Javën e ardhshme do të përzgjidhen tre akademikët e përhershëm të Akademisë
Më 4 dhjetor do të mblidhet Asambleja e Akademisë për përzgjedhjen e tyre
Jonida Tashi
Emrat e tre akademikëve të përjashtuar, që do të rikthehen sërish në Akademinë e Shkencave, do të zbardhen ditën e enjte të javës së ardhshme. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Albania” nga zëvendëskryetari i kësaj Akademie, Gudar Beqiraj. Ai sqaron se ditën e enjte të javës që vjen Asambleja e Akademisë së Shkencave do të organizojë një mbledhje ku do të përzgjidhen tre akademikët e përhershëm, të cilët duhet të jenë mbi moshën 75 vjeç. Gjithashtu, Beqiraj shprehet se në këtë mbledhje të Asamblesë së Akademisë do të miratohet edhe statusi i ri i Akademisë së Shkencave. Sipas Gudar Beqirajt, të gjithë akademikët që kanë dëshirë të jenë anëtarë të përhershëm të Akademisë kanë të drejtë të zgjidhen, por fitues do të shpallen vetëm tre akademikë që do të marrin më shumë vota nga Asambleja.
Rikthimi
Rikthimi i tre akademikëve të përjashtuar në Akademi pritet të rindezë debatin në qarqet akademike. Pas një beteje të gjatë të akademikëve me qeverinë, e cila mori vendimin që akademikët mbi 75 vjeç të mos ishin më anëtarë të rregullt të saj, do të jenë pikërisht akademikët e përjashtuar, por që tani vetëm tre prej tyre duhet të jenë anëtarë të përhershëm të Kryesisë së Akademisë, ata që do të ndezin sërish debatin. Sipas ligjit për reformimin e Akademisë së Shkencave, midis 30 akademikëve që janë anëtarë të rregullt të Akademisë, tre prej tyre duhet të jenë akademikë të përhershëm mbi moshën 75 vjeç. Aktualisht, këto tre vende vakante janë ende të paplotësuara dhe puna për përzgjedhjen e akademikëve të përhershëm do të marrë fund ditën e enjte. Beqiraj bën të ditur se për përzgjedhjen e këtyre tre akademikëve të gjithë akademikëve të përjashtuar u është bërë një kërkesë nëse duan ose jo të jenë anëtarë të përhershëm të saj. Disa prej tyre kanë pranuar dhe, pavarësisht dëshirës që ata kanë për t’u rikthyer në Akademi, do të jenë votat e Asamblesë ato që do të japin verdiktin final për tre emrat. Disa nga emrat e akademikëve që kanë vendosur të aplikojnë për t’u rikthyer në vendin ku kanë punuar prej vitesh janë: Teki Biçoku, që aktualisht është kryetar i përkohshëm i saj, Ylli Popa, ish-kryetar i Akademisë deri në kohën para se të niste reformimi i saj, Shaban Demiraj, Kristo Frashëri, Alfred Uçi, Bardhyl Golemi, Kristaq Prifti. Ndërsa dy akademikë të përjashtuar, Hamit Beqja dhe Petraq Pilika, edhe pse janë kontaktuar për të bërë kërkesën e tyre si akademikë të përhershëm, nuk kanë pranuar.
Përzgjedhja
Përzgjedhja si akademikë të përhershëm u jep këtyre tre akademikëve të drejtën që të kandidojnë më pas edhe për organet drejtuese të saj. Asambleja e re e Akademisë së Shkencave do të përbëhet nga 45 akademikë. Në këtë Asamble do të bëjnë pjesë 30 akademikë të rregullt, 27 prej të cilëve janë përzgjedhur pak kohë më parë dhe 15 akademikët e asociuar, që do të përzgjidhen së shpejti. Pas përzgjedhjes së tre akademikëve të përhershëm mbi moshën 75 vjeç dhe 15 akademikëve të asociuar, në Akademinë e Shkencave do të nisë një tjetër garë më e fortë se dy të parat, që është ajo e zgjedhjes së kryetarit të ri të saj. Aktualisht, në krye të Akademisë qëndron gjeofizikani dhe akademiku Teki Biçoku. Këtë post ai do ta mbajë deri ditën kur do të zhvillohen zgjedhjet e reja në Akademi për organet drejtuese të saj. Sipas projektligjit të ri, të miratuar në fund të vitit të kaluar nga qeveria, kryetari i Akademisë përzgjidhet drejtpërdrejt me votim të fshehtë nga Asambleja, nga radhët e anëtarëve të rregullt. Kryetar zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të asamblesë. Kryetari i zgjedhur nga asambleja emërohet nga Presidenti i Republikës. Zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve përzgjidhen drejtpërdrejt me votim të fshehtë nga asambleja, nga radhët e anëtarëve të rregullt dhe të asociuar, sipas procedurave të përcaktuara në statutin e Akademisë. Kohëzgjatja e mandatit të kryetarit dhe të zëvendëskryetarit është 4 vjet, ndërsa e sekretarit shkencor dhe e drejtuesve të seksioneve është 5 vjet. Në çdo rast, mandati i kryetarit, zëvendëskryetarit, sekretarit shkencor dhe drejtuesve të seksioneve mbaron me përfundimin e statusit të anëtarit të rregullt ose të asociuar, në përputhje me Nenin 6/1, të këtij ligji. Kryetari, zëvendëskryetari, sekretari shkencor dhe drejtuesit e seksioneve mund të zgjidhen në të njëjtin funksion për dy mandate, por jo radhazi.
Akademikët që kanë pranuar të jenë anëtarë të përhershëm
Teki Biçoku
Ylli Popa
Shaban Demiraj
Kristo Frashëri
Alfred Uçi
Bardhyl Golemi
Kristaq Prifti
Anëtarët e Akademisë
1. Akademia ka në përbërje anëtarë të rregullt, anëtarë të asociuar dhe anëtarë nderi.
2. Anëtarët e rregullt të Akademisë mbajnë titullin “Akademik” dhe të tillë janë 30 veta.
3. Anëtarët e asociuar të Akademisë mbajnë titullin “Akademik i asociuar” dhe të tillë janë 15 veta.
4. Anëtarë nderi të Akademisë janë personalitete të njohura të vendeve të tjera. Numri i tyre përcaktohet në statutin e Akademisë, por ky numër nuk e kalon atë të anëtarëve të rregullt të Asamblesë së Akademisë.
28 Nentor 2008