Laç, grabitet për të tretën herë lokali në sy të policit
Grabitet për të tretën radhë pronari i një dyqani të materialeve të këmbimit të makinave në Lagjen Nr. 1 të qytetit të Laçit. Ndërsa këtë radhë pronari i lokalit Eqerem Hoxha ka qenë në prani edhe të një punonjësi të Policisë së Komisarit Kurbin, teksa është përleshur me dy grabitësit, dy hajdutët kanë mundur të largohen “paq” ndërsa kanë marrë me vete edhe lekët e xhiros ditore. Pronari i lokalit deklaroi se ka kërkuar ndihmë te policia, por sipas tij, grupi i gatshëm i policisë së Kurbinit ka ardhur vetëm një orë e gjysmë pas grabitjes në vendin e ngjarjes. Ndërkohë që sipas pronarit, njëri nga prindërit e grabitësit e ka kërcënuar atë se “nëse nuk tërheq denoncimin, do t’i hidhte varrin e djalit në erë”. Edhe pse kjo grabitje ka ndodhur para pak ditësh në qendër të qytetit të Laçit, policia nuk e ka raportuar si ngjarje, të paktën në komunikatë shtypi. Eqerem Hoxha rrëfen se “ka qenë ora 13:00 ndërsa isha ulur pranë lokalit tim duke pirë kafe me një punonjës të policisë së Laçit. Vura re dy të rinj, të cilët kishin hedhur në kokë xhaketat dhe po futeshin në lokal. U ngrita menjëherë dhe vajta te lokali, ndërsa dy të rinjtë më bllokuan te banaku teksa me njërin prej tyre po shtyhesha, tjetri hyri te sirtari dhe e hapi atë duke marrë lekët e xhiros. Kam dalë duke u përleshur përjashta me ta, ndërsa kam kërkuar ndihmën e punonjësit të policisë dhe njerëzve, por askush nuk më ndihmoi. Pasi i kërkova me insistim punonjësit të policisë të bënte njoftimin, pashë se grupi i gatshëm ka ardhur një orë e gjysmë me vonesë te lokali”.
BOX
Durrës, arrestohet pas dy vitesh i super kërkuari i Krujës
DURRËS – Ditën e djeshme policia e Durrësit dhe ajo e Krujës kanë arrestuar shtetasin Gentjan Deliu (Keqi) person i shpallur në kërkim që në prill të vitit 2006. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë kishte dhënë si masë atë të “arrestit me burg” për veprën penale të “kanosjes”, “mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit“ parashikuar këto nga nenet 84 e 278/2 të K. Penal. Sipas të dhënave, më datë 18 prill 2006, në fshatin Gramëz të zonës së Thumanës, Deliu ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit D. Zherri, i cili po udhëtonte me automjetin e tij. Gentjan Deliu (Keqi) ka qenë dënuar dhe më parë për veprën penale “vjedhje me armë”. Gjithashtu gjatë kohës që ka qenë në kërkim ndaj tij kanë filluar dhe 3 çështje penale për kanosje dhe armëmbajtje pa leje, të cilat janë në proces gjyqësor. Strukturat e Komisariatit të Policisë Krujë kanë organizuar dhe më parë disa operacione për kapjen e këtij personi, i cili është i evidentuar me rrezikshmëri të lartë, por kapja është arritur vetëm dje rreth orës 10:30 si rezultat i bashkëveprimit ndërmjet forcave të specializuara të RENEA-s dhe shërbimeve të Komisariatit të Policisë Krujë.
Në pranga dy të rinj pas sherrit banal në lokal
DURRËS – Dy ditë më parë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Qazim Buna, lindur dhe banues në Durrës, Lagjja Nr. 7, me arsim të mesëm. Arrestimi i tij u bë për arsye se një muaj më parë, rreth orës 14:00, është konfliktuar për motive banale me shtetasin A. Pasha, banor i qytetit të Durrësit, konflikt i cili ka degjeneruar në rrahje duke i shkaktuar këtij të fundit plagosje të lehtë. Shtetasi Qazim Buna rezulton që të ketë pasur me vete një pistoletë, të cilën ia ka dhënë shtetasit Bejtush Bejtja për ta fshehur, pasi ka konstatuar në distancë patrullën e policisë që po afrohej në atë drejtim. Në cilësinë e provës materiale u bllokua arma e zjarrit tip “Zastava” me nr. 299878 dhe një krehër me një fishekë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor për veprën penale të “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga neni 278/2 si dhe për veprën penale “plagosje e lehtë me dashje” të parashikuar nga neni 89 i K. Penal. Në të njëjtën kohë është bërë dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Bejtush Bejtja, i padënuar më parë. Arrestimi i tij u bë për arsye se ky shtetas, i ndodhur në konfliktin ndërmjet shtetasve Qazim Buna dhe A. Pasha, ka marrë pistoletën që e posedonte shtetasi Qazim Buna, me qëllim për ta fshehur në shtëpinë e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor.
28 Nentor 2008