Ndjenja nuk mjafton
Astrit Lulushi (SHBA)
Disa mendojnë se njeriu ka vetëm një jetë, dhe ndërsa vitet kalojnë, ai/ajo gjithnjë më shpesh priren të mendojnë: sa të ndershëm kanë qenë? Sepse një prej rregullave kryesorë të moralit, që mendohet se nuk ka ndryshuar që prej fillimit të njerëzimit, është se njeriu duhet të jetë i ndershmëm. Ndershmëri të gjithë pretendojnë se kanë, prandaj sot kjo fjalë e holluar, e tejdukshme nga përdorimi i tepruar - quhet integritet - i njëjti kuptim, por theksim më i fortë si kontrasti i së njëjtës pamje, për të treguar se është e nevojshme.
Njerëzit që besojnë në gëzim dhe vuajtje në jetën tjetër, thonë se arsyeja që i bën të jenë të ndershëm, të fjalës, miqësorë, është se kështu e kërkon Zoti, i cili ka në dorë shpërblimin a dënimin e përjetshëm. Thomas Hobbes thotë se njeriu është i ndershëm, sepse kështu e kërkon e mira e përgjithshme dhe se Sovrani e ndëshkon, nëse nuk vepron kështu. Frika qëndron e varur mbi kryet e njerëzve të tillë, që i bën të mos veprojnë ndryshe.
Por ekziston edhe një kategori njerëzish, thotë Xhon Loki, të cilët këmbëngulin se është e turpshme, nën dinjitetin njerëzor, e kundërta e virtytit, për të mos qenë i ndershëm.
Miqësia ështe bashkim shpirtrash. Ky bashkim, si martesa, ndonjëherë është i divorcueshëm. Miqësia është kontratë e heshtur mes njerëzve jo vetëm me ndjenja, por edhe virtyte, thotë Volteri. Me ndjenja, sepse i ndjeshëm është edhe mizantropi, i cili jeton i vetmuar, pa njohur kurrë kuptimin e miqësisë. Me virtyte, sepse njerëzit me vese kanë vetëm bashkëfajtorë, ashtu si njerëzit e shthurur bashkohen në shfrenime. Njerëzit vetëm me ambicje kane thjesht partnerë a kolegë. Politikanët tërheqin vetëm përkrahës, pa të cilët s’bëjnë dot. Edhe indiferentët lidhen mbas diçkaje, mbas vetes. Ndërsa mbretërit, të cilët nuk i besojnë njeriu, mbajnë oborrtarë. Janë vetëm njerëzit me ndjenja e virtyte, ata që kanë miq.
Për 45 vjet Shqipëria jetoi e izoluar, si heremit, pa njohur kurrë kuptimin e miqësisë me vende të tjera. Mbreti Zogu, disa herë objekt atentatesh, mbante rreth vetes një numër oborrtarësh. E. Hoxha kishte bashkëfajtorë. Noli e Konica, me shkrime e veprime, treguan se edhe pse ndonjëherë nuk pajtoheshin, ishin njerëz me ndjenja e virtyte, prandaj mbetën miq.
29 Qershor 2009