Rreth 150 fëmijë drejtohen çdo ditë në Pediatri nga virozat e stinës
Virozat e stinës dhe luhatjet e temperaturave kanë shtuar ndjeshëm numrin e fëmijëve të paraqitur në Urgjencën e Pediatrisë në Tiranë. Mjekët tregojnë se numri i të miturve që drejtohen në Pediatri ka arritur në 150 fëmijë. Ditët e fundit, numri i fëmijëve të prekur nga virozat e stinës ka ardhur në rritje për shkak të uljes së ndjeshme të temperaturave. Simptomat e fëmijëve janë gjendja gripale, ftohje apo temperaturë e lartë. Sipas mjekëve, një situatë e tillë është e zakonshme në këtë periudhë dhe pritet që në ditët në vijim të ketë një rritje të numrit të fëmijëve të prekur nga virozat e stinës së ftohtë të dimrit. Megjithëse ISHP-ja bëri të ditur shtimin e numrit të fëmijëve që kanë marrë vaksinën antigrip, duket se parandalimi i gripit është bërë i pamundur. Mjekët këshillojnë që prindërit të mbajnë nën kontroll të vazhdueshëm fëmijët dhe nëse shohin gjendje të rënduar shëndetësore të drejtohen menjëherë në qendrat shëndetësore. Sipas mjekëve, ndryshimi i menjëhershëm i motit si dhe luhatjet e vazhdueshme të temperaturave stimulojnë edhe më shumë shfaqjen e virozave të stinës. Në këto të fundit, përfshihen gjendja gripale, problemet shëndetësore si temperatura, problemet me stomakun, diarreja etj. Mjekët sqarojnë se trupi i njeriut është më i predispozuar për t’u prekur nga virozat e stinës gjatë ndryshimit të temperaturave dhe ndërrimit të stinëve.
28 Nentor 2008