Shqipëri-Mal i Zi-Maqedoni, grupe policore në kufijtë mes tre vendeve
• TIRANE – Nënshkruhet marrëveshja për nxjerrjen e patrullave të përbashkëta policore në kufijtë shtetërorë mes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.Dokumenti është firmosur në Budva të Malit të Zi nga ministrat e Brendshëm dhe krerët e policisë së tre vendeve. “Shqipëria garanton siguri në kufijtë e saj me vendet e Bashkimit Evropian dhe me shtetet fqinje”. Kështu është shprehur dje ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili mori pjesë në punimet e Konferencës së Pestë Ministeriale për Sigurinë Kufitare në Evropën Juglindore, e cila u zhvillua në Budva të Malit të Zi. “Shqipëria garanton siguri në kufijtë e saj me vendet e BE-së, Itali e Greqi, e po kështu me vendet fqinje, Mal i Zi, Kosovë e Maqedoni, është shprehur Nishani. Ai tha se Policia Kufitare dhe e Migracionit ka qenë plotësisht e angazhuar për të përmbushur angazhimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në dhe nga synimi i Shqipërisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit. Ministri theksoi më tej se Shqipëria ka përmbushur angazhimet e procesit të Ohrit në kuadër të Paktit të Stabilitetit në Evropën Juglindore. Në fushën e menaxhimit të Integruar të Kufijve, sipas Nishanit, është realizuar demilitarizimi i shërbimeve që merren me kontrollin e kufirit dhe aktiviteteve kundër trafiqeve, Vendosja e Komandës së Kontrollit (K2 ), përcaktimi i politikave kombëtare dhe strategjive për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, pasuar nga Planet Kombëtare përkatëse të Veprimit. Kreu i Ministrisë së Brendshme është shprehur më tej duke thënë se reformat kanë vijuar me vendosjen e procedurave dhe strukturave kombëtare të koordinimit dhe sigurimin e një koordinimi dhe bashkëpunimi në një shkallë tepër të lartë mes agjencive që do të operojnë në kufi”. t.s