E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ura Vajgurore, banorët arrati për ujin e pijshëm

 

Urë Vajgurore- Pas përgjigjes së analizave, mbërritur nga Tirana, banorët e Urës Vajgurore dhe fshatrave nuk do të përdorin më ujin e çezmave për konsum. Konfirmimi i ndotjes, alarmi për të cilin u dha fill pas shtrimeve masive në spital ka detyruar drejtorinë e Shëndetit Publik të urdhërojë bashkinë për moskonsumimin e ujit. Ndotja me baktere, mungesa e klorinimit, afërsia me ujërat e zeza janë disa nga arsyet që parashtrohen në urdhrin e higjienës. “Në kushte të tilla këshillojmë se uji nuk duhet të konsumohet”,- thuhet në shkresën e higjienës. Prania e nitriteve në ujë, sipas burimeve e bën konsumin e tij të rrezikshëm për 17 mijë banorët e zonës.

Fatime Hoxha, 80-vjeç, thotë se uji edhe pas zierjes nuk mund të pihet, pasi mban erë.

Inspektori i Shëndetit Publik pranë bashkisë së Urës Vajgurore, thotë se brenda një kohe të shkurtër në spital janë paraqitur për ndihmë 200 banorë të zonës, të gjithë me të njëjtat shqetësime që vinin nga uji. “Ky qytet ka vite që vuan nga probleme me ujin e pijshëm”- thotë ai, duke kujtuar rastet e kolerës. Para vitit 1990 ky burim nuk është përdorur kurrë për ujë të pijshëm, por vetëm për ujë industrial. “Janë disa faktorë që sjellin këtë epidemi masive” pohon Rrapi Qose, drejtori i zyrës për mbrojtjen e Shëndetit të qytetarëve pranë kësaj bashkie. Depoja, sipas tij, është e amortizuar, mungon depoja e klorinimit, ndërkohë që mbi kolektor kalojnë tubacionet e ujërave të zeza. Kryetari i bashkisë, Syrja Ormeni, ka kërkuar nga instancat përgjegjëse zgjidhjen e problemit. “bashkia nuk ka mundësi për investime, ndaj duhet ndërhyrje urgjente”,- thotë ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›