Krimi në prehër të Zotit
Ia dërgova një pako dokumente Del Pontes (gusht 2005), duke shpresuar se ajo do të ngrinte një fletë-akuzë kundër Kishës serbe. Korrespodenca ime me të mund të quhet “rruga e kronologjisë” së dëshmive arkivore dhe filmike që zbulova. Ia nisa nga Sveti Pavle, që sot po dergjet në një spital të Beogradit, s’po i del shpirti që prej 3 vjetësh duke pritur “ditën e gjykimit” që do ta çlirojë nga dashuria për Millosheviçin. Gjeta 36 skena filmike, ku shihet Pavle krah Millosheviçit, ndërkohë që po bekonte paramilitarët serbë në kolonë duke u nisur në Kosovë, ku do të theren me thika fëmijë shqiptarë (në Izbicë). Që e ke bekuar krimin, nuk të kap ligji i Tribunalit, ndaj Pavle nuk po e pret vdekjen në qelinë e burgut të Hagës. Edhe pse nuk është ngritur aktakuzë kundër tij, ai megjithatë duket sikur në spitalin e Beogradit po mbrohet “në liri” duke pritur çastin e vdekjes çlirimtare. Në një letër, Del Ponte sqaron çfarë konsiderohet “dëshmi materiale”, mbase mendon se shpirti nuk është “organ material”! Po fjalët, a dalin prej mishi a shpirti, ato fjalë të Amfilohijes (në “Reuters”), kur tha se “veç moralisht” e kemi përkrahur ushtrinë serbe gjatë luftës në Kosovë, duke e bekuar në emër të Krishtit”? Juridikisht, morali nuk është krim!
Në pakon time ka prova materiale sa të qëndisje një fletë-akuzë për Tribunal kundër moralit të Kishës serbe dhe Mitropolitëve të saj. Po ende nuk dihet sa konsiderohet vepër inkriminuese të frymëzosh krime lufte! Pas çdo letre, mua më vinte e njëjta përgjigje: “Mungojnë argumentet materiale”! E ri-dëgjova qindra herë incizimin (BBC ‘08), ku Amfilohije thotë se Kisha po përgatit Luftën e Tretë Botërore midis (vetëm) shqiptarëve dhe serbëve. Thotë se kjo luftë do të bëhet nën mbikëqyrjen e UNMIK dhe “u bozhjim rukama” (në duart e Zotit). Për gjak, për luftë, Mitropoliti në krye të demonstratave antishqiptare në Podgoricë (2008), gërvallej: “Mësyni trima, merrni punët e Zotit në dorë”! Në dorë të Zotit dhe me bekimin e tij ndodhën masakrat në Kosovë, Bosnjë, Kroaci. Inkuizitori modern Amfilohije këtyre ditëve ngjalli një pjesë të ushtrisë se vdekur serbe dhe më në fund e çliroi Shqipërinë nga robëria osmane!
Mitropoliti nuk i fsheh lidhjet e tij të ngushta me Karaxhiçin, Sheshelin, Millosheviçin. Por e fsheh Mlladiçin nëpër bodrume manastiresh, duke e bartur natën nga një vend në tjetrin, si pesë shekuj eshtrat e Car Llazarit. Shtypi rus e ka portretizuar, bashkë me Putinin shokë e përpjetë lakuriq, me kryeministrin e 20 milion rusëve të sëmurë zemre, edhe vetë i lënduar në zemër nga deputetja turke në Duma, Alina Kabaeva. Në foto shihet Amfilohije bashkë me Putinin. Asohere tha (si në shaka) se “po i bëj kryeministrit ekzorcizëm”, po përpiqem t’ia nxjerr nga zemra turkeshën balerinë (25 vjeç). Mos të qe Amfilohije, Putin për pak u martua me Alinën, për të e la gruan e tij Luden (edhe pse kjo kishte hequr dorë nga aktrimi për hir të burrit plak). KGB-isti i Dresdenit e mbylli gazetën “Moskovsky Korrespondent”, të nesërmen, pasi dha lajmin për divorcin e tij me Ludën. Kishte zëra që thanë se e këshilloi Mitropoliti ta bënte këtë “gjest” zhdanovist.
Në “Politika” të Beogradit Amfilohije tha se po pret “ditën e gjykimit” të pavarësisë së Kosovës në Hagë, dhe beson se pavarësia do të shpallet “krim lufte”! Pavarësia do të vazhdojë të mbahet në paraburgim nga gardianët e UNMIK, deri në “ditën e gjykimit”. Carla e dinte se Amfilohije e vizitoi Karaxhiçin në burg gjatë festës së “Bogorodica Trojerucica” (2008). Me këtë rast ai i tha (“Reuters”): “Karaxhiçi është njeri i mirë”! Në varrimin e nënës së Karaxhiçit, Jovankës, në fjalimin mortor ai e shpall këtë grua plakë “Majka Jugovica”, fytyrë e ri-mishëruar e shenjtores Rada Tomora. I tha “nënë biblike”, se kishte lindur Karaxhiçin, i cili, sipas tij, “vulosi lavdinë e historisë serbe”. Pranë ikonave të shenjtorëve në Kishën e Deviçit (Drenicë) i kam parë portretet e “personazheve biblike” të kriminelëve të luftës si Mlladiçit, Karaxhiçit, Millosheviçit. Piktura i paraqet me fytyrë të përvuajtur si të Krishtit në Kalvar. Jovanka biblike, në takimin e fundit me Amfilohijen (NIN ‘05), i kishte thënë këtij se “më parë do të doja t’ia puthja sytë e vdekur Radovanit sesa ta shoh duke u dorëzuar në Hagë, se kështu do ta tradhtonte Krishtin”. Po Krishtin nuk e tradhtoi Radovani, se nuk u dorëzua!
Njësoj si në kohën e Inkuizicionit (1478), kur në emër të Krishtit, aristokracisë feudale i aneksoheshin pronat, një relacion me një gazetare investiguese nga Ulqini, 530 vjet më pastaj Inkuizicionit, ajo gjeti tapitë në Cetinë (Mali i Zi), ku de jure shihet se Amfilohije kish përvetësuar 35 patundshmëri të vlerave marramendëse materiale, joshpirtërore. Në kadastrën e Cetinës gjendet dokumenti që dëshmon se Patriarkana e Pejës është pronare e dhjetëra godinave që i shfrytëzon si pronë private Amfilohije. Edhe këto dokumente m’i refuzuan, prona private nuk është krim, por konsiderohet e shenjtë, më thanë. Dakord. Nuk ka “corpus delicti”!
Qëndroja gjithë natën me kokë mbi akt-relacionet, një e gjeta, ku dokumentohet se Amfilohije kishte urdhëruar me një cope letre dorëshkrimi konfidencial ta nxirrnin fshehtas Sveti Pavlen nga spitali e ta dërgonin në Manastirin e Studenicës, ta shtrijnë pranë pusit të Kishës, ta lidhin me vargonj, e pastaj kallogjerët do ta rrihnin me kamxhik, derisa të tregonte emrin e djallit që nuk po e linte t’i dilte shpirti! Këtë metodë shëruese që i çliron shenjtorët nga prona dhe nga posti Amfilohiie e kishte mësuar nga Vuk Karaxhiçi “Zivot i obicaji naroda srba”. Posa Sveti Pavle të ngjitet në qiell, Amfilohije do të ulet në postin e tij! Po me këtë metodë, më 2005, një grumbull murgjish, me në krye pop Danillon, ndër sy të Mitropolitit, kanë kryer një ekzorcizëm mbi murgeshën jetime, Maricica Irina, 23 vjeç. Këtë Irinën popat e lidhën me zinxhirë, e lanë pa ushqim, ia mbyllën gojën me fasha të mos i dëgjoheshin britmat. Pasi vdiq, “në duar të Zotit”, pop Danillo tha “ndodhi mrekullia, Irina u çlirua nga djalli”.
Po kush e shporr skepsen e Tribunalit lidhur me të dhënat e dosjes që do të shërbenin për të ngritur fletë-akuzë kundër Kishës serbe për krimet e saj në etnocidin e Kosovës, (1912-1999)? Plot dokumente ku shihet edhe “kontributi individual” i popëve. E kam në dorë dokumentin (e datës 7 prill 1841) që mora në arkivin e Kotorrit, nënshkruar nga kapiteni Nikola Drobnjak, ku shkruan se pop Spasoja, në Bare, e ka djegur për së gjalli baba Stamenkën, pasi sipas tij, fëmijët e Shumadisë kanë vdekur, pasi baba Stamenka ua ka nxjerrë zemrën dhe ua ka pi gjakun me tas!
Gjatë luftës në Kosovë, manastiret në mënyrë legale ishin shndërruar në depo armësh. Gazetari (S. M.) ka incizuar bisedat e Amfilohijes me Mitropolitin Stephanos, 91 vjeç. “Avriani” në ballinë e botoi (2005) foton lakuriqe të Stephanos me një grua të re. Artikuj mbi shpërndarjen dhe mbjelljen e drogës në “kopshtet” e manastireve, fotot plot tym të popëve në ekstazën e klubeve të natës. Dihet që në ikje e sipër, bishopit aseksual Christodoulos rruga i ra nëpër Serbi, i zhgënjyer nga vardisjet e kolegëve, u mbyll në një qeli manastiri në Kurshumli, aty priti të harrohej afera “sex gay with bishops”, për të filluar karrierën e manekinit në Paris.
Maricica Irina, që e përmenda më lart, na jep për metaforë emrin e saj. U përpoqën ta ri-mishërojnë në trupin e gruas së presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, Vaselinka Tadiç, ish-gazetare, sot murgeshë në Patriarkanën e Pejës, të cilën Teodosi e pagëzoi Irina, për shpirtëzim të Maricicës. Kjo Irina, pas 16 vjetësh martese me Tadiç, e pastron shpirtin dhe trupin në Patriakanën e Pejës. Tash veç një Zot e di a i ka shërbyer “Irina” Tadiçit edhe si një medium i gjallë, ashtu si i shërben sot Zotit në Pejë, derisa Borisi punonte tezën e doktoraturës “Subversiteti i segmenteve seksuale”. Sidoqoftë, mund të merret me mend lloji i subverisitetit që e ka shtyrë Vaselinken të kallogjerohet (më 2007). Sa i përket ish-seksualitetit të shenjtorëve, që dëshmon se Kisha bën politikë në Serbi, përsëri implikohet Tadiç, i cili para 30 vitesh bashkë me Irinën “mjeshtëronin” seksi-kukulla prej leshi. I përcjellë me paramilitarë të armatosur, krah për krah me Amfilohijen, Tadiç shumë herë e shkel sovranitetin e Kosovës, dhe pikë dite vjen në gosti bujtinave të Manastirit të Graçanicës dhe Deçanit. Pijnë verë të kuqe, por nuk e përmendin gjakun e Krishtit, për një tjetër lloj gjaku janë të etur! Në një çast eksitimi, i dehur nga vera, tha se (glas javnosti) “do ta bënte”, po t’ia kërkonte Sharon Stone! Gjatë luftës në Bosnjë, Tadiç (i lindur në Sarajevë) kontribuonte si psikolog në ushtri, menjëherë posa ushtarët merrnin bekimin e Amfilohijes, i merrte në dorë Tadiç dhe i përgatiste psiqikisht që të mos ligështoheshin gjatë aktit të krimit, se duhet ta dinin që për këtë punë i kishte bekuar Sveti Pavle!
Amfilohije ka përdhunuar testamentin e shkrimtarit të madh Danilo Kish, me ujdi të gruas së tij Pascale Delpech, e kishte varrosur me rite ortodokse kundër vullnetit të tij, duke ia mbajtur mbi varr një fjalim të gjatë postmortor, që shkrimtarin e madh më shumë e prezantonte si kriminel sesa si poet!