E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezart Taçi nuk i shpëtoi dje qelisë, edhe pse dha 100 mijë euro



Laureta Rryçi

Presidenti i Kompanisë “Taçi Oil” nuk i shpëtoi dje qelisë, edhe pse ishte i gatshëm që të ngrinte në bankë një llogari prej 100 mijë eurosh. Rezart Taçi, i cili akuzohet për rrahjen e gazetarit Mero Baze, u shoqërua dje me një nga grupet e togës së shoqërimit nga qelitë e paraburgimit për në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Shoqërimi i tij u bë për t’i komunikuar masën e sigurisë së dhënë në mungesë dy ditë më parë nga e njëjta gjykatë. Seanca nisi rreth orës 12:00 dhe zgjati për rreth një orë. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan dje për gazetën “Albania” se biznesmeni nuk ka preferuar të flasë para gjyqtares së gatshme në lidhje me ngjarjen për të cilën akuzohet. Të njëjtat burime sqaruan se për pozicionin dhe kërkesat e biznesmenit ka folur vetëm avokati i tij, Maks Haxhia. Ndërkohë, prokurori i çështjes, Gjergji Tako, ka mbajtur të njëjtin qëndrim duke i kërkuar Gjykatës për së dyti që ndaj Taçit të linte në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” të dhënë në mungesë. Gjyqtarja Fahrije Budo ka lënë në fuqi të njëjtën masë, duke rikthyer kështu sërish biznesmenin në qelitë e paraburgimit. Avokatët, pasi kanë dalë nga Gjykata, mësohet se janë shprehur se do të apelojnë menjëherë vendimin e djeshëm.
Pretendimet
Interesat e biznesmenit gjatë masës së djeshme u mbrojtën nga dy avokatë, Maks Haxhia dhe Arben Prifti. Burime që ishin prezente në sallën e gjyqit treguan se avokati Haxhia i ka kërkuar gjyqtares masën e sigurisë “detyrim me paraqitje” për klientin e tij. Sipas avokatit, Taçi ishte një person me integritet që po sulmohet qëllimisht gjatë këtyre ditëve për të denigruar figurën dhe biznesin e tij. Po kështu, avokati është shprehur se ndaj klientit po ushtrohej dhunë psikologjike nga ana e gazetarit Mero Baze prej një muaji, nëpërmjet shkrimeve në gazetën e tij dhe emisionit në televizion. Së fundi, avokati, për t’i dhënë më shumë garanci Gjykatës se klienti do të respektojë të gjitha detyrimet ndaj Drejtësisë dhe se nuk përbën rrezik shoqëror lënia e lirë e tij i ka ofruar si garanci pasurore shumën 100 mijë euro.
Kërkesa
Pasi ka mbaruar fjalën avokati, mësohet se ka nisur me argumentet e tij prokurori i çështjes, Gjergji Tako. Sipas burimeve, përfaqësuesi i akuzës i ka kërkuar gjyqtares që të linte në fuqi të njëjtën masë sigurie, pasi i arrestuari kishte goditur për shkak të detyrës dhe është vetëdorëzuar vetëm pasi është dhënë në mungesë ndaj tij masa e sigurisë. Gjyqtarja, pasi argumentoi të dyja palët, vendosi të linte në fuqi të njëjtën masë sigurie. Sipas vendimit të djeshëm, Rezart Taçi do të qëndrojë në qeli deri në një vendim të dytë mbi vlerësimin e masës së sigurisë ndaj tij. Presidenti i kompanisë “Taçi Oil” u vetëdorëzua në polici të enjten pasdite, i shoqëruar nga avokatët Maksim Haxhia dhe Artan Hajdari. Taçi akuzohet për "goditje për shkak të detyrës, në bashkëpunim" dhe deri para seancës së djeshme mbahej në ambientet e izolimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Po të enjten, gjyqtarja Fahrie Budo, në një seancë me dyer të mbyllura, kishte pranuar arsyetimin e prokurorit të çështjes, duke vendosur masën e arrestit me burg pa afat në mungesë për Taçin.

Në burg edhe dy truprojat që goditën gazetarin
Në arrest me burg janë dhe dy truprojat biznesmenit Rezart Taçi, që u përfshinë në sherr. Gjykata dha masën e sigurisë arrest me burg për Blerad Liron dhe Yrgen Selfon. Sipas Prokurorisë, mbrëmjen e së hënës, rreth orës 23:00, biznesmeni Rezart Taçi dhe disa nga truprojat e tij dhunuan në një lokal në kryeqytet gazetarin Mero Baze. Të pranishëm në vendngjarje ishin dy gazetarët e njohur Arban Hasani dhe Andi Bushati. Policia arrestoi truprojën e tij, Bledar Lilo dhe shtetasin Arjan Selfo, ndërsa shpalli “në kërkim policor Rezart Taçin. Prokuroria nisi hetimin për pronarin e ARMO-s pas denoncimit të bërë nga gazetari Baze. Pasditen e së martës, Rezart Taçi bëri një deklaratë për mediat, ku tha se nuk ka ushtruar dhunë fizike ndaj gazetarit dhe e gjitha kjo bëhet për t’i marrë bizneset. Një deklarim i tillë bie ndesh me deklaratat e bëra në media nga dëshmitarët në vendngjarje. Dy ditë më parë pati reagime të shumta për ngjarjen, përfshirë edhe organizatat dhe ambasadat e huaja, të cilat u shprehën të skandalizuara për ngjarjen. Ndërkohë që Taçi u vetëdorëzua një orë pasi u dha vendimi i Gjykatës për ta shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Konfindustria: Sulmet ndaj Taçit, për qëllime të ulëta përfitimi

Konfindustria Shqiptare, si përfaqësuese e industrialistëve të Shqipërisë, u shpreh dje e shqetësuar për zhvillimet e fundit në lidhje me ngjarjen midis biznesmenit Rezart Taçi dhe gazetarit Mero Baze. Organizmi i biznesit respekton maksimalisht shtypin e lirë, por dënon praktikat që janë shfaqur në lidhje me shpifje për qëllime të ulëta përfitimi ndaj bizneseve që kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë të vendit. “Mbi 90% e kontributeve ndaj shtetit e jep biznesi privat, dhe në mënyrë të veçantë bizneset e mëdha, ku këtu hyn edhe z. Rezart Taçi, Presidenti i Nderit i Konfindustrisë Shqiptare”, - deklaroi presidenti i Konfindustrisë Shqiptare, Ing. Hajredin Fratari. Ai shtoi se integriteti moral i Rezart Taçit, vlerat e tij morale dhe sipërmarrëse, sfida e tij për një biznes të qëndrueshëm, e krahasuar me biznese VIP jo vetëm në Shqipëri, tregojnë jo vetëm përkushtim dhe përpjekje në rritje të biznesit, por edhe maturim në sfidën e vështirë të të bërit biznes. “Integriteti dhe fuqia e biznesit që Rezart Taçi zotëron dhe përfaqëson duhet përkrahur dhe jo denigruar, duhet internacionalizuar dhe jo mbyllur”, - vijoi Fratari. Konfindustria Shqiptare thekson respektimin ndaj shtypit të lirë, dhënien dhe informimin publik brenda kufijve ligjorë dhe dënon fort raste të informimit joreal, për qëllime të ulëta përfitimi. Për Fratarin, “klima e biznesit ndaj një situate dhe presioni të tillë, ku biznesi ndjehet i informuar jo realisht, në emër të pseudo-shtypit të lirë, krijon një imazh negativ ndaj biznesit jo vetëm shqiptar, por edhe atij të huaj”. Duke përfunduar reagimin, Konfindustria Shqiptare shpreh edhe njëherë “shqetësimin e thellë për ngjarjen e fundit midis medias dhe biznesit dhe siguron mbështetje në zhvillimin e një klime të shëndetshme për biznesin në misionin e tij si dhe në informimin real, konform ligjeve të vendit dhe standardeve europiane”.

9 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›