Strofulla e Përbindëshit
Ray BRADBURY
Nata frynte përmes fijeve të shkurtra të barit të fushës; s’kishte asnjë lëvizje tjetër. Kishin kaluar vite të tëra qyshkur zogu i fundit kishte fluturuar nën kupenë e lartë të guaskës së qiellit. Shumë kohë më parë, disa gurë të vegjël ishin përpjekur të imitonin jetën, duke u thërrmuar e duke u kthyer në pluhur. Tani nata ishte e vetmja që lëvizte në shpirtrat e dy burrave të përkulur mbi zjarrin e tyre të vetmuar, në mes të natyrës së egër; errësira rrëshqiste e pandalshme përmes venave dhe përpiqej si e si të shpërthente nga tëmthat e damarët e tyre.
Drita e zjarrit lëpinte fytyrat e çmeritura dhe u jepte syve ca si drithërima në ngjyrë portokalli. Ata dëgjonin frymëmarrjen e lehtë e të ftohtë dhe shihnin pulitjen e syve si prej nepërke të njëri-tjetrit. Më në fund, me shpatën e tij njëri ngacmoi zjarrin.
“Çfarë bën, mor budalla, ke për të na zbuluar vendndodhjen!”
“E ç’rëndësi ka?”, tha i dyti. “Dragoi na e ndien erën që prej miljesh të tëra larg. Për atë Zot, sa ftohtë që është. Ah, sikur të ishim në kështjellën tonë!”
“Ne po ndjekim vdekjen e jo gjumin...”
“Përse? Përse? Dragoi kurrë nuk i afrohet qytetit!”
“Hesht, budalla. Ai gllabëron njerëzit që udhëtojnë të vetmuar, nga qyteti ynë për tek ai tjetri!”
“Le t’i gllabërojnë ata, dhe ne le të kthehemi në shtëpi!”
“Hesht, pra, dhe dëgjo!”
Të dy burrat s’pipëtinë.
* * *
Pritën për një kohë të gjatë, por s’dëgjuan tjetër përveç dridhjes rrëqethëse që nxirrnin lëkurët e kuajve të tyre të shqetësuar, si tamburina prej lëkure të zezë që tringëllinin në errësirë, lehtë-lehtë.
“Ah”, psherëtiu burri i dytë. “ǒvend makthesh. Çdo gjë mund të ndodhë këtu. Ja, dikush shuan diellin dhe menjëherë bëhet natë. Dhe pastaj, ah, pastaj..! Thonë se sytë e dragoit janë prej zjarri. Frymën e tij, si një gaz i bardhë, kur digjet mund ta shohësh prej shumë larg, në errësirë. Ai vrapon me squfur e rrufe dhe djeg barin. Bagëtitë i zë tmerri dhe ngordhin në çast. Gratë lindin para kohe përbindësha. Furia e dragoit është kaq e madhe, sa shemb edhe kullat e kështjellës. Viktimat e tij gjenden në agim të copëtuara e të masakruara kodrave. Sa kalorës, sa kalorës po të pyes, kanë sulmuar këtë përbindësh dhe kanë dështuar në misionin e tyre, po ashtu si ne?”
“Mjaft me këto!”
“Më shumë se mjaft. Këtu, në këtë shkretim, unë s’mbaj mend as në cilin vit jemi.”
“Nëntëqind vjet që nga Lindja.”
“Jo, jo”, pëshpëriti burri i dytë, me sytë mbyllur. “Në këtë fushë Koha s’ekziston, vetëm Përjetësia është. Më dukest sikur, po të vrapoja për mbrapa, për në qytet, s’do ta gjeja atje ku ndodhet, njerëzit ende s’do të kishin lindur, gjërat do të ishin të ndryshme, kështjellat të pangritura përmbi shkëmbinj, pemët ende të paprera nga pyjet; mos më pyet nga i di këto, kjo fushë i di, i di dhe m’i tregon mua. Dhe ja ku jemi të dy, në tokën e dragoit të zjarrit. Zoti na shpëtoftë!”
“Nëse je i frikësuar, mbaj gati armët!”
“E çfarë do të dilte nga kjo?! Dragoi nuk ka një pikë nisjeje, ne nuk ia dimë strofullën. Ai zhduket në mjegull dhe ne nuk e dimë se ku shkon. Megjithatë, me armatimin mbërthyer, do të vdesim të veshur mirë.”
Kur ende ishte i veshur përgjysmë me parzmoren e tij të argjendtë, burri i dytë ndali dhe ktheu kokën.
* * *
Përmes tokave të zymta, natës së plotë dhe asgjësë që buronte andej nga vetë zemra e fushës, era frynte plot pluhur që e rrëmbente nga kronografët me rërë. Diej të zinj digjeshin në thellësitë e kësaj ere të re dhe miliona gjethe shkrumboheshin, të rrëmbyera nga ndonjë pemë vjeshte, në horizontin e largët. Kjo erë shpërfytyronte relievin, i zgjaste kockat sikur të ishte dyll i bardhë, e detyronte gjakun të ziente si një masë viskoze në tru. Era përbëhej nga mijëra shpirtra, që po vdisnin dhe që ishin gjithnjë të hutuar e në lëvizje. Ishte mjegull e fshehur në brendësi të një shtëllunge tymi, fshehur në brendësi të errësirës, dhe ky s’ishte vend i askujt, dhe nuk ekzistonte as viti e as ora, por vetëm fytyrat e zbehta të këtyre dy burrave të përballur me pafytyrësinë e një ngrice, stuhie dhe rrufeje të bardhë e të papritur, që lëviznin me shpejtësi të fshehura pas rrufesë, e cila i ngjante një cope të madhe xhami të gjelbërt. Një rrebesh i papritur nginji tokën, gjithçka u zhduk, ra një heshtje mbytëse dhe dy burrat prisnin të vetmuar, me nxehtësinë e tyre në një stinë të freskët.
“Atje”, pëshpëriti burri i parë. “O Qiell, atje..!”
Milje larg, duke vrapuar me zhurmë e hungërima – dragoi.
Në heshtje, të dy burrat mbërthyen armatimet dhe u hipën kuajve. Errësira e mesnatës u pre më dysh nga një ndriçim i përbindshëm, ndërsa dragoi afrohej e afrohej gjithnjë e më shumë, me vështrimin e tij të verdhë që pulsonte mbi kodrat e më tutje, një trup i copëtuar e i shformuar, i parë që nga larg, i pashquar mirrë, kapërceu kodrën dhe u zhyt kokëngulthi në një luginë.
“Shpejt!”
Ata shkuan me kuajt e tyre te një shpellë e ngushtë.
“Këtu kalon zakonisht!”
Rrëmbyen heshtat e mprehura me maja bronzi dhe ua mbyllën sytë kuajve, duke ua lidhur.
“O Zot!”
“Po, le t’i lutemi Atij.”
* * *
Në largësi, dragoi i erdhi rrotull një kodre. Syri i tij i tmerrshëm ngjyrë ari u drejtua mbi ta, duke e ndezur armatimin e tyre me ngjyra përvëluese e rrezatuese. Ai u vërtit drejt tyre me një klithmë dhe një shpejtësi shkatërruese.
“Mëshirë, o Zot!”
Heshta qëlloi syrin e pamëshirshëm, u përthye dhe e vërviti burrin përpjetë. Dragoi e goditi, e rrëzoi përdhe dhe e shkeli nën vete. Duke vazhduar më tutje, supi i tij i zi goditi kalin dhe kalorësin tjetër, duke u përplasur pas një shkëmbi nja njëqind këmbë larg, duke klithur e ulëritur, i mbështjellë nga zjarri, një zjarr ngjyrë rozë, i verdhë, portokalli, si dielli, me shtëllunga të mëdha tymi verbues.
“A e pe?”, thirri një zë. “Tamam siç të thashë!”
“E njëjta gjë! E njëjta gjë! Një kalorës me armatime dhe, të betohem në Zotin, mor Herri, e goditëm!”
“Do ndalojmë?”
“Kam ndalur njëherë, nuk gjeta asgjë. Nuk më pëlqen të ndalem në këtë fushë. Më jep të dridhura.”
“Por ne goditëm dikë, dikë goditëm..!”
“I fishkëllyem tërë ato herë. Vetë ai trimi nuk kishte qejf të lëvizte.”
Një rrymë avulli e ndau mjegullën më dysh.
“Do ta arrijmë Stokeley-n në kohë. T’i hedh më qymyr, Fred?”
Një tjetër fishkëllimë u drejtua drejt qiellit të zymtë. Treni i natës, me zjarr e furi, u vërvit përmes një tuneli, sipër një kodre dhe u zhduk në largësi mbi tokën e ftohtë drejt veriut, duke lënë tym të zi e avull, të cilët do të treteshin në ajrin që do të mbetej i mpirë për minuta të tëra, pasi treni të kishte kaluar dhe të ishte harruar përgjithnjë.
Përktheu Erind Myrtaj
12 Maj 2008