokë në Tiranë. “Ekzekutivi do të merret me gjithë forcën e tij dhe pa dyshim që do t’i çojë në prokurori”, - u dëgjua pas këtyre akuzave, por ende në Prokurori s’ka mbërritur ndonjë dosje e tillë.

Fati i kallëzimeve, sirtarëve të plurosur

Shumë kallëzime, që janë dorëzuar në Prokurori nga subjektet politike, kanë përfunduar të pushuara, pasi në pjesën më të madhe organi i akuzës nuk ka mundur të kualifikojë ligjërisht akuzat e ngritura. Në regjistrin e organit të akuzës janë të regjistruara me dhjetëra kallëzime penale në ngarkim të një partie politike apo të një tjetre. Pasi këto kallëzime i delegohen prokurorëve të ndryshëm ato futen në sirtarët e zyrave deri në një periudhë kohore të caktuar. Pasi kanë kaluar një kohë të gjatë në sirtarët e zyrave të Prokurorisë, atyre u shkundet pluhuri për t’u dërguar në gjykatë dhe të deklarohet mbyllja e hetimeve për shkak të mosgjetjes së provave për kallëzimin e bërë. E vetmja dosje që nuk ka pasur fatin e çështjeve të pushuara, është ajo që ka të bëjë me kallëzimin penal të deputetit Asllan Dogjani, i cili denoncoi për shpifje ish-presidentin Alfred Moisiu. Pas një hetimi disa mujor, organi i akuzës vendosi të mbyllë çështjen dhe të marrë të pandehur ish-presidentin.

Kallëzimet penale dhe civile

Pjesa më e madhe e kallëzimeve penale ka shërbyer më shumë si një show politik, ku përfaqësuesit e subjekteve politike, fillimisht dorëzojnë në sekretari kallëzimin dhe më pas zbresin shkallët, duke iu drejtuar mediave për t’i thënë kundërshtarit forcën e ligjit. Kjo gjë ka ndodhur në të gjitha rastet, madje liderët politikë janë shfaqur, duke mbajtur edhe dokumente në duar, duke pretenduar se ato janë prova për organin e akuzës. Ndërkaq, mënyra e procedimit për regjistrimin e një padie civile e më pas vazhdimin e gjykimit është e përcaktuar në ligj. Pala paditëse ka të drejtë ta paraqesë atë në sekretari. Brenda një periudhe të shkurtër kjo kërkesë padi hidhet në short. Ndërsa pas shortit gjyqtari i caktuar merr kërkesën dhe pasi cakton një datë për fillimin e shqyrtimit të saj, njofton palët nëpërmjet postës. Fillimisht caktohet një seancë, e cila quhet pajtimore. Në këtë seancë palët thirren për ta zgjidhur çështjen në mënyrë paqësore duke i dhënë fund ecurisë së seancave gjyqësore. Në rast të mospajtimit bëhet e kundërta. Ndërsa nga praktika e deritanishme dihet shumë mirë se Kryeministri dhe personat e veshur me imunitet nuk gjykohen në shkallën e parë. Kompetente për shqyrtimin e padive civile apo penale për këtë kategori personash e ka vetëm Gjykata e Lartë.

Përplasjet për tokën tek “Tajvani” përfshinë edhe Ferdinand Ponen

Bashkia: Ponen e kemi dërguar për ndjekje penale

Konflikti i fundit i zv/ministrit të Brendshëm me përfaqësues të bashkisë

Në datën 12 dhjetor të vitit të kaluar zëdhënësja Bashkisë së Tiranës, Johana Bushi, ka reaguar në lidhje me deklaratat e zëvendësministrit të Brendshëm Ferdinand Pone. Sipas saj, zëvendësministri i Brendshëm është akuzuar nga ky institucion në gjykatën e Tiranës për shpifje ndaj institucionit të Bashkisë në lidhje me tokën tek “Tajvani”. “Sot për të disatën herë shtetasi Ferdinand Njazi Pone, në cilësinë e zëdhënësit të politikës së përbaltjes, doli dhe përsëriti shpifjet dhe akuzat false ndaj Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj lidhur me tokën e kompleksit ‘Tajvani’. Bashkia e Tiranës, si përherë, politikës së përbaltjes do t’i vendosë përballë të vërtetën dhe ligjin. Në respekt të opinionit publik, i bëjmë me dije shtetasit Ferdinand Njazi Pone se në Prokurorinë e rrethit gjyqësor të Tiranës është regjistruar kallëzimi penal me nr. 1875/e, paraqitur nga Bashkia e Tiranës kundrejt tij për veprën penale ‘shpifje e qëllimshme për shkak të detyrës’”, - tha Bushi. Ajo gjithashtu deklaroi se ndaj Pones është bërë padi civile për dëmshpërblimin e imazhit të cenuar të Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar prej tij mbjelljen e 1250 pemëve të llojit bli. “Shtetasi Ferdinand Pone të shkojë e të faktojë pranë organeve të drejtësisë shpifjet dhe akuzat e lëshuara papërgjegjshmërish, duke uzurpuar ekranet e qytetarëve kundër Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj. Bashkia e Tiranës nuk do të çojë dëm asnjë sekondë nga puna e saj. Bashkia e Tiranës nuk do të përçojë përmes ekraneve përgjigje boshe për shpifje e trillime të ulëta”, - përfundoi Bushi. Por Pone nuk ishte i vetëm, pasi Bashkia e Tiranës ka regjistruar në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë tri padi civile. Njëra prej padive është kundër Kryeministrit Sali Berisha, një për ministrin e Transporteve, Sokol Olldashi, dhe e treta për Partinë Demokratike. Bashkia kërkon nga tri subjektet e paditura të bëjnë përgënjeshtrimin publik për të gjitha shpifjet e bëra kohët e fundit në adresë të saj. Në emër të Bashkisë padia u regjistrua nga drejtoresha juridike Migena Vishko.

Pikënisja e padisë

Ishte debati për truallin konfliktual në qendër të Tiranës që shtyu bashkinë të ngrejë padi. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ka thënë: “Rama pranon që vetë prona është publike. Ndërkaq ata befas dalin dhe thonë se kjo pronë nuk është më publike dhe se shteti po cenoka pronën private. Atëherë të gjithëve na lind e drejta të bëjmë pyetjen: kush fshihet pas gënjeshtrave të zotit Rama, interesat e kujt dhe sa vlejnë këto interesa në para”?

Paditë për vitin 2010

TIRANË- “Aldo Bumçi më ka cenuar rëndë dinjitetin dhe për këtë arsye kërkoj nga gjykata të bëjë përgënjeshtrim të deklaratave dhe të më dëmshpërblejë me një shumë parash prej 10 milionë lekësh”. Kjo është përmbajtja e padisë civile që kreu i PS-së ka bërë kundër, Aldo Bumçit, deputetit të PD-së, e regjistruar në datën 8 shkurt të këtij vitit. Edi Rama kërkon që Aldo Bumçi të dëmshpërblejë kreun e Bashkisë Tiranë me një shumë që kap vlerën e 10 milionë lekëve. Objekti i padisë është “padi shkaktim dëmi”, parashikuar nga nenet 608 –654 KPC. Një tjetër padi e bërë nga kreu i PS-së, Edi Rama, është ajo kundër Kryeministrit Sali Berisha. Padia është regjistruar në Gjykatën e Lartë dhe shumë shpejt pritet të shqyrtohet. Ndërkohë që edhe nëna e tij ka bërë të njëjtën gjë në Gjykatën e Lartë. Pas Sali Berishës, personi që është akuzuar nga Edi Rama është edhe Sokol Olldashi, aktualisht ministër i Transporteve. Padia ka si objekt shpifjen. Në datën 11 shkurt të këtij viti është zhvilluar seanca për akuzat Dulaku–Berisha. Padia civile mes biznesmenit dhe Kryeministrit Sali Berisha do të vazhdojë të gjykohet me relatoren Mirela Fana, për sherrin e deklaratave rreth prishjes së pallatit.

Lista e politikanëve paditës për 2009-ën

Edi Rama

Kreu i socialistëve nëpërmjet juristes së tij regjistroi në gjykatë një padi brenda së cilës përfshiheshin tre padi civile. Edi Rama ka paditur për shpifje Kryeministrin e vendit Sali Berisha, ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale, Sokol Olldashi, dhe Partinë Demokratike, e cila drejtohet nga Sali Berisha. Të tria paditë u regjistruan në gjykatë dhe shumë shpejt priten të hidhen në short.

Ndoka

Modelin e Edi Ramës e ka ndjekur edhe kryetari i PDK-së Nard Ndoka. Ky i fundit e paditi Kryeministrin për shpifje dhe vjedhje të hapur të votave në zgjedhjet e 28 qershorit.

Patozi

Deputet i Partisë Demokratike ka paditur në gjykatë ndryshe nga të parët, një media të përditshme. Padia ka si qëllim zbardhjen e një lajmi të publikuar në këtë të përditshme.

“Zgjohu”

Kallëzimi kundër Erion Veliajt nga lëvizja “Zgjohu”, ku kjo e fundit pretendon se së bashku më vëllain e tij, drejtuesi i G99 ka vjedhur 300 mijë euro të organizatës “Mjaft”.

Bashkia Tiranë

Kallëzimi i Bashkisë së Tiranës për Sokol Olldashin, të cilin e akuzon për veprën penale të “shpifjes”, pasi ministri ka pohuar se Edi Rama ka shitur tokën tek “Tajvani”.

Dogjani

Kallëzimi i Asllan Dogjani për ish-presidentin Alfred Moisiun, të cilin e akuzon se i ka publikuar padrejtësisht emrin në një raport, ku flitej për kandidatët jo të përshtatshëm.

PD-ja

Kallëzimi i PD-së ndaj përfaqësuesit të PS-së, Pjerin Ndreu, të cilin e akuzon se ditën e zgjedhjeve, Ndreu ka kanosur komisionerët e PD-së në zonën e Kombinatit.

Policia

Kallëzimi i policisë ndaj përfaqësuesit të LSI-së, Fatos Klosi, të cilin e akuzon për “shpifje”, duke pretenduar se Klosi ka gënjyer lidhur me një automjet përgjimi.

Transportet

Kallëzimi i Ministrisë së Transporteve kundër Edi Ramës për akuzën e “korrupsionit” dhe “falsifikimit të dokumenteve” për shitjen e tokës tek “Tajvani”.

PS-ja

Kallëzimi i PS-së ndaj 50 punonjësve të policisë për “shpërdorim detyre”duke pretenduar se ata kanë ndikuar në ndryshimin e rezultatit në disa qendra votimi.

PS-ja

Kallëzimi i PS-së ndaj Drejtorisë së përgjithshme të Burgjeve, duke e akuzuar se ditën e zgjedhjeve ka liruar rreth 120 të burgosur.

PD-ja

Kallëzimi i përfaqësuesit të PD, Aldo Bumçi, ndaj ish-sekretares së tij në Ministrinë e Drejtësisë, duke e akuzuar për “shpifje”.

PDK-ja

Kallëzimi i PDK-së ndaj grupeve të numërimit të Partisë Demokratike, duke i akuzuar ata për grabitjen e votave dhe ndryshim të rezultatit të zgjedhjeve.

KQZ-ja

Kallëzimi i KQZ-së për 43 komisionerët e Fierit, Shkodrës, Beratit që vendosen të largohen nga qendrat e votimit. Vendim ky që çoi në kolaps procesin e numërimit.

PS-ja

Kallëzimi i PS-së ndaj Arben Ristanit dhe anëtarëve të PD- së, pasi këta të fundit rrëzuan kërkesën për rinumërimin e votave në qarkun e Beratit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›