E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga krismat e Mariborit te programet e zhvillimit në Celje

Nga Gjovalin Gjeloshi

“Të lëshojmë pak për të mbajtur shumë”. Kjo duhet të ketë qenë politika e Millosheviçit kur komanda e lartë ushtarake me ministrin e saj të mbrojtjes Velkjo Kadijeviç dha urdhër që ushtria popullore e Jugosllavisë vetëm pas një jave luftë të tërhiqej nga Sllovenia. Kishin kaluar më pak se dhjetë ditë kur në qytetin industrial të Mariborit kishin ndodhur përleshjet e para midis ushtrisë popullore të Jugosllavisë dhe njësive të mbrojtjes territoriale sllovene. Këto përleshje ndodhnin vetëm gjashtë muaj pasi populli slloven kishte votuar me shumicë dërmuese në referendumin për shkëputje nga Jugosllavia dhe në ato ditë kur parlamenti slloven përgatitej të shpallte pavarësinë e vendit. Vetëm dy ditë më pas (pas shpalljes së pavarësisë), nga fundi i qershorit 1991, ushtria më e fortë e Ballkanit, duke lënë 40 të vrarë në luftë me njësitë e mbrojtjes territoriale, u tërhoq nga territori slloven. Me këtë rast, Kadijeviç do të deklaronte: “Kostoja ushtarake e mbajtjes së Sllovenisë brenda Jugosllavisë do të ishte shumë e lartë”. Megjithatë ekstremistët, partizanët e mbajtjes gjallë të shtetit të sllavëve të Jugut, kurrë nuk do t’ia falnin këtë veprim ushtrisë popullore. Ndërsa analistët do të arrinin në përfundimin se: “Tërheqja e ushtrisë nga Sllovenia, do të ishte dënimi me vdekje i Jugosllavisë”.

Por analistët flasin më vonë se këshilltarët. Ndërsa të parët, më shumë bëjnë analizën e saj që ka ndodhur, të dytët duhet të këshillojnë shefat e tyre për atë se çfarë do të ndodhë pas këtij apo atij vendimi që ata marrin. Nuk ka pasur këshilltarë Millosheviçi apo ky vetë nuk i ka dëgjuar ata, siç bëjnë rëndom edhe të tjerë prijës duke menduar se i dinë vetë të gjitha? Përpara këshillës kancelareske “Të lëshojmë diçka për të shpëtuar shumëçka”, është harruar përvoja vetëm e një bariu të thjeshtë se kur një dele e kapërcen kanalin e nuk kthehet mbrapsht, është e vështirë t’i mbash të tjerat që t’i shkojnë pas. Përderisa Sllovenia u lejua “de facto” të shkëputej prej Jugosllavisë, pse duhej të ndodhte ndryshe me republikat e tjera? Por ato që vendosën ishin më tepër arsye politike dhe këto arsye nuk lidheshin tashmë me perandorinë jugosllave, por me Serbinë e Madhe: Sllovenia nuk ka kufij të përbashkët me Serbinë. Po të mos ishte kjo, pse nuk u lejua e njëjta gjë edhe me Kroacinë, parlamenti i së cilës vetëm disa orë më vonë Sllovenisë e kishte shpallur pavarësinë e vendit të vet. Në Kroaci, e më pas në Bosnjë-Hercegovinë apo në Kosovë, ushtria jugosllave po përmirësonte imazhin e shkatërruar në Slloveni, apo kishte diçka më të rëndësishme: Të shpëtohej Jugosllavia e mbetur apo të bashkohej kombi serb i vetëquajtur si “I nëpërkëmbur”?

“Zoti bekon çdo komb…”

Me këtë varg fillon Himni Kombëtar I Sllovenisë. Ashtu qoftë. Zoti e bekoftë çdo komb, por ashtu siç vazhdon më poshtë himni: Kur banorëve të tjerë të tokës; as me luftë dhe as me grindje nuk do t’u zërë rrugën. Sllovenia pothuajse nuk pagoi asgjë për ndarjen e saj prej Jugosllavisë. Çmimin e ndarjes “e ndanë” mes vedi të tjerët: kroatët, boshnjakët, shqiptarët, por edhe vetë serbët. Vetëm tetë civilë të vrarë në të ashtuquajturën luftë të Sllovenisë, aq sa mund të ishte numri i viktimave në një aksident automobilistik, nuk do të ishte asgjë përpara 20 mijë vetave që mori lufta kroate, apo ajo më e tmerrshmja, lufta në Bosnje-Hercegovinë që mori një çerek milioni jetë njerëzish. Qysh këtu, Zoti e bekoi kombin slloven, se nuk kishte shejtanin komshi dhe i caktoi një vend të praruar mbi këtë tokë.

Pak vende në botë mund të krenohen me një larmi kaq të madhe të relieveve si Sllovenia. Me një sipërfaqe prej vetëm 20 mijë km katrore, ku më shumë se gjysma është e mbuluar me pyje, ky vend lidhet me disa prej ndarjeve të mëdha gjeografike të Evropës. Sllovenia është bash aty ku takohet Evropa mesdhetare me atë Juglindore. Me alpe të larta e lugina të famshme, me lumenj të bollshëm, (vetëm lumi Sotla pothuaj në të gjithë gjatësinë e tij prej 90 km shërben si kufi shtetëror me Kroacinë) e me kodra të shumta me vreshta, (afro 216 km katror), kryesisht në anën lindore. Me vende turistike malore të shumta e, edhe pse vetëm me një xhep të vogël bregdetar prej jo më shumë se 47 km, Sllovenia i ka të gjitha. Sllovenia ka edhe Celjen, në zonën e së cilës janë llixhat më të dëgjuara, të njohura qysh në shek. e 17-të. Llixhat në Rogashko Slatina njihen në të gjithë Evropën qysh në shek. 19-të. Ndërsa burimet kurative në Lashko dhe Rimske Toplice ishin të njohura edhe nga romakët.

Kelleja e vjetër, Celje e re

Pas Mariborit, Celje është qyteti i tretë i Sllovenisë për nga madhësia. Ky qytet shtrihet përgjatë lumit Savinja në një lartësi prej 240 metrash mbi nivelin e detit. Cejle është midis Ljubjanës në lindje, Mariborit në veri dhe të llixhave Rogashko Slatina në perëndim. Kësisoj, duke e menduar Slloveninë si vend të Evropës Qendrore, ky qytet shtrihet në zemër të zemrës së kësaj Evrope.

Emri Celje e ka origjinën nga Kelleja, një popullim kryesor Celtic në shek. e tretë e të dytë para Krishtit. Nga Kelleja, emri ndërrohet në Celeja në kohën romake, kur qyteti pati një lulëzim si qendër administrative e kësaj periudhe. Edhe emri Celeja ndërrohet në Cilli dhe pastaj në Celje. Me këtë emër njihet qysh nga shekulli 14-15-të. Megjithëse sulmet turke sollën zjarr e flamë, qyteti i Celjes zhvillohet shpejt në këtë periudhë dhe bëhet një qendër e suksesshme tregtare. Pas rikonstruksionit të hekurudhës jugore nga Vjena në Trieste, e cila u shtri edhe në Celje në 1846, qyteti bëhet një qendër e rëndësishme industriale, tregtare, kulturore dhe arsimore. Në periudhën midis luftërave botërore, Celje ishte qyteti i tretë më i rëndësishëm i Provincës Drava.

Bashkia e qytetit të Celjes sot mbulon një sipërfaqe prej 95 km katrore dhe ka një popullsi prej 300 mijë banorë. Bashkia nuk është thjesht qyteti, i cili shtrihet vetëm në 24 km katrorë me një popullsi prej 50 mijë banorësh, por këtu përfshihen edhe 39 qendra të tjera të vogla urbane e suburbane. Celje është një qendër rajonale, administrative, biznesi, ekonomike, tregtare, kulturore, arsimore, mjekësore, sportive etj. Ndonëse në Celje nuk ka universitet, këtu janë në funksion disa kolegje të themeluara prej kohësh. Fakulteti i logjistikës, formalisht pjesë e universitetit të Mariborit, është themeluar në Celje në vitin 2005.

Bazeni i Celjes konsiderohet si një tjetër kryqëzim natyror tipik i Sllovenisë. Lugina e ulët e Savinjës është e njohur për bujqësinë e saj të zhvilluar. Sipas thënieve të vendasve, të korrat tradicionale të shek. të 19-të u bashkuan me kulprat që stimuluan zgjerimin e fabrikës së birrës në Lashko (këtë emër mban edhe njëra prej birrave më të dëgjuara në Slloveni), e cila u ngrit për herë të parë në vitin 1825. Peizazhe të ngastrave ku mbillen kulprat i sheh edhe sot po të takojë rasti të shëtisësh në këtë luginë.

“Lufta dhe Paqja”

Këtë radhë nuk është Tolstoi, por skulptori slloven Jakob Savinshek, që e emërton veprën e tij me këtë titull. I vendosur në qendër të qytetit të Celjes, monumenti “Lufta dhe Paqja” (“Vojna in Mir” në sllovenisht) simbolizon masakrat e kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore. Celje u pushtua nga gjermanët në prill 1941. Krimet e nazistëve ishin të pashoqe. Shumë patriotë sllovenë u varën nëpër pemë. Popullsia e Celjes përpara luftës (1940) ishte 20 mijë banorë. Sipas statistikave, humbën gjatë luftës më shumë se 570 veta, më së shumti midis moshës 20-30 vjeç dhe më shumë se 1500 veta u dërguan në Serbi ose u internuan në Gjermani. Po kështu rreth 300 veta u internuan në vende të tjerë të okupuara nga gjermanët dhe një mijë veta u burgosën në burgjet e Celjes. Një numër i papërcaktuar qytetarësh të këtij qyteti u morën me forcë për t’u mobilizuar në ushtrinë gjermane. Masakra më e madhe u krye me 600 fëmjë (fëmijë në shpërgenjë) që ishin marrë nga gjiri i nënave me forcë për t’u gjermanizuar. Në vijim, krimet e komunistëve nuk ishin më të pakta se sa ato te Gestapos. Me pretekstin e bashkëpunimit me gjermanët, rreth 30 mijë kroatë, sllovenë e gjermanë së bashku u burgosën dhe u dënuan pa procese gjyqësore. Monumenti tregon edhe vitalitetin e popullsisë së këtij qyteti. Nëse popullsia e Celjes në rreth 500 vjet është rritur 50 herë, në periudhën pas 1944 e deri në ditët tona, ajo është dyfishuar.

Miq tek Technopolis Celje

Të ftuar nga Technopolis Celje, Agjensia e Zhvillimit Rajonal të Savinjskës, njihemi më nga afër me këto struktura zhvillimore, gjurmët e së cilës i kemi hasur edhe në rajonet e Kroacisë si në Zadar, Zagreb apo Varazhdin. Si të thuash, ne shkuam në burimin e kësaj përvoje që na e ofruan edhe në Kroaci. Kroatët, për këtë, me sinqeritet thoshin: Kjo nuk është shpikje e jona. Na e kanë mësuar sllovenët.

Ne krijojmë iniciativa rajonale, të shprehen në agjenci. Misioni ynë është që të afrojmë zhvillim të mirë aq sa edhe organizim, mbështetje teknike dhe financiare në rajonin ku veprojmë si dhe punojmë për të ndërtuar një qendër informacioni dhe një rrjetë zhvillimi. Ne konsiderohemi jo vetëm një ombrellë rajonale, por gjithashtu marrim pjesë dhe në projekte sektoriale dhe ndërsektoriale.

Kompania ku ne ishim të ftuar është një prej 12 agjencive të tilla që ka Sllovenia. Kompania në fjalë vepron në territorin Savinjska, i cili përveç Celjes përmbledh edhe 32 bashki të tjera. Aktivitetet e agjencisë janë aktivitete operacionale strukturore me synim pasjen e aftësive ligjore për marrëdhëniet e zhvillimit në problemet rajonale deri në atë shkallë sa këto probleme të gjejnë zgjidhje me instrumente të domosdoshëm që janë në dispozicion. Nëpërmjet punës së saj, kompania krijon vlera të tjera shtesë.

Drejtimi kryesor i kompanisë është realizimi i objektivave të mëposhtme: Krijimi i kushteve të përshtatshme për të influencuar në zhvillim. Krijimi i një rrjeti të zhvillimit rajonal dhe koordinimi i punës individuale rajonale dhe institucioneve të zhvillimit me synim arritjen e objektivave të përbashkët. Formësimi i një zhvillimi të fortë në rajon dhe krijimi i një aksesi efektiv për të gjitha informacionet rreth rajonit. E rëndësishme është promovimi i rajonit dhe krijimi i lidhjeve aq të mira e të forta sa të mbahet gjallë lidhja midis rajonit dhe publikut. Krijimi i efekteve të partnershipit midis sektorit privat e publik në të gjithë vendin (rastin konkret në Slloveni) e më gjerë. Dhe më kryesore është krijimi dhe mundësimi i funksioneve në përshtatje me strukturat implementuese për të shfrytëzuar fondet strukturore (kuptohet për vendet që janë anëtare të BE).

Avantazhet tona, të thonë drejtues të kompanisë, janë gjetjet e reja, dijet që zotëron stafi, avantazhi i informacionit teknologjik që i përgjigjet dinamikës dhe kërkesave të tregtisë globale. Ne jemi ndërmjetës natyral dhe jemi të aftë të krijojmë prioritete specifike lidhur me konkurrencën e rajonit dhe objektivat.

Po çfarë shërbimesh ofron për partnerët e biznesit kjo agjenci: Ajo ofron dokumentin e strategjisë së zhvillimit dhe projektin e krijimit të sistemit të planifikimit të zhvillimit rajonal. Projektin e studimit të fizibilitetit. Projektin e planit të biznesit. Projekte e plane të investimeve. Krijimin e ortakërisë në projekte. Iniciativën e projekteve dhe vënien në jetë të tyre. Krijimin dhe mbajtjen gjallë të sistemit të informacionit rajonal. Promovon rajonin dhe parashikon identifikimin e burimeve për realizimin e projekteve. Parashikimin dhe asistencën e sipërmarrësve. Zhvillimin dhe krijimin e zonave industriale në rajon dhe krijimin e kushteve optimale për tërheqjen e investitorëve të huaj në rajon. Agjencia merr pjesë në projekte ndër-rajonale evropiane dhe jep shërbim këshillimor dhe ofron mbështetje për tërheqjen e projekteve me fonde të burimeve të ndryshme evropiane si SAPARD, CARDS, PHARE, ISPA, aq mirë sa edhe fondet strukturore të cilat kombinohen edhe me iniciativën e komunitetit. Agjencia merr përsipër të bëjë edhe monitorimin dhe vlerësimin e projektit.

Në dinamikën e sotme të biznesit botëror agjencia përpiqet të njohë ligjërisht të gjitha potencialet dhe në bashkëpunim me rajonin ndjekë gjashtë fusha kryesore: Infrastrukturën ekonomike dhe teknologjike; sipërmarrjet dhe zhvillimin teknologjik; burimet njerëzore; ambientin dhe planifikimin hapësinor; trashëgiminë, turizmin dhe sferën rurale.

Statusi ligjor i kompanisë është shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe koha e fillimit të punës është viti 1996. Pronësia mbi këtë kompani shprehet nëpërmjet aksioneve që ajo ka: 50.32 për qind të aksioneve i ka vet kompania. 21.78 % e kanë bankat, 11.95 % e kanë shtete të tjera dhe institucione joshtetërore, 10.85 %, bashkitë e rajonit Savinjska dhe 5.1 % e ka Republika e Sllovenisë.

Kompanitë sllovene prezente në Vlorë e Durrës

Agjencia e zhvillimit rajonal në Celje me 25 specialistët e sajë mban marrëdhënie bashkëpunimi me rreth 100 kompani private dhe investitorë të fushave të ndryshme. Gjatë ditëve të qëndrimit tonë atje ne pamë me sytë tanë se çfarë projektesh ishin financuar, për realizimin e të cilave ishte kontributi i kësaj agjencie. Nga kompania “Dat con” e cila nëpërmjet tre sektorëve të prodhimit realizonte për tregun vendas e të huaj prodhime të ndryshme e deri te fabrika e prodhimit të dritareve plastike, një investim i viteve të fundit, janë projekte në të cilat AZHR në Savinjska ka kontributin e vet. Kemi pasur marrëdhënie bashkëpunimi edhe me shqiptarët, thotë menaxheri i kësaj kompanie. Ne kemi fituar tenderin për vendosjen e sistemit të sigurisë në ambientet e paraburgimit, godine e cila është ndërtuar në qytetin e Vlorës. Pajisjet e sigurisë, produkte të kësaj kompanie, kanë fituar të drejtën e vendosjes edhe në ambientet e lojërave olimpike te luajtura në Athinë. Kompania ka përfunduar shumë projekte, veçanërisht në sistemet e sigurisë për mbrojtjen e kufirit. Përveç Greqisë e Shqipërisë, ka bashkëpunuar edhe me Rumaninë, Kroacinë etj. Përsosmëria e teknikës në këtë fushë ka bërë që prodhimet e kësaj kompanie të jenë shumë të kërkueshme në tregun botëror. Pajisjet lëvizëse të sigurisë, janë një prodhim tjetër. Në pamje të parë makina të zakonshme, por që brenda në “barkun” e sajë ajo, në të shumtën e rasteve tip fugoni, mban pajisjet vëzhguese. Sektorët e tjerë të prodhimeve të kësaj kompanie janë edhe sektori i energjisë ku futet fuqia alternative, energjia e rinovueshme dhe ajo e prodhuar me anën e erës si dhe sektori multimedia, pajisje elektronike moderne për salla konferencash, për kontrollin e regjistrimeve të dritës, temperaturës, në palestra sportive etj.

Sekreti: Specializimi i ngushtë, do të na thoshin në fabrikën e prodhimit të dritareve plastike. Një përvojë japoneze ku çdo punëtor në një repart pune specializohet që të prodhojë vetëm një nën-asortiment (Ta zemë vetëm bulona me numër gjashtë. Ata me numër tetë i prodhon një tjetër). Specializimi i ngushtë rrit cilësinë dhe shton konkurrencën në treg. Drejtuesi i fabrikës na shpjegon se ata kanë kontrata pune me shumë vende brenda e jashtë Sllovenisë. Çdo ditë prodhohen më shumë se 550 dritare të formateve të ndryshme dhe po çdo ditë ngarkoheshin nga magazina e kësaj fabrike rreth 35-40 kamionë me këto prodhime dhe e shpërndanin në të katër anët e Evropës. Prodhimet e kësaj fabrike vinin edhe në Shqipëri. Vetëm me firma ndërtimi në Durrës ajo kishte kontraktuar mbi 25 mijë metër katror dritare e vetrata.

Strategjia e përpunimit të mbeturinave

Nuk mund të mos e konsiderosh pozitiv faktin që tek ne ka një mori strategjish ose programe zhvillimore. Çdo ministri, çdo rajon, çdo bashki e deri edhe komuna, nuk kanë një por disa strategji. E thënë ndryshe, strategji-mania na ka futur në ethe. Nganjëherë bëhen strategji vetëm për vete, si i thonë dhe kjo strategji nuk integrohet me programet apo planet kombëtare të zhvillimit. Bëhet strategjia poshtë (në rajon bie fjala), harxhohen miliona e vihen në siklet edhe ekspertë e kompani të huaja, atje lart (në ministri a qeveri) nuk duan të dinë se çfarë është hartuar poshtë. Secili ecën sipas hapit të vet dhe matë me metrin e vet. Nejse, ky është një problem tjetër. Këtë radhë e kam fjalën te një strategji e rëndësishme që mungon tek ne dhe që në Slloveni ka një vlerësim të dorës së parë: Përpunimi i mbeturinave. Një ndër projektet më madhore të agjencisë në fjalë është projekti për trajtimin dhe përpunimin e mbeturinave. Me një investim prej 50 milion euro, i ndarë në dy faza, 18 dhe 32 milion, qendra e përpunimit të mbeturinave në Celje konsiderohet si një ndër komplekset më moderne. Financimi i projektit u bë me mbështetjen e BE me 50 për qind të fondit dhe gjysma tjetër financim i shtetit slloven bashkë me bashkitë e komunat. Vetëm bashkia e Celjes kishte investuar 24 për qind të gjysmës së fondit. Në këtë qendër grumbulloheshin e përpunoheshin mbeturinat e 24 qendrave urbane e suburbane me një largësi nga qendra deri në 40 km.

Në një sipërfaqe prej 30 ha qendra e përpunimit së bashku me të gjitha impiantet përpunuese, është mrekullia vet. Nëse shkelim përditë mbi barërat mjekësore dhe nuk ua dimë vlerën që kanë, të njëjtën gjë mund të themi edhe për mbeturinat. Ato jo vetëm që na ndotin e na prishin ambientet, por kanë edhe vlera që ne nuk i dimë. Grumbullimi i mbeturinave apo përpunimi i tyre nuk është thjesht një gropë e madhe e hapur enkas apo një luginë natyrore midis kodrave që shfrytëzohet për këtë problem. Letra, qelqi, plastika, mbeturinat e drurit, të gjitha copëtohen e fraksionohen dhe riciklohen. Po ç’bëhet me të tjerat që teprojnë dhe njëkohësisht nuk janë kontigjent për groposje.

- Tani do të shohim vendin e djegies së mbeturinave, na thotë Liljana, një nga specialistet me te mira të agjencisë. Secilit prej nesh do t’i shkonte mendja te një vend djegie ku duket tym e flakë dhe asgjë më tepër. Një impiant i tillë modern është krejt afër qytetit dhe ai veç i shërben atij. Nga djegia e këtyre mbeturinave përfitohen dy MW energji elektrike, çka do të thotë, sipas një përllogaritjeje, të përfitohen një milion euro në vit. Sllovenia e ka një strategji për përpunimin e mbeturinave dhe skarciteteve, vazhdon bisedën Liljana duke na shpjeguar edhe ne, se çfarë hapash duhen bërë për të përfituar një investim të tillë: Duhet gjetur vendi i përshtatshëm dhe duhet bashkëpunuar me një numër të konsiderueshëm komunash. Duhen disponuar të dhëna të sakta se sa është sasia e mbeturinave që grumbullohen. Një informacion i tillë është domosdoshëm për investitorin, sepse sa më e madhe dhe e larmishme të jetë sasia e mbeturinave që “prodhohen” aq më e leverdishme është edhe ngritja e qendrës së përpunimit. Pas marrjes në konsideratë të këtyre të dhënave atëherë duhet përgatitur projekti dhe të bëhet aplikimi për tender. Përpara strategjisë së zhvillimit të turizmit apo planifikimit të zhvillimit hapësinor, është strategjia e grumbullimit dhe e përpunimit të mbeturinave.

Në studion e piktorit Cekuta

Jure Cekuta radhitet në piktorët më të mëdhenj të Sllovenisë. Ai ka lindur në Celje më 1952. Pasi mbaron kolegjin teknik në Maribor, në vitet 1979 deri më 1981 punon si piktor dhe grafist në Çikago dhe Carmel të SHBA. Një vit më vonë studion për pikturë në universitetin e Havait.

Nga viti 1977, kohë kur Cekuta ka hapur ekspozitën e parë, e deri më 2007, plot 30 vjet me radhë, ai ka hapur nga një ekspozitë të re në secilin vit. Ai është i pranishëm në të gjitha vendet e ish Jugosllavisë, por edhe në Gjermani, Austri, SHBA, Japoni etj. Cekuta jep mësim në universitetet më të mira të SHBA dhe Rusisë.

Po ç’lidhje ka Jure Cekuta me Agjencinë e Zhvillimit në Savinjska? Në studion e piktorit, ashtu siç sheh pikturat e tij moderne apo abstraksioniste gjen edhe vizatime të porositura nga studioja legale Technopolis Celje. Ashtu siç kthehen pikturat e tij në qilima, porosi që ai i kryen me anë të një kompanie endëse të qilimave në Indi, edhe vizatimet-porosi të agjencisë kthehen në projekte serioze. Ashtu siç janë të punësuar rreth 300 punëtor në ndërmarrjen indiane të endjes që qilimave me firmën “Cekuta”, edhe projektet e agjencisë, në disa prej të cilave ka dorë edhe Cekuta, punësojnë qindra persona, si brenda Sllovenisë ashtu edhe jashtë sajë.

“Shkop e dojkë” apo …golf

Nga restoranti Golden Hill (Kodra e artë) vëren të gjithë sipërfaqen që e rrethon. Ajo është një ndër kodrat e shumta, këmbët e të cilave zbresin në lugina të bukura. Kodrat nga të gjitha faqet janë të qëndisura me hardhi. Vendosja e rreshtave është e sajuar në atë formë (sipas kundrejtimeve) sa të duket sikur ke endur ndonjë qilim nga të gjitha faqet. Ky masiv vreshti, na thotë shoqëruesi, mund të jetë nja njëqind ha. Kodrat me vreshta, janë njëra anë, por merakliu i kësaj pune nuk është ndalur me aq. Projektuesi, me durim dhe kujdes, ka shfrytëzuar edhe largësitë midis “qilimave” që përbëjnë vreshtin në drejtimin nga maja e kodrës e teposhtë si dhe luginën ku zbret kodra, me më shumë lagështirë dhe ndoshta më pak e përshtatshme për kultivimin e vreshtit. Në të gjithë masivin kodër-luginë apo vreshtë-lëndinë, është sajuar një fushë golfi. Sipërfaqet e fushave të golfit, nuk ngjajnë me fushën e futbollit apo të ndonjë sporti tjetër. Për të ngritur një fushë të tillë duhen minimumi 50-60 ha dhe ky sport ushtrohet më tepër nga turistët, të cilët e bëjnë turizmin enkas për këtë qëllim. Pra në këtë rast pritësi duhet të bëjë një kombinim të fushës sportive me të gjithë treguesit e tjerë turistik. Duhet menduar edhe për transportin e pajisjeve sportive nga aeroporti deri tek fusha, nëse sportistët në këtë rast udhëtojnë me këto linja etj.

Ne nuk kemi fusha të tilla sporti që të tërheqin edhe turistë, por edhe nuk e kemi njohur një sport të tillë. Por duhet ta dinë lexuesi se në anët e veriut të vendit tonë jo shumë kohë më parë është luajtur një lojë e ngjashme me golfin që e ka pasur emrin “shkop e dojkë”. Vërtetë, “shkopë e dojkë” nuk është luajtur në fusha moderne, por desha të tregoj se ky sport nuk është pronë vetëm e zotërinjve perëndimorë, por, ndoshta më përpara, ka qenë pronë edhe e barinjve shqiptarë.

Technopolis- një urë midis Lindjes dhe Ballkanit Lindor

Ballkani Lindor me 7 vende dhe me mbi 25 milion qytetar, përfaqëson një sfidë reale dhe një mundësi domethënëse zhvillimi për Evropën dhe Slloveninë, thotë drejtori i Technopolis Celje Boris Klaçnik. Në vitin 2006 Technopolis Celje ka krijuar një qendër teknologjike ku përfshihet edhe një universitet ndërkombëtar. Ky projekt duhet të jetë i kompletuar në vitin 2013. Parku teknologjik Celje është një program i cili përmban projekte integrale të Technopolis Celje dhe konsiston në disa nënprograme. Parku teknologjik mbulon 50.170 metra katror (nga 170 mijë metra që është sipërfaqja teknologjike e qytetit të Celjes). Në këtë park do të ndërtohen 12 ndërtesa ku do të vendosen kompani të ndryshme teknologjike, institucione te zhvillimit, qendra të teknologjisë dhe të arsimit nga Sllovenia, Evropa dhe pjesa e mbetur edhe nga bota. Ky park do të ndërtohet deri në vitin 2013 dhe është i ndarë në tre nënzona. Secila nënzonë do të realizohet sipas objektivave të parashikuar.

Sipas zotit Klaçnik, Technopolis Celje, ose agjencia e zhvillimit rajonal, mbështetur në programet e zhvillimit rajonal gjatë kësaj periudhe është fokusuar në pesë programe kryesore siç janë: burimet njerëzore, ndërmarrjet e vogla e të mesme, turizmi, ambienti dhe hapësira, bujqësia dhe fshati. Këto projekte rajonale zhvillohen në 31 bashki, përfshirë edhe parqet teknologjike të zhvillimit, zonat biznesore rajonale dhe qendrat turistike ekologjike. Një kujdes i kushtohet studimeve për investimet në infrastrukturë dhe rregullimit të hapësirave rajonale (mbrojtjes kundër përmbytjeve nga lumenjtë).

Nga viti 2007 e deri më 2011 në veçanti është duke u vënë në jetë programi rajonal për të nxitur projekte në turizëm, veçanërisht iniciativa që kanë lidhje me karakterizime specifike në përshtatje me ambientin dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve sipas kërkesave. Agjencia ka marrëdhënie bashkëpunimi me simotra: Castilla La mancha dhe qeveria rajonale Extramadura në Spanjë,rajonin Abruzzo në Itali, me një rajon në Suedinë Perëndimore etj.

Qendra Rajonale e përpunimit të mbeturinave në rajonin e Lezhës si dhe projekte studimore në zonat blu (deti), apo jeshile (turizmi malor e rural) si dhe projekte në infrastrukturën ekonomike, janë disa nga projektet për të cilat mund të bihet dakord që Technopolis Celje mund të realizojë në bashkëpunim me rajonin e Lezhës në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›