Një “shengen” ballkanik, i domosdoshëm për zhvillimin*
Ky takim tradicional pune me përfaqësuesit tanë pranë vendeve të tjera dhe organizatave ndërkombëtare përbën një moment të veçantë, për të analizuar punën dhe aktivitetin tonë nga njëra anë dhe për të diskutuar parametrat e situatës aktuale në vend, të zhvillimeve gjeopolitike përreth nesh dhe në tërësi në arenën ndërkombëtare. Në vijim të direktivave që Kryeministri Berisha parashtroi dje, dëshiroj të shfrytëzoj këtë moment për të ndarë me ju analizën tonë mbi atë që ne kemi arritur, sfidat që na presin për kohën e mbetur, të këtij viti, dhe në mënyrë të veçantë objektivat për vitin e ardhshëm. Gjatë një viti, që nga takimi ynë i fundit diplomacia shqiptare ka përjetuar aktivitetin më të ngjeshur dhe pa dyshim më të suksesshëm në historinë e saj. Në Samitin historik të Bukureshtit Shqipëria e mori ftesën për në NATO, nënshkroi ne korrik protokollin e anëtarësimit dhe po pret ratifikimin e tij nga të gjitha vendet anëtare me synim anëtarësimin me të drejta të plota para Samitit të Strasburgut.
Pas ezaurimit pa rezultat të negociatave shtesë, Kosova shpalli pavarësinë dhe u fut në rrugën pa kthim të integrimeve euro-atlantike. Procesi i ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian ka ecur në përputhje me parashikimet dhe pritet të përfundojë brenda vitit. Marrëveshja e lehtësimit të vizave u negociua, hyri në fuqi dhe po zbatohet. Që prej muajit mars ne jemi angazhuar në dialogun me BE-në për heqjen e vizave për hapësirën “Shengen”, dialog i cili ka arritur në një fazë dhe dimension të rëndësishëm dhe konkret. Në fund të vitit 2007 Shqipëria, e para nga vendet e rajonit, u bë anëtare e Procesit të Barcelonës, i cili, në Samitin e korrikut në Parisi, u transformua në Bashkimin për Mesdheun.
Në periudhën Maj-Tetor 2008 Shqipëria mori Presidencën e BEDZ dhe e përmbylli atë me sukses të plotë duke kryesuar nënshkrimin e një numër marrëveshjesh dhe dokumentesh të rëndësishme në një periudhë të vështirë për rajonin e Detit të Zi.
Shqipëria vendosi marrëdhënie diplomatike me 32 vende anëtare të OKB-së, duke shënuar kështu një moment historik për marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit tonë.
U miratua dhe nisi hapja e gjashtë ambasadave përkatësisht në Slloveni, Norvegji, Estoni, Portugali, Brazil dhe Indi, dhe e dy qendrave kulturore në Romë dhe Athinë. Gjatë këtij viti u zhvilluan mbi 90 vizita dhe takime të nivelit ministror e lart, dhe u nënshkruan mbi 120 marrëveshje dypalëshe dhe shumëpalëshe që kanë zgjeruar dhe forcuar kuadrin e së drejtës ndërkombëtare ku Shqipëria është palë.
Në të njëjtën kohë, MPJ dhe Shërbimi i Jashtëm avancuan edhe më tej procesin e reformave duke modernizuar dhe afruar praktikat tona me ato që zbatohen në vendet perëndimore, kryesisht ato të BE-së. Në çdo hap të këtij aktiviteti të ngjeshur dhe voluminoz, në çdo diskutim dhe negociatë të suksesshme, në çdo debat, dhe këto kanë qenë të shpeshta vitin që shkoi, ka spikatur përkushtimi, vendosmëria dhe profesionaliteti i diplomacisë shqiptare, në shërbim të interesave të Republikës dhe atyre kombëtare.
Por, dy janë ngjarjet më madhore me rëndësi si për Shqipërinë ashtu edhe për rajonin që dëshiroj t’i veçoj: ftesa për në NATO dhe pavarësimi i Kosovës.
Samiti i Bukureshtit, siç pritej, kurorëzoi përpjekjet tona për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO duke bërë kështu realitet njërën pjesë të ëndrrës euroatlantike shqiptare. Shqipëria në NATO do të thotë Shqipëria demokratike e sigurt dhe e zhvilluar. Ecuria e deritanishme në këtë proces, i cili pret të marrë konfirmimin përfundimtar në Samitin e prillit 2009, ka vërtetuar se Shqipëria është tashmë një demokraci funksionale dhe e stabilizuar, e gatshme për të marrë përgjegjësi më të mëdha dhe për të kontribuar bashkërisht me partnerët e tjerë në forcimin e paqes dhe sigurisë në Evropë.
17 shkurti i këtij viti, dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u dha fund dilemave dhe paqartësive, hamendjeve dhe hezitimeve, skenarëve dhe opsioneve. Ai kulmoi, në momentin e duhur, një proces që kishte filluar të shterej. Shpallja e pavarësisë në një proces të bashkërenduar me aktorët më të mëdhenj e të rëndësishëm të komunitetit ndërkombëtar, mbasi u shfrytëzua me vëmendje e durim çdo mundësi kompromisi, i dha fund procesit të trishtuar të shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë. Për ne ka qenë dhe mbetet e qartë se pavarësia ishte zgjidhja e vetme, më e drejtë e në përputhje me realitetin dhe me të drejtën e një populli evropian të jetojë në liri e fqinjësi të mirë.
Edhe pse shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk i ka bërë të gjithë njësoj të lumtur, edhe pse ka ende një numër vendesh që mendojnë se u duhet më shumë kohë për ta realizuar dhe pranuar realitetin e ri, ne konstatojmë me kënaqësi se Republika e Kosovës, shteti më i ri në botë, është njohur deri tani nga 51 vende, nga të gjitha kontinentet. Ndihma e të gjithë atyre vendeve që e kuptojnë dhe e pranojnë këtë realitet të ri në Evropë është e një rëndësie kyç për të përkrahur qeverinë e re dhe për të asistuar ekonominë, për të shoqëruar demokracinë në ndërtim dhe për të inkurajuar shoqërinë në formim të Kosovës. Angazhimi i aktorëve të mëdhenj, në veçanti strukturat e Bashkimit Evropian dhe vendeve të tij anëtare, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera, i ka shërbyer qëllimit në ndërtimin e një shteti demokratik dhe funksional. Në këtë kontekst, njohja e Kosovës nga dy vendet fqinjë, Mali i Zi dhe Maqedonia, është një veprim, përveçse i pritur, i zgjuar dhe me shumë vlerë. Me vendimin e tyre dhe në mënyrë të veçantë kohën kur ai u ndërmor, dy vendet fqinjë me Kosovën kanë ndërtuar një urë të fuqishme bashkëpunimi ndërshtetëror e në mënyrë të veçantë mes popujve. Dëshiroj të përmend këtu, gjithashtu, se në mënyrë simbolike por kuptimplotë faktin që autori i paketës që, pasi u shfrytëzua çdo mundësi tjetër, i hapi rrugë së vetmes zgjidhje të qëndrueshme, pavarësisë, u nderua para pak javësh me Çmimin “Nobel” të Paqes.
Në ndjekim me vëmendje qëndrimin e autoriteteve serbe dhe përpiqemi të kuptojmë logjikën e gjithë asaj veprimtarie frenetike bllokuese, frenuese, të të gjithë aparatit dhe makinerisë serbe ndaj Kosovës, në kundërshtim të plotë dhe frontal me politikën e Bashkimit Evropian në Kosovë, ndërkohë që janë po të njëjtët që kërkojnë të përfitojnë maksimalisht në rrugën e përafrimit evropian. Ne mendojmë se është më e udhës që autoritetet serbe të këshillojnë komunitetin serb që të gjejë vendin që i takon në një shoqëri kosovare shumetnike. Ne mendojmë se është koha që Serbia ta lerë Kosovën të ecë në rrugën e ndërtimit të shtetit të të gjithëve, të shohë drejt së ardhmes së saj duke u ndarë nga e kaluara që nuk e çon askund. Ne besojmë sinqerisht se pavarësia e Kosovës e ka çliruar edhe vetë shoqërinë serbe nga një barrë e së shkuarës komunisto-milosheviçiane, nga një trashëgimi që mbart plagët e dominimit dhe diskriminimit, duke i hapur kështu rrugën popullit serb të shohë përpara drejt së ardhmes së tij legjitime evropiane. Çdo përpjekje për të frenuar këtë proces, për të rishkruar ngjarjet është sa e pavend aq edhe e kotë, sa iluzive, aq edhe pa efekt. Askush nuk mundet të kthejë më Kosovën në Serbi dhe askush nuk duhet të ushqejë ndonjë iluzion se një gjë e tillë është e mundur. Autoritetet serbe kanë detyrën që këtë të vërtetë t’ia tregojnë edhe popullsisë serbe në vend që ta ushqejnë kotazi me të pamundurën. Pikërisht, në këtë optikë e kemi trajtuar edhe nismën serbe në OKB, si të panevojshme, jashtë kohe dhe, në analizë të fundit, pa efekt. Pavarësisht se cili do të jetë opinioni që mund të japë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ai do të jetë një mendim dhe jo vendim, dhe nuk do të mund të influencojë atë që është materializuar tashmë në Kosovë, zhvillimi i një shteti dhe shoqërie sipas parametrave të demokracisë perëndimore dhe në paqe, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë me të gjithë fqinjët e saj.
Ne mendojmë se duke i ofruar mundësinë e barabartë me vendet e tjera të rajonit për integrim evropian, Bashkimi Evropian duhet t’ia bëjë të qartë Serbisë se ajo nuk mund të ecë njëkohësisht në dy drejtime të kundërta. Autoritetet serbe duhet të bëjnë një zgjedhje, atë që është e rëndësishme dhe primare për popullin serb ndaj një qëndrimi që është tashmë i tejkaluar dhe relikte e së shkuarës. Ne nuk do të lodhemi së përsërituri se midis Serbëve dhe Shqiptarëve duhet të ngrihet një proces pajtimi, sipas modelit të pajtimit franko-gjerman. Brezat e rinj kosovarë e serbë nuk duhet të vazhdojnë të rriten me ndjenjën e armiqësisë që u transmeton trashëgimia e hidhur. Politikanët e sotëm kanë detyrë që barrën e rëndë të historisë ta shndërrojnë në ndjenjë pranimi të tjetrit në hapësirën e përbashkët. Të gjithë e dimë: politika serbe ka qenë në origjinë të katastrofës ballkanike; është po ajo sot që, por me një brez politikanësh të rinj e modernë, mund t'i japë një shtysë të fuqishme pajtimi rajonit tonë. Është pikërisht pranimi i pavarësisë së Kosovës që do ta çlirojë përfundimisht Serbinë, pasi do t’i lejojë asaj t'i kushtohet tërësisht së ardhmes evropiane dhe të mos humbë kohë duke përtypur të shkuarën.
Ftesa për në NATO dhe nënshkrimi e ratifikimi i protokolleve të anëtarësimit shënon kurorëzimin e përpjekjeve të gjata dhe të vendosura të Shqipërisë dhe arritjeve të saj. Për të është dashur një punë e gjatë dhe e madhe, këmbëngulje dhe përkushtim i palëkundur si dhe ndihma e vyer e miqve dhe partnerëve tanë në Aleancë.
Gjatë këtyre viteve, Shqipëria shënoi progres të dukshëm në të gjitha reformat e saj. Ajo forcoi institucionet e saj demokratike dhe shtetin ligjor. Ekonomia shqiptare gëzon një rritje me ritme nga më të shpejtat në rajon dhe me potenciale të mëdha për të ardhmen. Klima e biznesit është mjaft e favorshme dhe gjithnjë e më tërheqëse për investitorët e huaj. Reformat zgjedhore dhe ajo në fushën e drejtësisë po përparojnë me shpejtësi, të mbështetura nga një konsensus i fuqishëm politik.
Shqipëria është shtyllë e stabilitetit në rajon. Politika jonë e jashtme rrezaton moderim, dialog dhe bashkëpunim rajonal, si vlera të saj thelbësore. Shqipëria dhe shqiptarët besojnë dhe mbështesin fuqimisht dhe në mënyrë plebishitare projektin evropian dhe euroatlantik të rajonit. Forcat e armatosura shqiptare kanë ndërmarrë një transformim dhe modernizim thelbësor dhe sot shërbejnë krenarë, krah për krah, aleatëve të tyre në NATO. Ftesa në Samitin e Bukureshtit dhe ngjarjet që rrodhën janë konfirmim i këtyre arritjeve. Siç e përmenda më lart, objektivi ynë kryesor imediat është përfundimi i procesit të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit në NATO. Ne u jemi mirënjohës vendeve që e kanë miratuar në mënyrë të shpejtë, duke na treguar kështu se e kanë kuptuar se sa i rëndësishëm është ai për ne.
Ratifikimi i protokollit nga të gjitha vendet anëtare përbën një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet tona me ta dhe me Aleancën në tërësi. Ajo është shenjë e besimit të palëkundur tek Shqipëria si një shtyllë stabiliteti dhe faktor sigurie e paqe por në të njëjtën kohë, një investim i mëtejshëm në demokracinë dhe shtetin ligjor, ekonominë e tregut të lirë dhe të drejtat e njeriut, dhe reformat e pakthyeshme që Shqipëria ka ndërmarrë e po ndërmerr çdo ditë në funksion të forcimit dhe konsolidimit të tyre.
Me Bashkimin Evropian dhe 27 vendet e tij anëtare, Shqipëria vazhdon të zhvillojë një marrëdhënie bashkëpunimi të gjithanshëm, solid dhe të pakthyeshëm. Ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit është në përfundim dhe marrëveshja interim është zbatuar pa asnjë pengesë apo hezitim. Ndihmës së BE-së ne i jemi përgjigjur jo vetëm me mirënjohjen e natyrshme, por së pari, me angazhime konkrete, me programe pune të përbashkëta e të bashkërenduara si në fushën e mirëqeverisjes, funksionimin institucional, zhvillimin ekonomik, luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit etj., dhe me rezultate të dukshme. Unë kam besim se analizat dhe konkluzionet tona do të përkojnë me ato të raportit të progresit të Komisionit Evropian që do të publikohet pas disa ditësh, e i cili përbën një analizë të rëndësishme të zhvillimit të vendit në harkun kohor njëvjeçar. Përtej fjalëve, deklaratave apo dëshirave, në fund të fundit ajo që ka rëndësi është realiteti dhe në këtë fundviti 2008 ka më shumë se një gjë për të thënë: raporti i fundit i Bankës Botërore mbi klimën e biznesit në Shqipëri dhe vlerësimi në tërësi i reformave, raporti i “Transparency International” mbi rezultatet e luftës kundër korrupsionit, një vështrim tërësor pozitiv për situatën e përgjithshme në vend, gjithë ajo paketë reformash thelbësore e të guximshme kanë dhënë rezultate konkrete e të prekshme, janë provë e qartë se ne respektojmë angazhimet tona. Ne presim të marrim raportin e progresit 2008 dhe do të shohim me vëmendjen që meritojnë konkluzionet dhe rekomandimet.
Ne presim të punojmë ngushtë me Presidencën çeke të BE-së, ministri Shwarzenberg do të vizitojë Tiranën dhe do të përshëndesë këtë konferencë në ditën e fundit të saj, por dhe me atë pasuese, për të avancuar më tej projektet tona të përbashkëta. Ne jemi të përgatitur edhe për të parë në tej, më konkretisht, në bashkëpunim dhe konsultim të plotë me partnerët tanë, për hapat e tjerë që ne do të ndërmarrim në rrugën tonë të integrimit evropian. Nuk përbën as sekret e as ndonjë befasi fakti që ne kemi në mendje kërkesën për statusin e kandidatit në BE. Ky hap është në logjikën e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian. Në mënyrë që dëshira jonë e mbështetur në këtë logjikë të bëhet realitet, në një proces bashkëpunimi të ngushtë me partnerët tanë, ne do të gjejmë momentin më të përshtatshëm për ta paraqitur kërkesën dhe çfarë është më e rëndësishme, për ta kualifikuar Shqipërinë në këtë stad të ri të marrëdhënieve me BE-në.
Në leximin tonë situata e përgjithshme në rajonin e Evropës Juglindore është më e mira, më pozitivja dhe më e pasura në historinë e kësaj pjese të Evropës. Të gjitha vendet e rajonit drejtohen prej politikanësh të zgjedhur me votën e lirë, të gjitha vendet kanë demokraci funksionale dhe shoqëri të lirë. Katër vende të rajonit janë anëtare të BE-së, dy janë kandidatë dhe së shpejti numri i vendeve të rajonit anëtare të NATO shkon në 6 dhe pa përjashtim, të gjitha vendet i kanë orientuar politikat e tyre të zhvillimit në marrëdhënie të ngushtë me Evropën dhe në bazë të parimeve të fqinjësisë së mirë.
Për ne marrëdhëniet e fqinjësisë se mirë me vendet e Evropës Juglindore, mbeten prioritet i politikës së jashtme. Me të gjitha vendet e rajonit ne do të vazhdojmë të zhvillojmë atë marrëdhënie cilësore që i ka bërë vendet tona të ndërlidhura jo vetëm nga parimet e fqinjësisë së mirë, jo vetëm nga dëshira e shprehur, por edhe nga gjithë ai numër marrëveshjesh dypalëshe e shumëpalëshe, nga projektet e përbashkëta të integrimit në NATO dhe BE dhe projektet e zhvillimit ndër rajonal.
Në planin shumëpalësh, vendet e rajonit kanë ndërtuar një rrjet kontaktesh, marrëdhëniesh e forumesh të shumëllojshëm që na shërbejnë jo vetëm për të diskutuar për çështje të përbashkëta por edhe për të bashkuar energjitë dhe mjetet për të gjetur zgjidhje të përbashkëta. Sfida jonë e përbashkët është të arrijmë të realizojmë projekte me interes në sektorët e energjisë e transportit, konkretizimin e Tregut Rajonal Energjetik, veçanërisht për realizimin e projekteve të interkonjeksioneve dhe të linjave të transmetimit të energjisë në rajon. Krijimi i një zone të lirë tregtare për Evropën Juglindore është tashmë një arritje konkrete e integrimit tonë rajonal. Por ky proces integrimi tregjesh nuk është i plotë dhe nuk mund të jetë funksional pa sigurimin e kushteve për lëvizjen e lirë të qytetarëve në rajon.
Është paradoksale dhe e pashpjegueshme që ndërkohë që avancojmë në dialogun e liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian, ne ende nuk e kemi arritur këtë mes nesh. Nga Tirana deri në kufirin slloven duhen kaluar 5 pika kufitare, 5 kontrolle, 5 ndalesa me orë të tëra të humbura, sidomos gjatë sezonit turistik, ndërkohë që nuk ka asnjë të tillë nga Sllovenia deri në pikën më të lartë në Finlandë. Heqja sa më parë e vizave dhe e kontrolleve kufitare të panevojshme çlirojnë energjitë e sipërmarrjes, ul kostot për individët dhe ndërmarrjet, rrit kontaktet njerëzore, shton aktivitetet reciproke, i shërben mobilitetit turistik dhe në një analizë të fundit, favorizojnë njohjen më të mirë të njëri-tjetrit. Ne kemi kërkuar, jemi të gatshëm dhe presim që me të gjitha vendet e rajonit të negociojmë e përfundojmë marrëveshje të lëvizjes së lirë, siç kemi bërë këtë vit me Maqedoninë, duke e "shengenizuar" sa më parë rajonin tonë. Konkretizimi i hapave në këtë drejtim duhet të vazhdojë të jetë një nga prioritetet e bashkëpunimit të vendeve tona për periudhën afatshkurtër. Takimi i Ministrave të Brendshëm dhe atyre të Drejtësisë të rajonit me BE-në, në Zagreb më 6 dhe 7 nëntor 2008, duhet të shfrytëzohet maksimalisht edhe për këtë qëllim.
Është harxhuar shumë energji, kohë, bojë e letër për të artikuluar të ashtuquajturën ide të Shqipërisë së Madhe. Nga ana jonë kemi qenë të detyruar po ashtu të harxhojmë kohë e energji për të siguruar fqinjët, partnerët dhe cilindo të interesuar se Shqipëria është e do të jetë ajo që ka qenë, as më e vogël e as më e madhe. Mendoj se ia kemi dalë të bindim gjithkënd se në rrugën e saj të zhvillimit Shqipëria ka vetëm një axhendë atë të fqinjësisë së mirë dhe të integrimit euroatlantik.
Por, ndoshta është e vërtetë që ka aspekte që e bëjnë këtë Shqipëri më të madhe. Harmonia, mirëkuptimi, bashkëjetesa dhe bashkëpunimi mes komuniteteve fetare është një vlerë që kapërcen kufijtë e Shqipërisë dhe shoqërisë së saj. Për këtë ne duhet të ndihemi krenarë. Është një vlerë e vyer të cilën, përveçse duhet ta mbrojmë e zhvillojmë, ne duhet të vëmë gjithnjë në dukje, ta bëjmë të njohur qoftë për të zbuluar këtë aspekt tek ata që nuk na njohin ose na njohin keq, qoftë, nëse shërben, si model edhe për të tjerët. Një gjë e tillë, me të vërtetë që do ta bënte Shqipërinë të madhe. Të madhe jo në territor, as në synimet territoriale, por të madhe në transmetimin e vlerave të shoqërisë tonë, vlera, nga të cilat mund të përfitojë i gjithë rajoni ynë i Evropës Juglindore, i Mesdheut dhe i Detit të Zi.
Edhe pse terrorizmi global mbetet ende një kërcënim serioz për demokracinë, është me vend të theksohet se mobilizimi ndërkombëtar, bashkëpunimi i gjerë dhe i gjithanshëm - në kuadër të të cilit Shqipëria nuk ka kursyer asgjë - ka dhënë rezultate shumë inkurajuese. Demokracitë nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse t’u bëjnë ballë dhe të fitojnë sfidat në fushën e sigurisë dhe të mbrojnë popullsitë e tyre, zhvillimin ekonomik dhe vlerat e përbashkëta. Shqipëria do të jetë gjithnjë seriozisht dhe tërësisht e angazhuar përkrah partnerëve të saj.
Gjatë një viti anëtare në Bordin e Guvernatorëve të IAEA-s në përputhje me angazhimet, Shqipëria ka luajtur rolin që i takon, duke marrë përgjegjësitë e duhura. Shqipëria ka qenë aktive në mbështetje dhe në mbrojtje të rolit të agjencisë, në mënyrë të veçantë për vendimet që sigurojnë një sistem masash mbrojtëse dhe kanë karakter universal. Bota nuk ka nevojë për rreziqe shtesë, prandaj edhe duhet siguruar përdorimi i energjisë atomike ekskluzivisht për qëllime paqësore, ndërkombëtarisht të verifikuara, transparente dhe në përputhje me parametrat e sigurisë maksimale.
Ne jemi të interesuar dhe do të vazhdojmë të kontribuojmë për të pasur një OKB të fortë, funksionale dhe të suksesshme, si zemra e sistemit shumëpalësh global dhe jemi të gatshëm të shtojmë kontributin tonë në favor të bashkëpunimit ndërkombëtar, paqes, sigurisë, zhvillimit të qëndrueshëm dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Presidenti i Republikës e theksoi qartë këtë angazhim në debatin e përgjithshëm të sesionit të 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kriza e thellë financiare e kësaj vjeshte na kujtoi edhe një herë, në mënyrë brutale dhe të pamëshirshme, se jetojmë në një botë tërësisht të ndërvarur dhe për t’iu përgjigjur suksesshëm problemeve dhe krizave, si politike ashtu edhe ekonomike, tregtare, ashtu dhe financiare nevojitet, përveç rregullave të lojës më të qarta, edhe një mekanizëm efektiv për të parandaluar krizat, siguruar rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Është e qartë dhe e paevitueshme: sfidat globale mund të marrin përgjigjen e duhur vetëm nëpërmjet një mekanizmi koordinimi global dhe të ndërvarur. Kësaj nuk mund t’i shmanget më askush dhe kombet, të vogla apo të mëdha, të pasura apo të varfra, do të duhet të bashkëpunojnë, të ndihmojnë njëri-tjetrin. Ne shprehim kënaqësinë për reagimin e koordinuar që Bashkimi Evropian, nën udhëheqjen e Presidencës Franceze, po i jep problematikës së krizës financiare.
Me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, Shqipëria ka një marrëdhënie të veçantë. Shqipëria është anëtare e OSBE-së dhe njëlloj e interesuar si vendet e tjera anëtare për fuqizimin e saj dhe të aktivitetit të saj. Prej disa vitesh ne punojmë në mënyrë të suksesshme me praninë e saj në Shqipëri, e cila, duhet theksuar, ka dhënë një ndihmë të çmuar në zhvillimet demokratike në vend. Është pikërisht ky rekord i pranisë, analiza e detajuar e një aktiviteti shumëdimensional që na ka çuar në konkluzionin dhe gatishmërinë, për të ndërtuar një marrëdhënie më të ngushtë me praninë, duke e përqendruar aksionin e saj në fushat dhe aspektet për të cilat ne mendojmë se ajo ka ekselencën për të ndihmuar rrugëtimin tonë në përmbushjen e prioriteteve madhore të programit tonë të zhvillimit, me theks të veçantë në reformën zgjedhore dhe reformën në drejtësi. Pas pak ditësh unë do të shkoj në Këshillin Permanent në Vjenë për të diskutuar edhe më tej për marrëdhëniet tona të sotme dhe të ardhme me OSBE-në.
Nga 1 prilli deri më 30 tetor, Shqipëria e realizoi kryesinë e Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC), në kushtet kur rajoni i zgjeruar i Detit të Zi, gjithnjë e më shumë, po transformohet në një zonë dinamike zhvillimi me peshë në rritje, si në rrafshin gjeo-politik, ashtu dhe në atë gjeo-ekonomik. Presidenca shqiptare u kushtoi vëmendje të veçante aktiviteteve në nivelet sektoriale, si parakusht për promovimin e mëtejshëm të bashkëpunimit shumëpalësh në rajonin e BEDZ-it dhe për përparimin e Organizatës. Në kalendarin e kryesisë sonë ishin parashikuar mbi 55 veprimtari, duke përfshirë takime ministeriale, konferenca ndërkombëtare, takime të grupeve të punës, seminare, tryeza të rrumbullakëta, ekspozita etj. Gjatë këtyre muajve janë mbuluar me aktivitete fushat dhe sektorët më të rëndësishëm, me synim rritjen e bashkëpunimit të vendeve anëtare në fushat e energjisë, transportit, mbrojtjes mjedisore, lehtësimit të tregtisë dhe investimeve, bashkëpunimin në bujqësi, arsim, shkencë, teknologji, shëndetësi farmaceutikë, sistemin bankar, financë etj. Ne ja dolëm, me një situatë, jo pa komplikime, të përfundonim me sukses këtë kryesi, duke arritur nënshkrimin e dy marrëveshjeve: Për liberalizimin e vizave për shoferët kamionistë dhe biznesmenët dhe të miratonim direktivat për përmirësimin e eficencës të sekretariatit të organizatës sonë.
Javën e kaluar Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë zhvilloi Samitin XII, në Kebek, Kanada. Organizata e ka shtrirë aktivitetin e saj, ka forcuar ndjeshëm dimensionin politik, ka vënë një theks të vërtetë në çështjet e të drejtave të njeriut dhe sigurisë njerëzore dhe dimensioni evropian i saj, po ashtu, është zgjeruar ndjeshëm. Veprimtaria jonë në këtë organizatë është po ashtu e lidhur me mbrojtjen e kulturës në tërësi, në mënyrë të veçantë me mbrojtjen dhe zhvillimin e diversitetit kulturor. Asnjëherë më shumë se sot nuk ka qenë i nevojshëm dialogu i kulturave, bashkëpunimi i ndjeshmërive të ndryshme, në rajone e kontinente të ndryshëm dhe në këtë drejtim, siç ceka dhe më sipër, ne kemi çfarë të ofrojmë.
Pikërisht për të kontribuar në këtë drejtim Shqipëria është anëtarësuar në Grupin e Miqve të Forumit të Aleancës së Qytetërimeve dhe synon të luajë një rol sa më aktiv. Ne kemi iniciuar një proces konsultimi publik për Strategjinë Kombëtare të Dialogut Ndërkulturor, mbi bazën e së cilës do të ndërtojmë shpejt Planin e Veprimit tonë në kuadër të Aleancës së Qytetërimeve.
Në fund të vitit 2007 Shqipëria u bë anëtare e Procesit të Barcelonës, të cilën Samiti i Parisit në korrik të këtij viti e transformoi në Bashkimin për Mesdheun. Si vend mesdhetar me lidhje gjeografike, historike dhe kulturore me vendet e tjera mesdhetare Shqipëria e gjen veten natyrshëm në këtë kuadër dhe po merr pjesë aktive në të gjitha aktivitetet. Mbledhja ministrore që do të mbahet në Marsejë më 3-4 nëntor 2008, do të marrë vendime të rëndësishme për sendërtimin e organizimit të ri.
Nëse mendojmë se aktiviteti ynë diplomatik ka qenë i suksesshëm, në masë të madhe kjo është bërë e mundur në sajë të angazhimit të vazhduar e serioz të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm. Kësisoj gjatë këtij viti kemi vazhduar procesin e reformës në Shërbimin e Jashtëm duke synuar modernizimin dhe afrimin e tij me praktikat që zbatohen në vendet perëndimore, kryesisht ato të Bashkimit Evropian.
Në përputhje me angazhimet e reja, Ministria e Punëve të Jashtme ka sot një strukture të re, më koherente dhe me një numër më të madh të punonjësve të saj. Në mënyrë të veçantë tre akset kryesore: marrëdhëniet rajonale, marrëdhëniet me BE-në dhe marrëdhëniet me NATO-n janë aspektet që janë zgjeruar ndjeshëm.
Shërbimi i jashtëm është shtuar me anëtarë të rinj, të rekrutuar mes kandidatësh që kanë formim solid në universitetet më të mira brenda dhe jashtë vendit, në përputhje me kushtet e reja në të cilat zhvillohet aktiviteti diplomatik. Cilësia do të vazhdojë të jetë në qendër të rekrutimeve të reja. Në këtë kontekst ne mendojmë se ka vend për të parë dhe përmirësuar teknikën e rekrutimit, në mënyrë që konkursi i pranimit në Shërbimin e Jashtëm të jetë modeli i pranimit në Shërbimin Civil.
Në përputhje me synimet tona ne kemi vazhduar të zgjerojmë përfaqësimin tonë diplomatik dhe kemi marrë vendimin dhe nisur hapjen e përfaqësive diplomatike, në disa raste kemi përfunduar, në Slloveni, Portugali, Estoni, Norvegji, Brazil dhe Indi, duke iu përgjigjur kështu nevojës për zhvillimin e kontakteve dhe marrëdhënieve më të ngushta.
Unë jam i ndërgjegjshëm se me gjithë përmirësimet që kemi arritur të bëjmë, situata në Shërbimin e Jashtëm ka nevojë për përmirësime të tjera, të cilat do të kërkojnë edhe përpjekje edhe burime njerëzore e materiale shtesë, për të cilat unë jam tërësisht i angazhuar. Unë jam plotësisht i ndërgjegjshëm për veçantinë e punës së anëtarëve të shërbimit të jashtëm në përfaqësitë diplomatike, për kushtëzimin që shpesh krijon vetë natyra e shërbimit, largësia, lëvizjet nga një vend në një tjetër dhe pesha që e gjithë kjo shkakton mbi pjesëtarët e familjeve të diplomatëve tanë. Në përputhje me filozofinë tonë, me angazhimet që kemi marrë si dhe me nevojën për ta çuar trajtimin e Shërbimit të Jashtëm afër mesatares që aplikojnë vendet e tjera rajonale, ne jemi angazhuar për të parë sa më konkretisht aspektet që duhet të përmirësojmë në mënyrë që trajtimi i diplomatëve tanë të jetë dinjitoz dhe në funksion të rritjes së cilësisë së aktivitetit në tërësi.
Objektivat tona për anëtarësim në NATO, anëtarësim në Bashkimin Evropian, për një diplomaci aktive e profesionale të lidhur në mënyrë të qenësishme me përmirësimin e imazhit dhe tërheqjen e investitorëve e turizmit të huaj, për një rol më të madh në rajon e në Evropë, na çojnë natyrshëm në parashikimin e mjeteve në përputhje me synimet tona. Pa këtë ne nuk do të jemi në gjendje as të rekrutojmë më të mirët e as tu përgjigjemi sfidave dhe mbrojtjes së interesave tona në lartësinë e kërkuar.
Por nga ana tjetër, prej anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm duhet punë serioze e cilësore, profesionalizëm i shtuar e angazhim i vazhdueshëm. Shërbimi i Jashtëm ka ndër detyrat thelbësore të ofrojë mbrojtje të shkëlqyer të interesave të vendit e të shtetasve. Çdonjëri prej jush, në fund të ditës, duhet të jetë në gjendje t’i përgjigjet pyetjes se çfarë ka bërë që vendi i tij të njihet më shumë, që numri i miqve të jetë më i lartë, nëse shtetasit shqiptarë apo të huaj kanë gjetur tek përfaqësia imazhin e ripërtërirë të vendit, cilësinë dhe profesionalizmin e shërbimit më të mirë publik, ndihmën dhe asistencën e pakufizuar brenda përgjegjësive dhe detyrave. Ambasadori dhe bashkëpunëtorët e tij, si pjesë e Administratës Civile duhet të dinë të prezantojnë në çdo kohë vendin, vlerat e tij të trashëgimisë e të kulturës, në dritën e zhvillimit dhe dinamikën e avancimit të përgjithshëm. Në këtë kuadër ne jemi të vendosur të përparojmë më tej me reformat në shërbimin konsullor. Dixhitalizimi i procedurave dhe thjeshtimi i tyre, ndërtimi i qendrës së integruar të vizave dhe të të dhënave konsullore, mbeten prioritet madhor për 12 muajt e ardhshëm.
Një punë e vazhdueshme dhe ritme të larta kërkohen edhe në drejtim të diasporës tonë. Në këtë kuadër programet e MPJ për vitin që vjen parashikojnë një bashkëpunim më të ngushtë me entitetet ekonomike dhe shoqërore te vendit për të siguruar një dimension më cilësor në arsimimin e brezit të ri të diasporës shqiptare kudo në botë.
Programet e reja të imazhit dhe të diplomacisë publike synojnë përmirësim të imazhit të Shqipërisë nëpërmjet një angazhimi shumëdimensional më Botën, programet fellowship-i jashtë dhe vizitorësh brenda dhe një numër i madh programesh të tjera me agjenci të specializuara te imazhit.
Një risi në programet e Ministrisë së Jashtme për vitin që vjen në bazë të projekt-buxhetit dhe buxhetit të miratuar tashmë në Parlament është partneriteti më i ngushtë me shoqërinë civile shqiptare. Ky partneritet do të mishërohet midis programeve, të cilat përfaqësojnë objektivat e politikës së jashtme të Shqipërisë, në bashkëpunim edhe me vendet mike. Në mungesë të një agjencie të specializuar, por në evidencë të vullnetit të plotë politik të qeverisë dhe të ministrisë së Punëve të Jashtme, kërkohet që këto programe të bashkërendohen për të avancuar ato qëllime të politikës sonë të jashtme, veçanërisht në respekt të rajonit, të Evropës Juglindore e më gjerë siç janë pjesëmarrja qytetare në ndërgjegjësimin për integrimin rajonal e evropian, proklamimin e vlerave, të tolerancës, harmonisë dhe dialogut, mbrojtja e minoriteteve, leverdia e përbashkët në forcimin e shtetit ligjor, demokracisë dhe luftën trans-kufitare kundër krimit.
Pa dashur të përsëris atë që kryeministri theksoi gjatë fjalës së tij dje, duhet të jetë e qartë që diplomacia ekonomike duhet të zërë një dimension të veçantë. Struktura e re kalon përgjegjësinë për dosjen ekonomike në drejtorinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe kështu pranë çdo misioni dhe ambasade si një fokus dhe përparësi e dorës së parë. Transformimi dhe zhvendosja e fokusit tek diplomacia ekonomike, nuk do të jetë një proces as i lehtë dhe as i shkurtër por mbështetja e qeverisë dhe premtimi i shtimit të resurseve në këtë drejtim, është padyshim një angazhim mbi të cilin ne duhet të mbështetemi për të nisur këtë transformim të qenësishëm dhe të domosdoshëm për vendin tonë.
Në përfundim, zonja dhe zotërinj, më lejoni të them se viti që kaloi e ka pajisur dhe armatosur shërbimin e jashtëm të Shqipërisë me një eksperiencë të vyer. Një bazë të shkëlqyer për të vazhduar punën tonë. Le të hedhim vështrimin tonë drejt objektivave të vitit që vjen, anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, përafrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit evropian, përafrimin sa më shpejt të datës ku qytetarët shqiptarë do të lëvizin pa viza drejt hapësirës “Shengen”.
*Fjala e ministrit të Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, në Konferencën e Ambasadorëve 2008