Ministria kërkesë subjekteve për të dorëzuar propozimet për barnat me rimbursim
Emanuela Sako
Ministria e Shëndetësisë u ka kërkuar spitaleve dhe subjekteve të tjera shëndetësore për të dorëzuar pranë këtij dikasteri propozimet e tyre për medikamentet që kërkojnë të futen në listën e barnave të rimbursueshme për vitin 2010. Drejtoria Farmaceutike në Ministrinë e Shëndetësisë bën të ditur se subjektet e interesuara duhet t’i paraqesin propozimet e tyre brenda datës 10 nëntor. Ndërkohë që sipas premtimeve të MSH-së, lista e plotë e barnave të rimbursueshme pritet të dalë brenda muajit janar të 2010-ës. Të gjitha shërbimet spitalore paraqesin çdo vit kërkesat për shtimin e barnave të reja në listë, sidomos për ato sëmundje që kanë një kosto të lartë trajtimi.
Lista
Lista e barnave me rimbursim të plotë për vitin 2009, u shtua me 30 medikamente të reja të barnave dhe 40 alternativa. Përfitues të listës janë pacientët që vuajnë nga alergjitë, sëmundjet e astmës, sëmundjet e gjakut, sëmundjet e veshkave etj. Ndër barnat e shtuara ofrohen alternativa të reja terapeutike të gamës së barnave antispastike, diuretike, antiepileptike, neuroleptike etj. Pjesë e listës janë bërë edhe dy barna të reja për diagnoza të patrajtuara më parë; imatimib, që përdoret për trajtimin e leucemisë mieloide kronike, alternativë e vetme për trajtimin e këtij lloji kanceri. Ndërsa për trajtimin e të sëmurëve me veshka është rimbursuar Vangancikloviri dhe Antivirali, i domosdoshëm për trajtimin e pacientëve që i nënshtrohen tranplantit të veshkave në fazën post transplant. Propozimet e bëra nga spitalet për rimbursimin të barnave ishin të mëdha, ku përfshiheshin një listë e gjatë medikamentesh. Por nuk ofroheshin mundësitë financiare për përballimin e të gjitha kërkesave. Ministrja e Shëndetësisë dhe Komisioni i Hartimit dhe Rishikimit të Listës së Barnave të Rimbursueshme ka marrë parasysh kriteret për sigurinë, koston, përparësinë e barnave për trajtimin e sëmundjeve të rënda.
Barnat
Lista e plotë me barnat e rimbursueshme është e përbërë nga 450 medikamente. Fatura financiare për 405 barnat që ka lista e vitit 2009 është 4.7 miliardë lekë të reja. Megjithatë, shumëllojshmëria e sëmundjeve që ndjek jetën e çdo njeriu kërkon një kosto tepër të lartë për kurim. Ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni i Hartimit dhe Rishikimit të Listës së Barnave të Rimbursueshme në përzgjedhjen e barnave të rimbursueshme merr parasysh kriteret për sigurinë, koston, përparësinë e barnave për trajtimin e sëmundjeve të rënda. Vitin e kaluar lista u shtua me 21 barna dhe formë-doza, të cilat u bënë të ditura nga ISKSH-ja. Ndërsa në dallim nga ky vit, lista u shtua me 9 barna më tepër që u shtuan në listë.
Materniteti i ri tani me një aparaturë të re për fëmijët me probleme
Në Maternitetin “Koço Glozheni” përurohet vendosja e një aparature të re dhe një mënyrë e re diagnostikimi, që përcakton sëmundjet e foshnjës që në barkun e nënës. Gjithçka do të bëhet në bashkëpunim me mjekët e rajonit të Toskanës në bazë të projektit “Cuore Balcani/ Albania”. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka qenë i pranishëm në demonstrimin e parë të aplikimit të Telemjekësisë, që u zhvillua në këtë spital.
Me anë të këtij instalimi, për herë të parë në vendin tonë mundësohet konsultimi i drejtpërdrejtë me mjekët italianë për diagnostikimin e nenave shtatzëna dhe të anomalive të lindura tek fëmijët neonatal të lidhura veçanërisht me sëmundjet e zemrës.
Bashkëpunimi, 120 ushtarë të Bunavisë dhurojnë gjak për Kryqin e Kuq
Tashmë në Brigadën e Stërvitjes Bazë Bunavi është bërë traditë dhurimi i gjakut. Bashkëpunimi në aktivitete humanitare ndërmjet Kryqit të Kuq Shqiptar dhe Brigadës së Stërvitjes Bazë të Bunavisë ka bërë që 120 ushtarë të kësaj brigade të dhurojnë gjak. “Mësuam taktikat e të luftuarit, rregullat e shërbimit, por nëse ne dhurojmë diçka nga vetja, qoftë edhe thjesht një simbol, shikojmë që gëzimi është i pallogaritshëm dhe falënderimi është i pafund”,- janë shprehur ushtarët. Kjo është arsyeja që ushtarët e Bunavisë dhurojnë gjak, gjak të pastër, gjak Bunavie, gjak që i nevojitet një nëne, që do t’i jepet një fëmije të aksidentuar, një prindi me anemi, një moshatari me homofili, etj. Duke marrë shkas nga situata e vështirë që kanë spitalet tona për gjak, Kryqi i Kuq i bën apel qytetarëve të moshës 18-60 vjeç që gëzojnë shëndet të mirë, që të dhurojnë gjak. Me sloganin e përhershëm “Dhuroni Gjak, Shpëtoni Jetë!”, drejtuesit e Kryqit të Kuq pohojnë se të dhurosh gjak është një privilegj, por të marrësh gjak të sigurt është një e drejtë. Nga ana tjetër, dhurimi i gjakut është një akt human e civil dhe një mënyrë për të kontrolluar shëndetin. Kështu, nëse mendoni të dhuroni gjak drejtohuni në bankat e gjakut në spitale.
9 Nentor 2009