E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanuni në filma

Çdo herë kur flasim për filmin, kemi për bazë një gjë, që pa skenar të mirë shumë rrallë bëhet ndonjë film i mirë. Nga kjo rrjedh një thënie tjetër që çdo skenar i mirë duhet të ketë një “skorie” interesante. Duket se aktualiteti dhe historia jonë e afërt, japin mundësi më të mëdha ekranizimi. Kanuni nuk i përket vetëm “arkivit”, sepse shumë regjisorë vendorë dhe të huaj janë provokuar pikërisht nga Kanuni dhe kanë nxjerrë temë nga ai, për t’i realizuar në filmat e tyre.

Do të përmendnim: “Prapa diellit”, film brazilian, dy filma tjerë me të njëjtin emër: “Prilli i thyer” nga Kujtim Çashku dhe tjetri nga Lirie Begeje, realizuar sipas romanit homonim të Kadaresë. Pastaj filmi i realizuar së fundmi nga Artan Minarolli “Gjallë”. Filmi duket se qëndron mirë artistikisht dhe tematikisht meqë ka pasur sukses të prezantohet në ca festivale ndërkombëtare. Nga regjisorët e rinj vendorë mund të përmendim filmin e regjisorit Ilirian Himaj: “Matanë Lumit” dhe regjisorit Gazmend Nela “E Kuqja”.

Filmi i punuar në Brazil është realizuar në mënyrë të shkëlqyeshme. Siç e thamë, bazohet në Kanunin gjegjësisht në hakmarrjen shqiptare. “’Prapa diellit’ ndoshta ka sjellë freskat më të bukura që mund të jenë marrë nga kjo temë dhe ky është filmi i duhur për kanunin”, ka thënë për Express regjisori kosovar Isa Qosja.

Pse Kanuni është një burim provokimi për regjisorët vendorë e sidomos ata të huaj, sipas Isa Qosja qëndron në faktin se “Fati i njeriut të ngujuar apo njeriut që i kanoset hakmarrja në çdo moment nuk mund të anashkalohet si dramë. Fakti që në këtë dramë ekzistojnë një varg momente treditore dhe momente rituali si besa e madhe, besa e vogël, ekzistenca brenda mureve te izolimit, hakmarrja ndaj çdo personi të afërm e jo vetëm ndaj ati që ka vrarë dhe detajet tjera, janë mundësi për ritëm të lartë të dramës njerëzore, janë mundësi për origjinalitet, për relief të figurave shqiptare, për veçori tjera të cilat te ne nuk janë pak”.

Nga ana tjetër, shpesh Kanuni, nga disa krijues shqiptarë dhe të huaj përkufizohet vetëm në një kapitull, atë të gjakmarrjes, duke lënë anash shumë norma të tjera jetësore të cilat janë të përkufizuara në Kanun, dhe që mund të gjenin trajtim shumë artistik filmik.

“Kanuni” është një mundësi për një apo më shumë vepra cilësore në artin kinematografik”. Ndërsa për filmat në kinematografinë shqiptare sipas Qosjes kanuni ka kaluar lehtas. Më shumë janë specifikuar informacionet si pasoja apo drama brenda karaktereve. “Më duket që Kanuni është ofertë e lartë artistike dhe duhet t’i përgjigjemi me përkushtim të lartë artistik”, shton Qosja.
Fenomeni i gjakmarrjes është prezent në gjithë filmat e huaj por edhe vendor,të cilët konsiderohen të jenë inspiruar nga kanuni. Nga regjisorët vendorë, konkretisht nga dy regjisorët të cilët kanë trajtuar gjakmarrjen në filmat e tyre flasin rreth përzgjedhjes së temës.

Gazmend Nela regjisor i filmit “E kuqja” thekson se në filmin e tij ky inspirim për përzgjedhjen e kësaj teme, pra gjakmarrjes, ka ardhur pasi ka lexuar romanin e Kadaresë ‘Prilli i thyer’. “Gjakmarrja ka dramën me të nxehtë dhe më të madhe në vete, por pa dyshim mund të nxirret shumë çka nga kanuni e të trajtohet dhe ta provokojë audiencën”, thotë Nela.

Për regjisorin Ilirian Himaj, (‘Matanë lumit’), duket të jetë e pamundur mostakimi me Kanunin, kur mendohet të krijohet një film për të kaluarën tonë. “Është njëra prej temave me prekëse, mjaft atraktive dhe shumë e veçantë për t’u trajtuar në film, përballemi me shumë të veçanta që popujt tjerë nuk i kanë”, ka theksuar për Express Himaj.

Dramaturgu Zymber Kelmendi e konsideron Kanunin në film, respektivisht në skenarin e filmit si një thesar të vërtetë nga i cili mund të bëhen shumë filma të cilët do ishin dhe konkurrent në botë.

“Ka disa filma që janë bërë duke pasur për bazë Kanunin si një kod, apo kushtetutë jetësore, e cila ka determinuar jetën e shqiptarëve, por ata filma ende kanë mbetur ne suaza të komentimit të kanunit, dhe deri tani nuk është arritur të behet një film i cili do mund të ishte konkurrent në kinematografinë botërore”, thotë Kelmendi.

Opinioni i tij është se ka orvatje mjaft premtuese nga krijues të rinj të cilët me mjaft seriozitet i janë rrekur Kanunit në trajtesa filmike. Kjo është mjaft premtuese, që në të ardhmen të kemi edhe ndonjë film të metrazhit të gjatë, i cili do ishte prezantues edhe jashtë kufijve shqiptarë.

Përfundimisht trajtimi i mirëfilltë i Kanunit në kinematografi siguron sukses sipas Qosjes.“Një vepër e punuar mire dhe me kreativitet, do të mund të kalonte nëpër festivale të ranguara lart”.

‘Kanuni I Lekë Dukagjinit’ është përkthyer në gjuhë të ndryshme, në atë angleze, gjermane, italiane. Kjo ndoshta ia ka mundësuar regjisorëve të huaj të njihen më afër me këtë vepër unike dhe të veçantë. Kanuni është mjaft i kërkuar dhe renditet ndër veprat më të shitura të vitit që e lamë pas.
Gjithashtu nëse kthehemi pak në kohë, kjo vepër ka zgjuar interesimin e shkrimtarëve të cilët e kanë trajtuar në veprat e tyre, në mes të të cilëve Dritëro Agolli (“Mundja e Lekë Dukagjinit”, poezi, 1969), Henrik Lacaj (“Dy princa për një vashë”, dramë historike vënë në skenë me regjinë e vetë autorit dhe interpretuar nga grupi teatror i kinoteatrit “Rozafat” të Shkodrës më 1937, ku rolin e Lekë Dukagjinit e luante aktori Loro Kovaçi), arbëreshi Anton Santori (“Alessio Ducagini”, melodramë, shkruar midis viteve 1855-1860 dhe botuar më 1983.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›