E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat false, ministria padit PS-në

17/03/2010 Deklaratat e Gramoz Ruçit se kartat e identitetit janë falsifikuar, dërgohen në Prokurorinë e Tiranës

Kallëzimi me dy akuza. Kërkohet fillimi i hetimeve dhe zbardhja e autorëve përgjegjës.

TIRANE- Ministria e Brendshme ka kallëzuar në Prokurori Partinë Socialiste, duke e akuzuar atë për falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave dhe për përhapjen e informatave të rreme që ngjallin panik. Shkak i këtij kallëzimi janë bërë dy deklaratat e kreut të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë (4 mars 2010) ka paraqitur disa letërnjoftime që ishin të falsifikuara. Kjo gjë është ripërsëritur nga Ruçi edhe në një emision televiziv, i cili ka mbrojtur idenë se shumë karta identiteti në Shqipëri janë të falsifikuara. Gjatë emisionit kryetari i grupit parlamentar të PS-së, ka treguar para kamerave tre rastet e falsifikimit që ai kishte konstatuar. Nisur nga kjo situatë, PD-ja i ka kërkuar disa herë përfaqësuesve të Partisë Socialiste, që pseudo provat t’i paraqesin në Prokurori. Por kur kjo gjë nuk ndodhi nga PS-ja dhe Prokuroria e Tiranës, e cila ka të drejtën e fillimit të hetimeve kryesisht, Ministria Brendshme në cilësinë e autoritetit mbikëqyrës të Kontratës Koncesionare për “Prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve të identitetit” ka depozituar dje një kallëzim penal, ku kërkon zbardhjen e misterit të falsifikimit të disa letërnjoftimeve dhe ndëshkimin e personave përgjegjës. Një kopje e kallëzimit mësohet se i është dërguar edhe Kryeprokurores Ina Rama. Për hetimin e çështjes, organi i akuzës pritet të kërkojë sekuestrimin e dokumenteve të paraqitura në seancë plenare nga deklaruesit, si dhe të marrë sqarime se në ç’mënyrë i disponojnë këto dokumente, si kanë marrë dijeni për këtë informacion e të tjera pyetje. Nisur nga kjo situatë Ministria e Brendshme shpreh bindjen e plotë mbi pamundësinë e falsifikimit të dokumenteve origjinale të prodhuara nga firma koncesionare, sipas standardeve më të mira të BE-së e më gjerë. Nga ana tjetër, sipas këtij dikasteri sistemi i prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve të identitetit, është provuar të jetë një sistem solid, që mishëron teknologjinë e fjalës së fundit në fushën e identifikimit dhe procedura strikte të mirëpërcaktuara për aplikimin dhe shpërndarjen e letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike. Vlerësime për karat e identitetit janë dhënë edhe nga përfaqësues të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare të 28 qershorit 2009, ku vlerësohet së tepërmi procesi i pajisjes së shtetasve shqiptarë me letërnjoftim elektronik, por edhe nga ekspertët e fushës të BE-së, të cilët kanë inspektuar dhe monitoruar sistemin në tërësinë e vet, në kuadrin e procesit të liberalizimit të vizave.

Deklarata e Ruçit në Parlament

“Kam dy karta identiteti të një zonje nga Tropoja, i ka false. Një zotëri nga Dibra ka dy të tjera false. Edhen një zotëri tjetër me 3, të tria false. Më e rënda është një qytetar me katër karta identiteti, dy në Korçë, dy në Tiranë”, deklaroi Ruçi. Si Kryeparlamentarja Topalli, ashtu edhe Kryeministri Berisha e sugjeruan kundërshtarin e tyre politik që t’i drejtohej prokurorisë. “Sa për ato kartat e identitetit, merrini dhe çojini në prokurori. Ju garantoj se sistemi i identifikimit të qytetarëve si sistem është një nga më të sigurtat”,- u shpreh Berisha. “Por të paraqesësh pseudofakte, në kohën që Shqipëria aplikon për viza, ka të bëjë me qëllime të mbrapshta. T’i lëviz me pasaportë diplomatike, por ka shumë qytetarë që presin pas dyerve të ambasadave për të takuar njerëzit e vet, është shumë e rëndë”, i tha ai Ruçit. Kjo ishte vetëm një pjesë e debatit që dy palët politike zhvilluan në Parlament lidhur me falsifikimin e kartave të identitetit, ku PS akuzoi PD se nëpërmjet këtyre kartave ka fituar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Këto deklarata aktualisht pritet të bëhen objekt hetimi nga Prokuroria e Tiranës, e cila në ditët në vazhdim do të vendosë ose jo regjistrimin e procedimit penal të depozituar nga Ministria e Brendshme.

Neni 189 i Kodit Penal, falsifikimet

Falsifikimi ose përdorimi i letërnjoftimeve, i pasaportave apo i vizave të falsifikuara dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga katërqind mijë deri në një milion lekë. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet dhe me gjobë nga gjashtëqind mijë deri në dy milionë lekë. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë letërnjoftimin, pasaportën apo vizën, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga një milion deri në tre milionë lekë.

Neni 267 i Kodit Penal, paniku

Përhapja e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›