Heshtja e ndërkombëtarëve ndihmon peshkaqenët e politikës të gllabërojnë pronat tona
Kakomeja është preja e radhës e peshkaqenëve të politikës, nesër radha do t’i vijë një prone tjetër. Këtë radhë grabitësit nuk pyesin as për faktin se kjo çështje po gjykohet në Gjykatën e Apelit. Siç u njoftua nga TV News 24, në këtë veprim morën pjesë forcat e Policisë së Shtetit, që hasën në rezistencën e banorëve. Shoqata kombëtare e të shpronësuarve, “Pronësi me Drejtësi”, ka ngritur publikisht zërin në vitin 2004 dhe 2005 për të ndaluar peshkaqenët e Fatos Nanos që të mos gllabëronin Kakomenë. Sot e ngremë përsëri zërin dhe mbështesim apelin e shoqatës “Bregdeti” që ka denoncuar me datën 8 dhe 9 nëntor 2008 në shtyp veprimin antiligjor e arbitrar të qeverisë së Sali Berishës për grabitjen e Kakomesë.
Aktualisht, 192 familje pronare të Kakomesë janë në proces gjyqësor me shtetin, ndërsa persona të interesuar për të grabitur trojet turistike, pa pritur të përfundojë të paktën formalisht procesi gjyqësor, mbështeten edhe nga forcat policore, çka të bën të mendosh se në këtë akt banditesk janë të përziera strukturat shtetërore. Ajo që ndodhi më 6 nëntor në Kakome, nuk mund të ndodhi në asnjë shtet demokratik, por edhe po të ndodhte, do të quhej turp shtetëror dhe do të kërkohej që banditët të viheshin menjëherë në bankën e të akuzuarve. Këtë duhet të bëjë me përparësi dhe publikisht kryeministri, Sali Berisha, në të kundërt lufta kundër korrupsionit është një falsitet që vlen vetëm për të mashtruar ata ndërkombëtarë që dëshirojnë të mashtrohen.
Çuditërisht, problemet e shkeljes së të drejtës së pronës prej 17 vjetësh po kalojnë në heshtje nga presidentët, kryeministrat dhe kryetarët e Kuvendit që kanë zëvendësuar njëri-tjetrin, ndonëse ata janë institucionet bazë për mbrojtjen e detyrimeve kushtetuese. A janë këta mëkatarë? E keqja është akumuluar, por kush e nxit që të shpërthejë? Në një nga pikat e apelit publik të datës 8 nëntor 2008, shoqata “Bregdeti”, i bën thirrje dhe Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri, veçanërisht ambasadorëve të KE, të BE, të OSBE, të SHBA, të Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, që ata të ndikojnë që shteti shqiptar të respektojë të drejtën e pronës në përputhje me Konventën Evropiane dhe detyrimet kushtetuese. Kërkesë kjo krejt normale, por jo vetëm ankesat e dërguara nga shoqata “Bregdeti”, por edhe ato të shoqatës kombëtare “Pronësi me Drejtësi” duket sikur nuk janë lexuar fare dhe nuk janë transmetuar në qendër.
Progres-Raporti i KE i vitit 2008 do të ishte krejt ndryshe, nëse hartuesit e tij do të ishin vënë në dijeni me ankesat tona që jemi pala e vuajtur dhe e prekur nga kjo dhunë shtetërore e postkomunizmit. Lënia në hije e problemit të kthimit fizik të pronës në Progres-Raportin e KE të vitit 2008 dhe përzierja e emrit kthim-kompensim na bën të mendojmë se situata në Bruksel është raportuar e deformuar, ashtu siç e paraqesin pushtetarët, ashtu siç i intereson mafies që ka vjedhur si pronat e shtetit, dhe pronat private. Vizat për të lëvizur lirisht në Evropë, janë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët, por prioritetin e ka prona e trashëguar. Liberalizimi i vizave nënshkruhet, nëse realizohen pasaportat e sigurta me kërkesat e KE, por as kjo dhe as pranimi në NATO nuk garantojë stabilitetin social dhe ekonomik të Shqipërisë dhe nuk janë ekuivalentë të demokracisë. Kthimi fizik mbaron brenda muajit dhe nuk ka asnjë faturë financiare. Përkundrazi, sa më shumë shtyhet koha për kthimin fizik të pronës, e keqja thellohet. Kakomeja është vetëm një shembull i përsëritur i Gërdecit të pronës. Kjo shpjegon pse në Shqipëri vazhdon anarkia e titujve të pronësisë.
Ju lutem, zoti H. Lohan, ambasador i KE dhe ju të nderuar zotërinj ambasadorë, lexoni dhe vlerësoni letrat, ankesat tona, si dhe shkrimet që boton vazhdimisht media dhe do të kuptoni se një pjesë e fajit për këtë gjendje të mjeruar të popullit dhe të demokracisë në Shqipëri ka si shkak heshtjen tuaj. Kjo heshtje po shkatërron Shqipërinë.
Ligji antikushtetues 7501, që realisht është zbatuar në më pak se 25 % të vendit nga politikanët tanë mjeshtër të mashtrimit, raportohet sikur është zbatuar në gjithë vendin dhe se e vetmja zgjidhje na mbetet kompensimi. Ndërsa kryeministri Berisha harron çfarë ka premtuar në vitet 1991 e më pas, sot flet dhe angazhohet vetëm për kompensim të pronave. Ne i kemi thënë dhe i themi se kompensimi është një tullumbace, por jo vetëm kaq. Kjo platformë është falimentim i programuar i ekonomisë dhe destabilizim permanent. Korrigjimi i politikës së papërgjegjshme dhe dëmprurëse me pronën kërkon konsensusin politik Sali Berisha-Edi Rama (mazhorancë-opozitë) dhe këto 2 liderë nuk duhet lejuar të shkatërrojnë vendin, por duhen imponuar që pronarëve t’iu kthehet fizikisht prona e tyre e disponuar padrejtësisht nga shteti i diktaturës, duke respektuar titujt e mirëfilltë të pronësisë. Platforma e deritanishme e mbrojtur në vitin 2003-2004 nga kryetari i OSBE, zoti Osmo Lipponen, i kritikuar atëherë prej nesh, u vërtetua se rezultoi humbje kohe, dështim dhe falimentin i llogaritur. Situata kërkon seriozitet nga qeveria dhe Kuvendi për amendimin e ligjit 9235, me abrogim të aneksit të tij dhe të specifikohet se kthimi dhe kompensimi i pronës të jenë detyrim i shtetit. Kthimi dhe kompensimi duhet të realizohen si dy procese të ndara qartë. Kthimi bëhet shumë shpejt, ndërsa kompensimi është proces më i ngadaltë, por dhe ai bëhet pa faturë financiare gjigante, nëse respektohen parimet kushtetuese dhe ato ndërkombëtare. Shoqatat kombëtare “Pronësi me Drejtësi” dhe shoqata “Bregdeti” kanë kërkuar të zbatohen këto parime që deri sot kanë rënë në vesh të shurdhër. Në promemorien e botuar thuajse në të gjitha gazetat kryesore në datën 7 qershor 2008 ndër të tjera kemi theksuar se: kthimi i pronës është i thjeshtë, nëse qeveria dhe Kuvendi nuk do të mbrojnë më tej përfitimet e paligjshme të oligarkisë postkomuniste duke propaganduar kompensimin në vend të kthimit.
1. Zgjidhja e problemit të pronës dhe reforma e pronës në përputhje me kërkesat e Këshillit të Evropës, detyrimet kushtetuese, duke respektuar titujt e pronësisë të pranohet me ligj si detyrimi i shtetit. Ky proces të ndahet në dy faza të veçanta: kthimi dhe pas përfundimit të kthimit të fillojë kompensimi.
2. Për këtë qeveria duhet të ndajë dhe dallojë se cilat janë prona, ku shteti gëzon ligjërisht titujt e mirëfilltë të pronësisë (neni 41/2 i Kushtetutës) dhe cilat janë prona, që shteti i diktaturës iu grabiti pronarëve të ligjshëm dhe që duhet t’u kthehen fizikisht të zotëve. Në pronat që duhen kompensuar qeveria duhet të përcaktojë vetëm ato prona që janë tjetërsuar për ndërtime banimi para vitit 1991 ose edhe sot vazhdojnë të shfrytëzohen për nevoja publike konform ligjit, por jo pronat e përfituara padrejtësisht pas vitit 1991 nga politikanët dhe klanet e tyre.
3. Të përcaktohet një afat kohor për kthimin fizik sipas dokumenteve para vitit 1945. Kthimi t’i bëhet trungut familjar të trashëgimlënësit, pronar i ligjshëm (kthim fizik pavarësisht nga zëri kadastral dhe jo kthim të pjesshëm vetëm trashëgimtarit që jeton në fshat, se kjo ka futur konfliktin deri brenda familjes).
Faza e kthimit me ndihmën e shoqatës tonë, të shoqatës AK “Bregdeti” dhe të komunitetit të pronarëve të çdo fshati, nëse do të ketë vullnet politik, mund të realizohet brenda pak javëve, duke mbyllur këtë burim kryesor të korrupsionit pushtetar dhe burim të konflikteve midis pronarëve të ligjshëm dhe pronarëve falsë e të përkohshëm, që ka krijuar politika e pas vitit 1991.
4. Të shpallen të pavlefshme të gjitha aktet, me të cilat drejtuesit e institucioneve shtetërore, pas vitit 1991, e kanë transferuar pronën e subjekteve të shpronësuar në persona të tretë.
5. Pronarëve të vërtetë t’u kthehet plotësisht prona dhe e drejta e parablerjes së objekteve të ngritura mbi tokat e tyre dhe të privatizuara nga qeveria sipas interesave klanore.
6. Zhdëmtim ose sipas rastit vlerësim financiar, personave të tretë, që këto 16 vjet i kanë përfituar padrejtësisht dhe po i shfrytëzojnë pronat e pronarëve të ligjshëm.
7. Pas përfundimit të kthimit të fillojë faza e kompensimit. Kompensimi të bëhet me prona të mirëfillta të shtetit, që përbëjnë mbi 52% të pronës.
8. Hartat e tokave të lira dhe hartat e çmimeve, fondi për kompensim etj., janë të nevojshme vetëm për fazën e kompensimit dhe mund të bëhen vetëm pas
përfundimit të kthimit. Kompensim të parashikohet vetëm për pronat që vazhdojnë të shfrytëzohen për nevoja publike, si dhe ato prona që nga viti 1944 deri 1991 janë tjetërsuar për godina banimi. Këto nuk përbëjnë asnjë problem, sepse janë pak.
Shteti është pronar i ligjshëm për 52% të pronave dhe nëse kjo pasuri do të çlirohet nga grabitja, e organizuar nga politikanët, qeverisë i del dhe i tepron të kompensojë shumë herë më tepër nga sa janë nevojat reale për kompensim, pa krijuar deficite financiare, për të cilat i gjithë buxheti i shtetit nuk mjafton për disa dhjetëra breza.
Kjo është e vetmja alternativë që korrigjon politikën antipronar të platformës së Katovicës, të zbatuar me konsekuencë prej vitit 1991, mundëson anëtarësimin real në NATO dhe plotëson një nga parakushtet që ka vendosur Këshilli i Evropës për qeverinë shqiptare, shmang jo vetëm krizën financiare, por dhe atë sociale që i kanoset vendit.
Demokracia fillon me pronën dhe për zgjidhjen e këtij problemi të lënë pas dore është i domosdoshëm kushtëzimi i qeverisë nga ana e institucioneve ndërkombëtare. Në mënyrë që përparimet e arritura pas vitit 1991 e deri sot të konsolidohen në një shtet demokratik dhe që Shqipëria të mos kthehet në Palestinë, prioritet duhet t’i vihet reformës së pronës duke kthyer pronën tek i zoti, duke respektuar kërkesat e përsëritura të KE dhe të Departamentit amerikan të Shtetit. Shpresojmë se ky zë i pronarëve do të dëgjohet nga politikanët shqiptarë, por dhe nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO, të BE, FMN, Bankës Botërore dhe USAID, në mënyrë që mbështetja e tyre për politikën shqiptare të jetë në dobi të demokracisë dhe të shtetit ligjor.
* Kryetar i shoqatës kombëtare së të shpronësuarve, “Pronësi me Drejtësi”