E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuqezinjtë si anglezët, alkool, muzikë e disko

Sukseset festohen gjithmonë, por këtë radhë lojtarët e Kombëtares e kanë miksuar mënyrën e tyre të të dëfryerit duke u bazuar te "recetat e anglezëve": alkool, muzikë të lartë dhe kokteje nga më të ndryshmet. 

JETMIR HALILAJ

 Bashkë me disa lojtarë të përfaqësueses ka qenë edhe trajneri i Shqipërisë, Ari Han dhe të gjithë së bashku kanë kaluar disa orë relaksi deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pas fitores 3-0 kundër Maltës të mërkurën. Bogdani, Berisha, Curri, Hidi, Teli, trajneri Ari Han, asistenti i tij Teo De Jong dhe përkthyesi i tij Ajet Xeka kanë preferuar të festojnë dje në pub "Mai Tai" ku ia kanë lejuar vetes edhe konsumin e pijeve alkoolike. Pak pasi ka mbaruar ndeshja kanë preferuar të festojnë dhe duhet thënë se trajneri i kuqezinjve Ari Han është specialist në mënyrën e të shijuarit të jetës. Ai i ka dhënë fund disiplinës së hekurt të mbajtur gjatë grumbullimit të këtyre ditëve dhe ka pranuar të festojë bashkë me futbollistët, me të cilët ka qëndruar afërisht deri në orën 04.00 të ditës së djeshme. Holandezi për të hequr stresin e dy ndeshjeve që u luajtën, ka konsumuar uiski gjatë gjithë kohës bashkë me asistentin e tij De Jong. Këtë të fundit disa të pranishëm e mburrën se e mbante mjaft mirë pijen, sepse ndonëse kishte rrëkëllyer disa gota të mira me uiski, e mbajti veten dhe ashtu si në stërvitje, nuk kishte buzëqeshur për asnjë moment. Për sa i përket lojtarëve, nuk kanë dashur të bien në sy për keq, por as nuk janë privuar nga pijet alkoolike. Pjesa dërrmuese e tyre preferuar kokteje nga më të ndryshmet, madje edhe nga ato me përmbajtje alkooli, ndërsa disa të tjerë janë mjaftuar me ndonjë shishe birrë. Padyshim një gjë e tillë nuk kishte ndodhur kurrë gjatë kohës që kuqezinjtë drejtoheshin nga kroati Oto Bariç, jo se atëherë nuk shkonin në disko, por sepse 75-vjeçari asnjëherë nuk kishte qenë pjesë e festave që organizonin lojtarët. Ari Hani, pohojnë lojtarët, është ndryshe, është më liberal në këtë aspekt, por shumë më i rreptë gjatë orarit të punës. Ndoshta kjo shpjegon edhe faktin që tani në Kombëtare ka më shumë harmoni dhe më pak qejfmbetje apo klane. "E megjithatë gjatë ditëve të grumbullimit ai është një diktator i vërtetë", pohojnë njerëz të afërt të stafit të Kombëtares.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›