E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hertha mposht Hamburgun, Skela mposht Kapllanin

Derbi tjetër në Ligën më të fortë gjermane, i zhvilluar në Olympiadstadion të Berlinit, ndërmjet Herthas dhe Hamburgut i ka takuar skuadrës vendase e cila ka shënuar fitore me rezultat 2-1. Edhe pse Hamburgu përfundoi pjesën e parë me avantazhin e krijuar nga Petric në minutën e 12-të, vendasit nga Berlini arritën që të përmbysnin gjithçka në pjesën e dytë dhe në fund të dalin fitimtarë. Porsa filloi pjesa e dytë (47') Cicero barazoi rezultatin, ndërsa vetëm pas dy minutash, Domovchiski krijoi epërsinë, që në fund rezultoi të kishte qenë goli i fitores për Herthan. Takimi tjetër i zhvilluar ndërmjet dy skuadrave gjermane Energie Cottbus dhe Karlsruhe, ku aktivizohen lojtarët shqiptarë, Ervin Skela dhe Edmond Kapllani, respektivisht, i ka takuar skuadrës vendase, e cila ka shënuar fitore me golin e vetëm të shënuar dhjetë minuta pa përfunduar ndeshja. Skela e zhvilloi të gjithë takimin, ndërsa Kapllani u inkuadrua në minutën e 82-të.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›