Heroi i skenës vendore e jetëson Paganinin

Janë notat e çakorduara nëpër tokë që do ta thërrasin në kohë dhe për kohën artistin e asaj dhe kësaj kohe për të sotmen dhe të nesërmen artistike. Janë telat e violinës ata që shndërrohen në personazhe – vajza. A ka krahasim më të mirë se sa violina, pentagrami, dhe femra!!! Ato nota të gjalla do të tentojnë ta kthejnë në jetë artin dhe artistin e mirëfilltë. Janë shkallët e lartësuara drejt qiellit të mbështjellura me pentagramin e Paganinit, që e tregojnë rrugën e krijuesit. Janë notat muzikore që shndërrohen në figura të gjalla skenike dhe secila nga ato, do ti vendos qirinjtë pran notave dhe varrit të tij, në shenjë respekti dhe përkujtimi, në të njëjtën kohë, violina, do të lartësohet dhe do të monumentohet në mes tokës dhe qiellit, ku të gjithë do të shestojnë për ta kapur atë tingull atë muzikalitet të përjetësuar. Se kush do ta kapë atë, koha dëshmia më e besueshme për vet krijuesin, “vetëm koha nuk e harron artistin”. Paganinin do ta vrasin notat e tij, të cilat ndonjëherë shndërrohen në personazhe të zeza. Harku me të cilin e luan protagonisti, do të përdoret si armë vdekjeprurëse për të, dhe fundi i këtij fillimi të ri në skenën teatrore, ishte mbase i mrekullueshëm. të gjithë do të çimentohen ku do të përunjësohen para atyre shkallëve që të qojnë drejt parajsës artistike të cilat jo gjithkush do të mund ti kapërcej, ato nota jo gjithkush do të dinë t’i lexojnë dhe jetësojnë në partiturat muzikore kohore.
Koncepti ideor dhe përmbajtjesor
Koncepti ideor është mbase përparimtar për kohën. Artisti është mesazh për secilën kohë dhe për secilin popull, ai nuk është me rëndësi prej nga vjen si prejardhje, sepse është vepra dhe talenti i tij që do ti tejkaloj paragjykimet. Breznitë do të tentojnë me gjet vetveten duke e rigjetur dhe ripërpunuar veprën e krijuesit, dhe duke vrapuar fërkemeve të krijuesit bëhen dhe vet krijues, për të lënë fërkemet e tyre në të sotmen dhe të nesërmen artistike. Vlera nuk ndryshohet, nuk përulet, nuk zvogëlohet, por vetëm sa jetësohet dhe përsoset në rrethana kohore.
Kjo shfaqje shkrep art në çdo hapë e lëvizje, secila frymëmarrje është mesazh për ne, është ideal për artin dhe artistin, në këtë performancë shohim akordancë të instrumentalizuar në mes dramaturgjisë si koncept i shtruar, regjisë si gjetje dhe koreografisë si lojë. Muzika është ajo që përfuqizonë lojën, që e dramatizon dramën. Skenografia është e thjeshtësuar dhe e qëlluar në rrethana dhe për rrethana. Një shkallë që është e vendosur në anën e majtë, të cilës nuk i dihet fundi, janë partiturat, dhe një violinë origjinale që rrinë në mes skenë gjatë tërë shfaqjes e lartësuar në eter, si dhe telat e asaj violine në formë litari të mbjellura në tokë që reflektojnë dhunti për secilën mendje, dhe ata tela do të litarizohen ku do të tentohet që të nxirret nga varri autori dhe muzika e tij dhe notat e tij, për ta rikthyer dhe avancuar në jetë jetën e tij, pra instrumenti i Paganinit do të qëndroj i gjallë si ndër-urë, për kohën e tij, si përkujtim nga e sotmja dhe si kala e së nesërmes.
Varri dhe mesazhi
Shfaqja do të fillojë me qirinj duke e përkujtuar krijuesin dhe duke e kërkuar që shpirti i tij do të rizgjohet në kohë, për të përcjell amanetin e tij se arti është një armë e rëndë edhe për vet shpikësin. Ai do të rilindet në kohë nëpërmes artistit të kohës, shpirti i tij do të jetësohet në kohë, vepra e tij është ajo që duket e gjallë në kohë, telat e tij, notat e tij, fryma e tij, zhurma e tij, plastikat e tij, figura artistike dhe kolosale e tij, dhe si përfundim, vetëm notat e tij do të mund ta vrasin atë, dhe ai do të vdes si fizikum, por vepra e tij do të vazhdoj që të jetojë kudo, në tokë, në eter, në skenë dhe për skenën përderisa të mos i humbet kuptimi skenës.
Loja
Loja e balerinëve do të shquhet si lojë e harmonizuar, si lojë korrekte, si lojë e sinqertë me përplot situata të përjetuara, me figura të ndërtuara dhe të përplotësuara në të gjitha kuptimet. Vajzat ishin të bukura ashtu siç janë notat e Paganinit. Të gjitha dukeshin si një pentagram i vetëm. Sinan Kajtazi, ishte shkëlqesi e mbrëmjes. Ai e jetësoj personazhin e tij në hero skene, duke e lozë dhe duke e sjellë në kohë personazhin e Paganinit. Loja e tij është sa fizike, aq psikike, aq emocionale. Plastika e tij, është e përsosur, shqetësimet i përpjesëton në konflikte dhe situata dramatike, pra, futet në lojë me emocionin e aktorit si përpjesëtim me artin e baletit. Dhe si përfundim, shfaqja frymon në një frymë të vetme. Platforma koreografike ishte e tipit të një shfaqjeje të ndërmjetësuar, e cila zhvillohet dhe luhet me konceptin dramaturgjik si teatër fizik. Loja është moderne me elemente klasike, figurat e përmbushura me jetë, jeta dukej dhe përjetohej në çdo skenë, dhe për këtë duhet tentuar për të lavdëruar talentin, profesionalizmin, përsosmërinë, freskinë, arritshmërinë, përgjegjshmërinë, disiplinën, dhe filozofinë ideo artistike të mjeshtrit dhe koreografit të kësaj pjese, Artan Ibërshimi, artist nga Tirana. Kjo shfaqje pa mëdyshje, do të mund të shpallet kampione e seksionit të dramës dhe baletit për këtë sezon teatrore në Teatrin Kombëtar.