E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria konfirmoi dje 9 raste të reja me gripin e derrit



Shkon në 44 numri i të prekurve me virusin A/H1N1 në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar zyrtarisht se numri i të prekurve me gripin e derrave në Shqipëri është shtuar me 9 raste të reja. Analizat janë kryer gjatë kësaj jave në ISHP, ku kanë dalë dhe rezultatet përfundimtare, që tregojnë se gripi i derrit ka filluar të veprojë fuqishëm në vend. Pacientët e prekur i përkasin moshave të ndryshme dhe gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën. Ata kanë shfaqur shenja të lehta të virusit dhe janë trajtuar në QSUT. “Pas një periudhe qetësie gjatë muajve Shtator-Tetor, virusi A/H1N1 po rifillon të qarkullojë në popullatë. Gjatë kësaj jave janë identifikuar 9 raste të reja. Të gjitha rastet kanë pasur shenja të lehta dhe janë trajtuar në sistemin tonë shëndetësor, kryesisht në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë”, - u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, brenda disa javësh pritet të mbërrijë në vendin tonë vaksina kundër virusit A/H1N1, ndërsa iu është bërë thirrje qytetarëve të bëjnë vaksinën e virusit të gripit sezonal për të shmangur përplasjen e dy gripeve, çka do të rezultonte tepër e rëndë për shëndetin. “Në farmacitë e vendit ka një sasi të mjaftueshme me vaksinë kundër gripit sezonal dhe Ministria e Shëndetësisë, bazuar në udhëzimet e OBSH-së inkurajon me forcë qytetarët ta blejnë dhe ta përdorin këtë vaksinë, e cila aplikohet falas pranë Qendrave Shëndetësore për t’u mbrojtur nga gripi sezonal”, - bëri të ditur zëdhënësja e MSH-së. Personat që do të marrin vaksinën kundër gripit të derrit janë të gjithë ata që bëjnë pjesë në kategoritë emergjente. Në këto kategori bëjnë pjesë gratë shtatzëna, invalidët, personeli shëndetësor që ka kontakt me të sëmurët etj. Këto kategori janë parashikuar të vaksinohen me blerjet e para të vaksinës, ndërsa nëse MSH-ja do të mund të sigurojë më tepër doza, atëherë pjesë e vaksinimit do të jenë edhe kategori të tjera.

7 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›