Meta: Rama nuk është alternativë ndaj Berishës
Lëvizja Socialiste për integrim mblodhi dje, në një takim të gjithë kryetarët e degëve të saj në rrethe, për t’u organizuar për krijimin e rezistencës ndaj Kodit të ri Zgjedhor dhe manipulimit të votës së shqiptarëve. Gjatë fjalës së tij, Ilir Meta tha se diskriminimi që PS dhe PD i bëjnë LSI-së në Kodin Zgjedhor, vjen nga fuqia që kjo forcë politike ka. “Çfarë tregon ky bashkim i Sali Berishës dhe i Edi Ramës për të diskriminuar në mënyrë të padrejtë dhe kriminale një forcë politike si LSI? Tregon qartë se LSI është një forcë shumë e madhe sot në Shqipëri. Tregon se LSI është opozita e vërtetë sot në Shqipëri”, tha Meta. Kreu i LSI-së i kërkoi kryetarëve të degëve të kuptojnë dhe të përçojnë tek anëtarësia dhe gjithë shqiptarët rolin historik, që kjo parti ka marrë në kushtet e reja politike në vend. “Mendoj se historia na ka ngarkuar me dy detyra shumë të mëdha dhe ne nuk do t’i shmangemi historisë. Përkundrazi, do të dalim faqebardhë përpara saj. E para, të fitojmë zgjedhjet që po afrojnë, sepse Edi Rama nuk është një alternativë ndaj Sali Berishës. Edi Rama tregoi se është më Berishë se Sali Berisha. Edi Rama mezi priste që të vdiste ndonjë nga kolegët e tij ish-socialistë, ashtu sikurse ndjen kënaqësinë më të madhe kur shkatërron edhe kontributet më të mëdha, që partia që ai posedon sot ka realizuar gjatë pluralizmit politik në Shqipëri”, tha Meta. Sipas tij, arritjet më të mëdha të LSI-së kanë qenë demaskimi i manipulimit të zgjedhjeve nga Sali Berisha në ’96 dhe realizimi i një Kushtetute demokratike dhe evropiane në ’98. “Edi Rama sot është shkaktari kryesor i shkatërrimit të Kushtetutës dhe i betonizimit, jo vetëm të Tiranës, por edhe i pushtetit të Sali Berishës, çfarë është më shqetësuese, me amendamentet e 21 prillit. Dhe, njëkohësisht, është dhe përgjegjësi kryesor në rast se do të preket edhe një votë në zgjedhjet e vitit 2009. Tani të gjithë shqiptarët e dinë shumë mirë rrezikun që mund të vijë. Ndërkombëtarët po ndërgjegjësohen nga dita në ditë për këtë rrezik. Ne kemi të gjitha përvojat e duhura, edhe të hidhura, edhe të çmuara, nga zgjedhjet në Shqipëri. Forca që kemi treguar dhe që e kemi rritur gjatë gjithë këtyre viteve, e sidomos gjatë këtyre tetë-nëntë muajve të fundit, kur LSI po shikohet si forca kryesore garantiste për shumicën e popullit shqiptar për të mbrojtur dhe respektuar të drejtat dhe liritë themelore, për të shpëtuar demokracinë shqiptare nga kjo mbyllje që duan të realizojnë këta dy aventurierë të papërgje-gjshëm, që nuk pyesin për Kushtetutë, për ligje dhe për votë të lirë, pra jemi ne që po fitojmë besimin dhe mbështetjen e shumicës së popullit shqiptar”, tha Meta. Kreu i LSI-së tregoi dje për strategjinë që kjo parti për të ruajtur votën e lirë, e cila paralizon skemat manipuluese apo cenuese të votës. “Për këtë do të kemi një asistencë dhe mbështetje të jashtëzakonshme ndërkombëtare, sepse ne me të drejtë nuk mund të besojmë tek OSBE-ODIHR, te qëndrimet e trefishta, të katërfishta, etj”, tha Meta. Kreu i LSI-së tha se “është më i bindur se asnjëherë tjetër si sot është koha jo vetëm që t’u drejtohemi të gjithë shqiptarëve për të përkrahur LSI-në dhe koalicionin tonë, si të vetmen garanci për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e tyre themelore, por, njëkohësisht, ne jemi që tani garantët e sigurt të mbrojtjes së zgjedhjeve dhe të votës së çdo shqiptari në qershor 2009". a.l.