Herë të shenjtë, herë pornografikë
Rudi EREBARA
Shumë vite më parë shova dëshirën për dije dhe vendosa të lexoj pa mbajtur mend. Përjetimi i këtij eksperimenti me kujtesën më duket se më shëroi nga morali i vërtetë i letërsisë. Moral që është aq shoqëror, sa e përmirëson përmes tekstit të librit botën, duke e ngjyrosur me gëzim, dhimbje dhe ndjenja të tjera si këto.
Në fletoren e shënimeve, gjeta një frazë shpjeguese për këtë gjendje letrare: “Sa mirë jam sot që i kam mirë flokët.” Fjali e dalë nga goja e një vajze ,që edhe sot beson se letërsia në vetvete është material.
Për të kundërshtuar materialin e letërsisë, unë i shpjegova provën fizike dhe përgatitjen imagjinative (në kuptimin tregimore, narrative), që pata bërë për t’i vërtetuar vetes materialin e letërsisë.
1.
Sigurisht, në fillim u mora me letërsinë si materie lëndësore, d.m.th. si një gjë që mund të merret me dorë, të transportohet dhe të shndërrohet në një formë tjetër. Për fazë të parë, provova të digjja ato që shkruaja dhe të rilexoja ngjarjen mes reflekseve të bojës së djegur mbi letër të djegur. Ai xixëllim i shkurtër dhe përkujdesi fizik për të mbrojtur ngjarjen, e cila ndodhej mbi letër ndërkohë, vërtetoi kohën e letërsisë si të vdekshme. Kalimi i flakës mbi rreshtat e shkruar, jo vetëm që ruante autorësinë, pasi ishte diçka e shkruar nga unë, por për më shumë më krijonte ndjenjën e kontrollit të gjithëpushtetshëm mbi veprën, duke më shtyrë drejt rrugës së sigurt të stilit.
Letërsia e konsumuar prodhonte fizikisht mbetje.
Në fazën e dytë, imagjinova si fillim një përmasë të madhe për materialin e letërsisë. Doja të kuptoja për më tej, a ishte në të vërtetë e barabartë letërsia botërore me atë individuale. Dhe procesi i djegies së librave m’u duk edhe si arritje e kohës së letërsisë si lëndë, por edhe si moral i prishur shoqëror. Kjo ngase, sido që të ndodhte ngjarja, materiali i mbetjes së letërsisë pas konsumumit të ngjarjes ishte gjithmonë i zi si karboni.
Në këtë moment të lidhjes së letërsisë me lëndën, m’u desh të luftoja me idenë se librat që po digjeshin, nuk duhej të digjeshin, pasi nuk riktheheshin dot më në gjendjen fillestare. Si pasojë e kësaj lufte, mbërrita në kulmimin hipokrizik (si një fenomen fizik) të përgatitjes së djegies si një ngjarje letrare, e barabartë me aktin e shkrimit apo të leximit. Me të njëjtin përkushtim të luhatshëm, me të cilin kryeja leximin dhe shkrimin, arrita të shoh edhe djegien. Diku në një rrugë reale të kohës së rinisë, gjendej një oxhak i madh në faqen e murit të një shtëpie të shembur prej vitesh. Muret ishin prej balte të tharë e përherë pas shirave njomeshin si dëshira adoleshentësh dhe treteshin. Vetëm në këtë faqe koha nuk ndryshonte. Mbi to letërsia jetonte herë me emra njerëzish që shkruanin fëmijët apo të dashuruarit, e herë me emra librash që i shkruaja unë me shkumës të bardhë mbi faqet e zeza të oxhakut gjithë blozë, përpara se të digjja një libër. Lidhja e fshirjes me fshirje dhe mbijetesa e letërsisë si kujtesë, e vërtetonte më së miri lëndën e ndryshueshme. Bloza e letërsisë libër mbulonte vetveten në faqen e murit, njëlloj me sasinë e vogël të letërsisë që digjja unë përmes një flete letre të shkruar me dorë apo me makinë shkrimi.
Nën një kusht të tillë lirik, me kohë përpiqesha të rigjeja letërsinë në këtë oxhak të mbetur më këmbë, pasi ferra e ngjeshur e një trëndafili të egër me lule të bardha e rozë nuk lejonte shirat të zbusnin tullat e baltës e ta kthenin gjithçka në një rrënojë të vërtetë, si bibliotekën e bërë përmbys në kokën e një lexuesi.
Ky oxhak ku digjeshin librat, më bënte të besoja se në njëfarë mënyre librat mundet thjesht të piqeshin si bukë, e kjo jo se nuk ka ndodhur në të vërtetë. Vetëm se pikërisht në këtë oxhak të varfër, të ndërtuar varfër, nga një familje e varfër, së cilës iu prish shtëpia nga zjarri që ra mbi librat e fëmijëve, letërsia e shkrimi ndoshta do të ishin më frytdhënës sikur librat të piqeshin si bukë në furrë, edhe pse në këtë rast nuk ushqenin dot më mirë, të paktën nuk do të digjnin shtëpinë e t’i nxirrnin njerëzit e gjorë nën yje. Ky ishte rasti, kur letërsia në fakt fajësohej fizikisht si materie.
Në majë të oxhakut, aty ku del dhe tymi, dukeshin mes trëndafilave të egër, të bardhë e rozë, disa radhë tullash të pjekura e të nxira. Prej kohësh e shirash, llaçi i çuditshëm mes tyre kishte rënë dhe një rrjedhë e bardhë në gri kullonte poshtë, për të larë blozën e të dyja djegieve.
2.
Ja, këtu gjeta mjetin në formën më të afërt të letërsisë. Një copë qymyrdruri i mbetur nga zjarri që dogji shtëpinë. Në fakt, nuk doja aspak të kujtoja gjithë druvarët e gjithë sëpatat që presin pyjet e gjithë botës për të prodhuar letër e dru për zjarr, pasi kjo më kujtonte letërsinë si dëmi i dytë pas djegies së shtëpisë së fqinjëve të mi të varfër.
Këtu jemi të gjithë fajtorë, si personazhe, ne njerëzit që imagjinojmë përkryerjen përpara një oxhaku me dru që digjen dhe me një libër të shkruar mirë në prehër. Nuk dua aspak të kujtoj mbrojtjen e natyrës, asgjë të tillë.
Por dua të kthehem edhe një herë te materiali përbërës i letërsisë. Qymyri i drurit xixëllonte brenda përbërjes së vet, thua se univesri i largët ishte mpiksur aty me yje që kanë përsëri dritë. Kjo edhe sot më duket se ka të bëjë sigurisht me letërsinë, si lëndë e parë me aftësi djegëse si libri, me aftësi gjurmëlënëse si shkumësi. Mjaft për të qeshur mund të duket edhe situata e një mishi të pjekur me librin e një gjeniu, jo për hall apokaliptik, por thjesht për t’u përpjekur të arrish të barazosh shijen me nevojën, për të prekur ndoshta një fund të thellë: domosdoshmërinë dhe nevojën e letërsisë për ekzistencën e jetës.
Nisa të shkruaj mbi oxhakun e nxirë të atij muri për pothuaj një muaj, aq herë sa më binte rruga andej. Copa e qymyrit vinte e zvogëlohej për aq herë, sa i jepte jetë gërmave dhe zjarri i librave e rimbulonte ngjarjen.
Kështu që, pa e zgjatur, u mërzita me letërsinë e së zezës mbi të bardhë dhe procesionin e përgatitjes së materialit për letërsi. Karboni i mirë kërkonte mund e kohë, përzierje balte dhe mungese ajri që të shkruante rrjedhshëm një mendim letrar njëlloj si boja e stilografit. Provova edhe ta lag e, në të vërtetë, shkruante mirë, por vetë fakti që humbiste nga tiparet e veta letrare, pra që nuk digjej më, më bëri ta lë pas këtë teknikë të shkruari. Por ama edhe uji i shiut.
Kështu, pas pak kohe, ia mbusha mendjen vetes me sasinë e shkrimeve dhe të qymyrit të prishur mbi oxhakun e zi prej bloze e tullash prej balte të papjekur, ndaj nisa të kërkoj për formën e materialit letrar. Copa të ndryshme të qymyrit të drurit, kur goditeshin me këmbë, ndryshonin paraqitjen dhe shënonin letërsi të dimensioneve të ndryshme. Pa dallim, që të gjitha kishin ato xixëllimat e ndritshme që ngjanin me yjet e natës me qiell të kthjellët, aqsa të shohësh përtej frymës që nxjerr nga goja.
3.
Faza e fundit, mesa duket, erdhi si pasojë e tejmbushjes së oxhakut me letërsi të shkruar e të djegur, dhe sidomos në kohë shirash bloza e tymit përzihej me pluhurin e qymyrit dhe i gjithë vendi nxihej aq shumë, sa nuk kishe ku vije këmbët mbi këtë hi letrar, me të cilin nuk laje dot as edhe një rrobë, vërtet as kaq pak, nuk bënte letërsia; as sa bën hiri i dalë nga djegia e trupit njerëzor. Lumenjtë e vegjël të llumit të zi ngjanin si një hartë e vogël gjeologjike dhe ja, pikërisht kjo do t’u kujtonte të gjithëve, cilido që ta kishte parë, pse uji i lumenjve të hershëm lante aq mirë rrobat e bëra pis të të gjithëve. Qoftë edhe të një shkrimtari, që vuante mes djersësh përpjekjen për t’u bërë i barabartë me letërsinë e madhe e të lartë. Hiri i trupit njerëzor krejt anonim dhe jashtë çdo universi në lumenjtë e botës, rrodhi dhe na pastroi për të ardhur përherë e më shpesh në këto ditë, kur shpirti ka marrë pamjen e rrobave dhe pastrohet me lexim librash herë të shenjtë e herë pornografikë. Kjo ishte makina larëse më e mirë e shpikur natyrshëm nga lufta, një marrëdhënie si zjarri me librin. Si larja e trurit dhe mbushja e tij me letërsi. Me botën e të tjerëve.
Kjo ishte një lloj letërsie që të bënte pis më shumë se boja e penës, përpara shpikjes së stilografit. Të bënte pis siç bëhej pupla e patës, që pak pas therjes së saj e kthente jetën sërish në letër, për një libër të madh ku përmendej pata që tretej në stomakun e shkrimtarit dhe ëndrra për të fluturuar në polet e globit. Në këtë fazë mbaj mend se edhe i fotografova prodhimet e zeza letrare, që linin këpucët e mia mbi baltën e hirit të letërsisë së djegur. Kur koha u ngroh dhe dielli nisi të zbulonte më shumë seç duhej, e pashë që ishte moralisht pak e dëmshme të vazhdoja eksperimentin me prodhimin e materialit letrar dhe me këtë të fundit të letërsisë, pasi thjesht për moral njerëzor mundet të ngjaja pak i lajthitur. Me copat e fundit të qymyrit gjeta një vend tjetër, një gur të madh të ngulur në tokë, për të cilin edhe sot besoj se është maja e një mali të mbuluar nga fushat. Mbi një sipërfaqe të pastër letërsia shkruhej jo vetëm ndryshe, por vetë sipërfaqja, ashtu si në rastin e librave me mbulesë të trashë, të cilëve kartoni i fortë i kopertinës u zgjaste jetën si në flakë, ashtu edhe në bibliotekë, të detyronte një stil të ri.
Pas disa kohësh, letërsia mbi gur nuk ishte më asgjë më shumë sesa një formë e shkrimit të rrugës që ngjitet majës së një mali. E zeza e karbonit dhe e bardha e shkumësit u përzien dhe u shuan nga era e shiu, sa më në fund ngjarja e vetme mori kuptimin: një majë mali pis me bojë të zezë. Ndeza një turrë me dru e mbi to hodha disa libra. Duke ardhur nata, yjet u ndezën më duket më shumë se copat e qymyrit të dala nga librat e dukej sikur të gjithë atje lart po prodhonin letërsi materiale. Dukej se do vinte dita me dritë. Copa e qymyrit në të djathtën dhe e shkumësit në të majtën më jepnin të gjitha shanset të prodhoja letërsi. Me një qiell aq të madh lart, që ngjante si pasqyra ku po shihej qielli me qiell, me aq shumë yje dhe kaq shumë dimensione të letërsisë, s’më mbetej veç të mendoja për stilin.
E stili më kujtoi gjuhën. Më kujtoi edhe hirin njerëzor, që mundet e doemos ka larë me miliona palimpeste si rroba në një makinë larëse. Më kujtoi valët e ujit, të cilat si koha, lajnë e shpëlajnë djersën nga kujtesa jonë e përbashkët, ngjarjet letrare të ndodhura e jo. Më kujtoi me gjuhën e lidhur nga heshtja e madhe e universit, me zjarrin që po djeg dru për libra e libra për dru, me mallëngjimin e dobët të raportit me librin që lexohet natën e dimrit pranë zjarrit, me mjete letrare për një letërsi materiale si lënda; e kuptova: S’kam ku shkruaj.
12 Maj 2008