E Diel, 1 Nëntor 2026

Heroinë në gjimnaz, pranga në Berat 9 anëtarëve të bandës së narkotrafikut

Operacioni i koduar “Kali i Trojës” vë në pranga nëntë persona. Policia në ndjekje të pjesës së ngelur të bandës që shiste heroinë

Arrestohen në Berat nëntë persona, të cilët akuzohen për trafik të lëndëve narkotike. Dyshohet se të prangosurit shpërndanin drogë nëpër gjimnazet e qytetit. Policia sekuestroi edhe një sasi heroine dhe një pistoletë. Ndërkohë kanë nisur hetimet për të gjetur lidhjet e mundshme të të ndaluarve me persona të tjerë. “Falë operacionit të koduar ‘Kali i Trojës’, të organizuar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Berat në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, është shkatërruar e goditur një grup kriminal i mirorganizuar, duke rënë në prangat e policisë 9 pjesëtarë të këtij rrjeti. Në konspiracion të plotë efektivët e Policisë së Beratit kanë kryer dje arrestimin e nëntë të dyshuarve, ndërsa vetëm tri ditë më parë policët kishin dalë në konkluzionin se provat e mbledhura ishin të mjaftueshme për të provuar fajësinë e tyre para togave të zeza. Por surprizat nuk mbaruan me kaq, pasi policia arriti të sekuestronte dhe një sasi prej disa gramësh heroinë gjatë aksionit si dhe disa armë që të dyshuarit i kishin me vete në momentin e arrestimit.
Grupi
Rael Dardha, 29 vjeç; Markel Gjika, 21 vjeç; Avenir Kuqali, 30 vjeç; Skerdian Xhufi, 26 vjeç; Dhimitër Boçe, 36 vjeç dhe Erjon Karadaku, 33 vjeç, të gjithë banues në qytetin e Beratit, u arrestuan dje në të njëjtin moment. Ndërkohë që në prangat e bluve të Beratit kanë rënë edhe shtetasit nga Vlora: Olsi Metolla, 25 vjeç; Ridvan Kate, 36 vjeç dhe Olsi Dautaj, 26 vjeç, pjesëtarë të këtij grupi. Sipas organeve policore, të gjithë të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për shumë muaj me radhë kanë kryer shitje dhe transportim të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, duke e përqendruar aktivitetin e tyre në qytetet Berat e Vlorë. Gjatë goditjes së këtij grupi kriminal dhe arrestimit të 9 pjesëtarëve të tij, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 190 gramë lëndë narkotike e tipit heroinë; një armë zjarri e llojit pistoletë "Zastava" me nr. 25087 m-3, 6 fishekë të kalibrit 9 mm; dy automjete; 13 telefona celularë dhe rreth 1 milion lekë që posedonin këta shtetas në momentin e ndalimit të tyre.
Aksioni
Jo më kot aksioni i policisë është mbiquajtur “Kali i Trojës”. Burime pranë policisë bënë të ditur se ka qenë pikërisht një aksion i stimuluar për blerje heroine ai që ka “vulosur” fatin e të arrestuarve, ndërsa këta të fundit kuptuan vetëm kur duart u ishin ftohur nga prangat se në fakt blerësi ishte gjithashtu një efektiv policie. Aktiviteti i këtij grupi kriminal ndiqej në rrugë operative nga policia e Beratit prej më shumë se 3-muajsh, ndërkohë që 9 të arrestuarit akuzohen për veprën penale të "Shitjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje", parashikuar nga nenet 283/2 dhe 278/2 të Kodit Penal. Gjithsesi, burime nga policia kanë bërë të ditur se ndonëse të nëntë të arrestuarit bashkëpunonin ngushtë, duket se ata përfaqësojnë një nivel të ulët të rrjeteve të trafikut të drogës dhe pjesa dërrmuese e tyre mund të klasifikohen si shpërndarës të dorës së fundit. Megjithatë, policia është duke punuar operativisht në terren për të provuar dhe implikimin e “furnizuesve” të tyre.

Vlorë, gjendet i vdekur në rrethana të dyshimta doganieri

VLORË - Gjendet pa jetë në banesën e tij një 50-vjeçar, me punë prej vitesh doganier në qytetin e Vlorës. Sipas të dhënave paraprake të policisë, viktima është shtetasi Patriot Hoxha, i gjetur i vdekur nga një e shtënë pistolete. Pista e parë mbi të cilën po hetohet, është ajo e një vetëvrasjeje, nisur nga fakti që ai nuk ka pasur asnjë konflikt apo problem në këtë qytet. Kanë qenë fqinjët e tij, që kanë dëgjuar një zhurmë, të cilën e kanë konsideruar fillimisht si një pëlcitje shashke. Pas njoftimit të policisë, Hoxha është gjetur i vdekur në banesën e tij në një pallat 5-katësh në lagjen “Kushtrimi”, në hyrje të qytetit të Vlorës. Sipas ekspertëve të mbërritur në vendin e ngjarjes, nga këqyrja e viktimës mendohet se është një akt i pastër vetëvrasjeje, por ende nuk është dhënë versioni zyrtar.
Aktualisht po merren në pyetje fqinjët dhe familjarët. Ai është baba i dy vajzave, njëra prej të cilave prej vitesh e sëmurë dhe e paralizuar. “Do të presin përfundimin e ekspertizës për të dhënë një përgjigje zyrtare për ngjarjen”, - thanë burimet policore.

28 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›