E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vartësit akuzojnë kryegjyqtarin e Sarandës

• GJIROKASTER - Modeli i një analize transparente me të gjitha komponentët e saj të ideuar nga KLD-ja, është zbatuar për të parën herë në Gjirokastër.Gjyqtarët e Apelit dhe ata të Shkallës së Parë në Jug të vendit, kanë diskutuar për problemet që hasin në procese të ndryshme. Ndërsa nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, e ka motivuar praktikën e re që po ndiqet, si pjesë të reformës në drejtësi dhe ligjin e sapoaprovuar në Kuvendin e Shqipërisë. Zoti Spahiu është shprehur se, “jemi në prag të një rinovimi të gjithanshëm të drejtimit të gjykatave në të gjithë vendin, duke krijuar një metodë të re në përzgjedhjen e drejtuesve të gjykatave në të dy shkallët. Një reformë kjo që ka për qëllim zgjedhjen për herë të parë në historinë e vendit nëpërmjet një sistemi gjithëpërfshirës për të gjithë drejtuesit e gjyqësorit”, duke mos përjashtuar nga kjo garë edhe drejtuesit e gjykatave të shkarkuar nga detyra para dy javësh. Sipas tij, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka marrë një rol të rëndësishëm në debatet për reformën në gjyqësor dhe ligjin e sapoaprovuar në Kuvendin Popullor. “Për këtë çështje roli i KLD-së nuk duhet të jetë aspak i shkëputur nga gjyqësori dhe së bashku duhet të ndajmë shumë problematika që janë të kudondodhura në sistemin gjyqësor”, është shprehur nënkryetari i KLD-së. Pas njohjes së situatës nga drejtuesit në detyrë të Shkallës së Parë të gjyqësorit të Gjirokastrës Artan Lazaj dhe atij të Apelit Tomorr Skrelaj, situata në analizën e sotme ka precipituar gjatë një debati verbal mes gjyqtarëve dhe kryetarit të Shkallës së Parë të gjyqësorit të Sarandës. Sinjali i parë i këtij debati, erdhi nga gjyqtari Thanas Mërkuri, i cili hapur e ka akuzuar kreun e Shkallës së Parë të gjyqësorit Sarandë, Rasim Doda, për monopolizimin e çështjeve të ndryshme gjyqësore, diferencime dhe mungesë etike. Pothuajse në këtë linjë ka qenë edhe gjyqtarja tjetër e gjykatës së Sarandës Nedrie Duka, duke shtuar se Doda u jep më tepër akses sekretareve sesa gjyqtarëve. E gjithë kjo situatë e krijuar, e cila u ndoq me vëmendje nga nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu, ka zgjatur për 60 minuta dhe hasi në kundërshtimin e fortë të kreut të Gjykatës së Sarandës, Rasim Doda. Sipas tij, pretendimet e gjyqtarëve të Sarandës janë vetëm gënjeshtra dhe pa argumente ligjorë. Kreu i Gjykatës së Shkallës së Parë të Sarandës, është shprehur i gatshëm të japë dorëheqjen nëse të gjitha pretendimet ndaj tij vërtetohen. Spahiu ka vlerësuar debatin duke krijuar një precedent pozitiv në evidentimin e problemeve në mënyrë transparente. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, ka kërkuar nga gjyqtarët që të jenë sa më transparentë në proceset gjyqësore dhe larg praktikave zvarritëse.                 p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›