E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri ndan udhëzimet për mafian e ndërtimit

Nga Tema

Antena brenda familjes

Pas shembjes së pallatit në Gjirokastër, Berisha, i cili shkoi në vendngjarje me helikopter, u kthye i qetë në zyrë. “Tani i vura përpara, - tha. - Më shpëtoi ky pallat që ra në këtë kohë. Se po merreshin me Gërdecin. U thosha që është aksident teknologjik, jo më thoshin, është histori korrupsioni. Tani ua tregoj unë korrupsionin.”

Thirri Flamurin në telefon.

- Duhet shpërndarë urgjent teza e mafies së ndërtimit, - tha. Mafia e ndërtimit duhet ndalur. Po bëjnë kërdinë. Duhet t’i sulmojmë fort. Lidhu me këta të shtypit të hapin gazetat nesër dhe të godasin fort. Ata të “Klan”-it i kam porositur, kanë nisur që sot.

- Dakord, - i tha Flamuri.

Pasi mbylli telefonin, s’dinte nga t’ia niste. Mori fillimisht kryeredaktorin e gazetës “55”, të vetmin që ka leje ta marrë vetë. I tha: “Kam porosi të nisni luftën kundër mafies së ndërtimit, se dhe në Tiranë ka shumë pallate që rrezikojnë të bien. Duhet me i sulmu fort, lidhuni pak me këta të Urbanistikës dhe merrni emra ndërtuesish. U duhet rënë fort.”

- Kujt t’i biem? - i tha kryeredaktori. - Na thuaj ndonjë emër.

- S’e di, ja të pyes këta të KRT dhe u them.

Pas pesë minutash mori sërish.

- Me emër s’i japin ata, - tha, - po thonë që blloqet më problem janë ndërtimet te “Komuna e Parisit”.

- Atë s’e bëjmë dot, se janë të Gëzim Kalaverit dhe e kemi ortak, - i tha kryeredaktori

- Nuk e di, - tha Flamuri, - se unë s’merrem me ndërtime. Po t’i them me blloqe, kështu m’i kanë dhënë.

- Po shikoni, bjerini këtij bllokut në hyrje të Tiranës.

- As atij s’i biem dot, se është Delijorgji me Rafin dhe ti e di si është puna.

- Po shiko mos u bini këtyre që kanë ndërtuar këtu në Kashar.

- S’i prekim dot ata, se i kemi tanët. Na thuaj ndonjë tjetër.

- Po bjerini atij pallatit të Ramiz Alisë te Shkolla e Baletit se nga 8 kate i ka bërë 13 kate dhe rrezikon t’i bjerë pallatit të Pandeli Majkos në kokë.

- As atë s’e bëjmë dot, se i ka bërë Aleksandër Frangaj ato pesë katet pa leje.

- Ashtu ë? Po bjerini këtyre ndërtimeve tek Arkiva e Tiranës, se dhe ato skandal janë.

- Jo, se ato i ka ky Irfani i gazetës “Panorama” dhe doktori e ka mik, se i ka fal atë uzinën.

- Po mirë, bjerini këtij pallatit që desh të sharronte Edi Rama atëherë, këtu te Libri Universitar.

- Jo, se e ka ai i gazetës “Telegraf” dhe sikur e kemi tonin dhe atë.

- Epo, ç’të them unë, bjerini kësaj kullës 22 kate që do bëhet te shtëpia me gjethe.

- Jo, jo, s’i biem dot, se e ka ai i gazetës “Metropol”. Ai është më i binduri ndaj nesh, vetëm që s’di si të na ndihmojë.

- Epo, ç’t’u them unë, këtë listë më kanë dhënë këta të Urbanistikës. Kur të marr ndonjë tjetër, do t’iu them, po ai burri kërkon luftë kundër mafies së ndërtimit. Bjeruni këtyre që do bëjnë pallat para PD pastaj, se s’më mbeti njeri tjetër, po këta më duket i ka miq ai burri.

- E dimë, e dimë, ndaj jemi në ankth, se s’na ka dhënë emra. Na ka thënë vetëm bjeri Flamur Bimes, po kush çan kokë në Tiranë për Flamur Bimen. Po i biem prokurorisë atëherë, se dhe ata të “Klan”-it kështu e zgjidhën.

- Ja se do flas prapë e ta qartësoj se kujt t’i biem. Po keq qenka puna, qenkan të gjithë tanët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›