Banda e Lushnjës, zbulohet vrasja
• Rivaliteti mes “Bandës së Lushnjës” dhe grupeve të tjera kriminale, ka qenë shkak i vrasjes së një të riu nga qyteti i Lushnjës, i cili dyshohet se ka pasur kontakte me bandën e Artur Dajës, rival i Aldo Bares. Policia dhe Prokuroria zbuluan pas katër viteve autorin e vrasjes së Erion Canit në qendër të qytetit të Lushnjës. Sipas dëshmitarëve, përgjimeve të mbërritura nga Italia dhe të dhënave operative, ai dyshohet se është vrarë nga Leonard Prifti, i konsideruar si anëtar i “Bandës së Lushnjës”. Drejtoria e Policisë së Fierit përmes një deklarate për mediat konfirmoi dje se në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ishte dokumentuar autorësia e ekzekutimit me armë zjarri të Erion Canit, ndodhur në nëntor të vitit 2004 në qendër të qytetit të Lushnjës. Sipas burimeve zyrtare nga policia dhe nga prokuroria, autori i atentatit në qendër të qytetit ka qenë Leonard Prifti, person i akuzuar më parë si anëtar i “Bandës së Lushnjës”. Në fakt, edhe pse policia dhe prokuroria pretendojnë se kanë zbuluar një krim të kryer prej tij, ndaj Leonard Priftit, sipas ligjit shqiptar, nuk mund të ngrihet asnjë akuzë për shkak se ai mbeti i vdekur më 3 korrik 2005. Legjislacioni shqiptar parashikon pushimin e çdo akuze dhe dosje penale në rast se personi i dyshuar humbet jetën. Megjithatë duket se prokuroria dhe policia tashmë kanë hequr nga kapakët e dosjes së kësaj ngjarje shënimin “e pa zbuluar”. RivalitetiDëshmitarë të shumtë të pyetur nga policia dhe prokuroria si dhe informacionet e mbledhura në rrugë operative, tregonin se Erion Cani prej kohës kur kishte qenë i ri në moshë kishte mbajtur lidhje e kontakte me grupin që dyshohet se është drejtuar nga Artur Daja. Ky i fundit është portretizuar nga autoritetet e rendit dhe të drejtësisë si personazh në rivalitet të ashpër me Alfred Shkurtin, i njohur ndryshe si Aldo Bare dhe i cilësuar si drejtues i “Bandës së Lushnjës”. Artur Daja është akuzuar nga policia se në verën e vitit 1997 ka masakruar Ramadan Shkurtin, vëllain e Aldo Bares, bashkë me një person tjetër të quajtur Bardhyl Rabiaj. Për këtë shkak mes dy grupeve policia regjistroi disa përplasje me armë, të cilat u shoqëruan me plagosjen apo vrasjen e anëtarëve të bandave respektive. Në këtë kohë duket se ka filluar hasmëria mes Aldo Bares dhe Alfred Shkurtit, ndërsa sipas policisë kreu i “Bandës së Lushnjës” u hakmor për vrasjen e vëllait të tij. Sipas hetimeve, fillesat e para të organizimit të “Bandës së Lushnjës” i përkasin pikërisht momentit kur Aldo Bare po përgatitej të hakmerrej për vrasjen e vëllait të tij. Hakmarrja ndodhi më 30 tetor 1998, kur Artur Daja u qëllua me armë zjarri dhe mbeti i plagosur, por më pas, sipas Prokurorisë, iu pre koka kur ende nuk kishte vdekur nga plaga e shkaktuar prej armës. tr.so