Pushteti i lindjes së lexuesit
Roland BARTHES
Largimi i autorit (sipas Brehtit do të mund të flitej këtu për një distancim të vërtetë, autor që zvogëlohet si një figurinë qysh në fillim të skenës letrare), nuk është më një fakt historik apo një akt të shkruari: ai e shndërron nga fillimi në fund tekstin modern (ose, çka që është e njëjta gjë, teksti është tashmë i bërë e lexuar në mënyrë të tillë, që autori mungon në të gjitha nivelet e tij).
1.
Së pari, koha nuk është më e njëjta.
Autori, përsa mund të besojmë në një gjë të tillë, konsiderohet si e shkuara e librit të vet, libri dhe autori vendosen në të njëjtën linjë, si një “para” e një “pas”. Autori e ushqen librin, çka do të thotë se ai ekziston para tij, mendon, vuan, jeton për të, ai është me librin e tij në të njëjtin raport që ka prindi me fëmijën e tij.
Krejt në të kundërt me këtë, shkruesi modern lind në të njëjtën kohë me tekstin e tij, ai nuk është në asnjë mënyrë i pajisur me një qenie që të paraprijë ose tejkalojë shkrimin e tij, ai s’është tjetër veçse subjekti për të cilin libri i tij do të jetë predikat, nuk ka kohë tjetër veç asaj të formulimit, e çdo tekst shkruhet përjetësisht, këtu e tashti.
Që këtej rrjedh se të shkruarit shenjon me një veprim rregjistrimi, konstatimi, përfaqësimi, “pikture” (siç thonin klasikët), por atë që gjuhëtarët në vazhdën e filozofisë oksfordiane, e quajnë ekzekutim, formë verbale e rrallë (e përdorur ekskluzivisht në vetën e parë e në të tashmen), në të cilin formulim nuk ka tjetër përmbajtje (tjetër formulim), përveç asaj nëpërmjet së cilës ajo shqiptohet, diçka pak a shumë e ngjashme me “unë deklaroj” të mbretërve apo “unë këndoj” të poetëve të lashtë.
Shkruesi modern, pasi ka varrosur autorin, nuk mund të besojë sipas pikëpamjes patetike të pararendësve se dora e tij është tepër e lehtë për mendimin e pasionin e vet dhe që për pasojë, duke ndjekur ligjin e domosdoshmërisë, duhet të theksojë këtë vonesë e ta punojë pafundësisht formën e tij. Për të, në të kundërt, dora e shkëputur nga të gjithë zërat, bartur nga një gjest i pastër nënshkrimi (jo shprehjeje), përvijon një fushë pa origjinë veç gjuhës vetë, çka do të thotë që papushim vë në diskutim çdo origjinë.
E dimë tashmë se një tekst nuk përbëhet vetëm nga një renditje fjalësh, që na jep një kuptim të vetëm në njëfarë mënyre teologjik (që do të ishte mesazhi i autorit - Zot), por një hapësirë shumëpërmasore, ku kryqëzohen e kundërshtohen shkrime të ndryshme, asnjëra prej të cilave origjinale. Teksti është një endje citimesh, që vijnë nga mijëra vatra kulture. I ngjashëm me Buvar e Pekushe këta kopistë të përjetshëm njëherësh sublimë e komikë, thellësia qesharake e të cilëve shenjon saktësisht të vërtetën e shkrimit, shkrimtari s’mund të bëjë gjë tjetër, veçse të kopjojë një gjest të mëparshëm, kurrë origjinal.
I vetmi pushtet i tij është të përziejë shkrimet, t’ia kundërvë njëri-tjetrit, në mënyrë të tillë që të mos mbështetet tek asnjëri prej tyre dhe, nëse ai do të donte të shprehej, do të donte të dinte të paktën se gjëja e brendshme që ai mëton ta përkthejë, s’është veçse një fjalor i ndërtuar në mënyrë të atillë, që fjalët e tij të mund të shpjegohen me fjalë të tjera e kështu pafundësisht, si aventura që i ndodh djaloshit Thomas de Quincey, aq i fortë në greqisht, sa për të përkthyer në këtë gjuhë të vdekur ide e pamje absolutisht moderne. Bodleri na thotë se “kishte krijuar për vete një fjalor gjithmonë të gatshëm shumë më tepër kompleks e të gjerë, se ai i bërë nga durimi vulgar i temave pastërtisht letrare.” (Parajsat artificiale).
Duke zëvendësuar autorin, shkruesi nuk ka më në vetvete pasione, humor, ndjenja, përshtypje, por këtë fjalor të pafund nga ai nxjerr një shkrim, që nuk njeh asnjë ndalesë, jeta s’bën gjë tjetër veç imitimit të këtij libri dhe libri vetë s’është tjetër, por një endje shenjash, imitim i humbur, pafundësisht i stërzgjatur.
2.
Me t’u larguar autori, pretendenti për ta deshifruar një tekst bëhet krejt i padobishëm. T’i japësh një autor tekstit, do të thotë t’i imponosh një cak, ta pajisësh me një kuptim të fundit, do të thotë ta mbyllësh shkrimin.
Ky koncept i shkon përshtat kritikës, që i ka caktuar vetes detyrën e zbulimit të autorit (ose hipostazat e tij: shoqërinë, historinë, psikikën, lirinë) prapa veprës. Sapo është gjetur autori, teksti është shpjeguar, kritika ka fituar.
Nuk ka sgjë të çuditshme në atë që mbretëria e autorit të jetë gjithashtu mbretëria e kritikës, por as në faktin se kritika është tronditur sot po aq sa edhe autori. Në shkrimin shumëformësh, në fakt, gjithçka është për t’u shpleksur, por asgjë për t’u deshifruar, struktura mund të ndiqet në të gjitha rimarrjet e në të gjitha etapat, por s’mund t’i gjendet fundi, pasi hapësira e shkrimit është për t’u përshkuar e jo për t’u kuptuar, shkrimi të jep papushim kuptim, por gjithmonë për ta avulluar atë, ajo realizon një përjashtim sistematik të kuptimit.
Letërsia (do të duhej thënë më mirë shkrimi), duke refuzuar t’i japë tekstit (dhe botës si tekst ) një sekret, çka do të thotë një kuptim të fundit, kryen një aktivitet që do të mund të quhej kundërteologjik, thellësisht revolucionar, sepse të mos pranosh kufizimin e kuptimeve, është njësoj sikur të mos pranosh Zotin dhe hipotezat e tij, arsyen, shkencën, ligjin.
3.
Le t’i kthehemi frazës së Balzakut. Askush (dmth asnjë person) nuk e ka thënë: burimi i saj, zëri i saj nuk është vendi i vërtetë i shkrimit, është leximi. Një tjetër shembull më i saktë mund të na bëjë ta kuptojmë një gjë të tillë: kërkimet e fundit (J.P Vernant) kanë vënë në pah thellësisht ambigetë tragjike greke.
Teksti aty është i endur me fjalë dykuptimëshe, që çdo personazh i kupton në mënyrë të njëanshme (ky keqkuptim i vazhdueshëm është saktësisht tragjikja), megjithatë është një “dikush” që e kupton çdo fjalë në dykuptimësinë e saj, që kupton më shumë e, madje, nëse mund të thuhet, kupton edhe vetë shurdhësinë e personazheve që flasin para tij, e ky “dikush” është pikërisht lexuesi (në rastin konkret dëgjuesi).
Kështu shpaloset qenia totale e shkrimit, një tekst përbëhet nga shkrime të shumëllojshme, të prejardhura nga shumë kultura e që hyjnë me njëra-tjetrën në bashkëbisedim, parodizojnë njëra-tjetrën, bien në kundërshtim.
Por ka një vend, ku kjo shumësi bashkohet e ky vend nuk është autori, siç është thënë deri më tash, por lexuesi.
Lexuesi është hapësira, ku shënohen pa asnjë humbje të gjitha citimet prej të cilave është bërë një shkrim, uniteti i tekstit nuk është në origjinën e tij, por në destinacionin e tij. Ky destinacion nuk mund të jetë personal, lexuesi është një njeri pa histori, pa biografi, pa psikologji, ai është vetm “dikushi” që bashkon në të njëjtën fushë gjurmët nga është ndërtuar shkrimi. Për këtë arsye, është qesharake të dëgjosh se si dënohet shkrimi i ri në emër të një humanizmi, që mbahet në mënyrë hipokrite kampion i të drejtave të lexuesit.
Me lexuesin kritika klasike nuk është marrë kurrë, për kritikën s’e ekziston tjetër përveç atij që shkruan. Ne kemi filluar të mos jemi më viktima të atyre lloj frazave, përmes të cilave shoqëria ngre zërin në favor të asaj që ajo hedh poshtë, shpërfill, mbyt ose shkatërron, ne e dimë që, për t’i kthyer shkrimit të ardhmen e tij, duhet përmbysur miti: lindja e lexuesit duhet të paguhet me vdekjen e autorit.
Përktheu Mark Marku
12 Maj 2008