E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hernan Krespo: Ançeloti është më i mirë se Murinjo

Sulmuesi i Interit, Hernan Krespo, beson se trajneri i Milanit, Karlo Ançeloti është më i mirë se Hoze Murinjo. Deklarata konfirmon në një farë mënyre zërat se gjatë merkatos së janarit, 33-vjeçari mund të rikthehet te kuqezinjtë. Goleadori është mes lojtarëve të pakënaqur te zikaltërit, pasi trajneri e ka lënë sistematikisht në stol, duke i "dhuruar" vetëm 21 minuta aktivizim në këtë pjesë të parë të sezonit. Gjithashtu, Murinjo e ka lënë Krespon jashtë listës së lojtarëve që aktivizohen në Ligën e Kampioneve, dhe kjo duket se ishte katalizatori i krisjes së marrëdhënies mes tyre. Sulmuesi, i tërhequr përpara një viti nga përfaqësuesja e Argjentinës, ku numëron 34 gola të shënuar në 65 prezenca, "zbuloi" se trajneri i tij i preferuar është Ançeloti. Krespo ka luajtur në formë huazimi (nga Çelsi) te Milani në sezonin 2004-05. "Murinjo? Padyshim që ai është një trajner i mirë dhe më pëlqen", tha lojtari, gjatë një interviste për "Gazzetta Dello Sport". "Gjithsesi, nuk do të thosha se ai është trajneri ideal. Të gjithë, madje edhe muret, e dinë se për mua trajneri ideal është Karlo Ançeloti. Jam shumë i lidhur me të, si në fushën e lojës, ashtu edhe jashtë saj. Më pëlqen mënyra se si i menaxhon situatat dhe si i trajton futbollistët, pavarësisht nëse skuadra fiton apo humbet". Sulmuesi paralajmëroi se, nëse vazhdon të mos aktivizohet, do të kërkojë të largohet. "Thjesht dua të luaj futboll dhe nëse kjo gjë nuk realizohet, atëherë mund të largohem në merkaton e janarit. Jam 33 vjeç dhe kam nevojë të luaj. Nëse nuk do të gjej hapësira, do shqyrtoj alternativat e tjera, shtoi ai. Nuk jam aspak i mërzitur me trajnerin apo me klubin, megjithatë besoj se disa situata të caktuara mund të ishin përballur ndryshe. Do ta mendoj çdo zgjidhje, një gjë është e sigurt: nuk dua të qëndroj më në tribunë. Absolutisht nuk po vë në diskutim kualitetin e sulmuesve të tjerë (Ibrahimoviç, Adriano, Kruz apo Baloteli), por edhe unë kam të drejtë të kërkoj pjesën time të lumturisë. Tek Interi apo te ndonjë skuadër tjetër. Ju garantoj se di të shënoj ende". Gjatë verës, Krespo kishte shanse të transferohej te Roma ose te Sampdoria, megjithatë ai preferoi të qëndronte me zikaltërit, edhe pse e kishte të qartë se hapësira ishte e kufizuar.

Merkato - Pas 15 vjetësh, te Milani është rikthyer Rud Gulit. Ish-sulmuesi holandez do të ribashkohet me klubin, por këtë herë nuk do të paguhet për të luajtur në fushë. Ai do të jetë ambasadori i ri i "Djallit" në Evropën Veriore dhe do të punojë përkrah zbuluesve të talenteve të kuqezinjve, kryesisht për të gjetur të rinj me perspektivë në kampionatin holandez (Eredivisie). Gulit u paraqit në zyrat qendrore të klubit, në rrugën "Turati", ku është takuar me zv/presidentin Adriano Galiani, drejtorin sportiv, Areido Braida dhe disa drejtues të tjerë, të cilët e aprovuan emërimin e tij. I shoqëruar nga fëmijët (djali 17-vjeçar Kuinsi dhe vajza 15-vjeçare Kejen), ai vizitoi edhe dhomën e trofeve të Milanit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›