Mbi 1.8 milionë euro parashikon Interreg 4
Me dorëzimin e objektit të doganës së re të Qafë-Botën përfundojnë projektet e përfituara dhe të zbatuara në rajonin e nënprefekturës së Sarandës nga programi “Interreg 3”. Nënprefekti i Sarandës, Gjergji Mano, thotë se Saranda ka përfituar 1.45 milionë euro nga ky program, shumë që është përdorur për ndërtimin e objektit të doganës së re të Qafë-Botës me infrastrukturë moderne. Kësaj shume i shtohen edhe 226 mijë euro, të shpenzuara për skanerin dhe aksesorë të tjerë, investim ky i kryer në spitalin rajonal “Petro Nako” të Sarandës. Tashmë programi “Interreg 4” ka trokitur. Ajo që dihet deri tani, është se ai fokusohet më tepër në sistemimin e infrastrukturës për mbrojtjen civile dhe administrimin e krizave. Bazë, sipas nënprefektit Mano, është pajisja me teknologji dixhitale për zbulimin e vatrave të zjarrit dhe marrjen e masave për shuarjen e tyre. Në kuadër të këtij projekti, mësohet se janë destinuar për t’u investuar rreth 1 milionë e 870 mijë euro. “Nëse ai përfitohet nga pala shqiptare, shprehet Mano, do të realizohet me prefekturën e Thesprotisë“. Ai tha se po bëhen të gjitha përpjekjet për të fituar të drejtën e zbatimit të projektit, në kuadër të “Interreg 4”.
#